U mbajtën peng nga Basha e Monika, Meta dekreton dy ligjet e Reformës në Drejtësi

Presidenti Meta, pas sulmeve ndaj reformës në drejtësi, më në fund ka vendosur të dekretojë dy projektligje të rëndësishme, pjesë e kësaj reforme, që janë mbajtur prej 30 muajsh të bllokuara nga opozita PD-LSI.  Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i cili tha se Meta ka vënë firmën në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.  Vetë presidenti kritikon vonesat e kuvendit në miratimin e këtyre dy projektligjeve por nuk thotë në asnjë moment se shkak për bllokimin e tyre ka qënë PD dhe LSI.

 “Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, u shpreh Tedi Blushi duke cituar shefin e tij, Meta.

Mirëpo, Presidenti harroi të thotë shkakun pse dy ligjet e sipërpërmendura mbetën të bllokuara për 30 muaj në sirtaret e Kuvendit. Në fakt, shkaku i vërtet ishte bllokimi që PD-LSI i bën këtyre dy ligjeve (lexo këtu lajmin e Realstory.al). Dy vjet e gjysmë  më parë, Gjykata Kushtetuese ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy ligjet e miratuar së fundi.

Shkak ishin 22 nene, të cilat u shfuqizuam si të “papajtueshme me Kushtetutën”, dhe për këtë arsye duheshin rishkruar. Në këto kushte, mazhoranca i kërkoi opozitës aso kohe, PD dhe LSI, që të bashkëpunonin për të miratuar ndryshimet e sugjeruara nga Gjykata Kushtetuese në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pasi duheshin 84 vota në Kuvend që këto dy ligjet të miratoheshin.

Por, PD dhe LSI refuzuan të ofronin bashkëpunim, duke bërë që ligjet e sipërpërmendura të mbeteshin në sirtarët e Kuvendit për dy vjet. Futja në parlament e deputetëve të rinj të opozitës, solli edhe nxjerrjen nga sirtarët e Kuvendit të këtyre dy ligjeve, të cilët u miratuan në seancën e 18 korrikut me 106 vota pro, duke plotësuar kuadrin ligjor të gjithë Reformës në Drejtësi. Në fakt, refuzimi i bashkëpunimit nga PD dhe LSI për miratimin e këtyre dy ligjeve, ishte prova që opozita bllokoi Reformën në Drejtësi, gjë të cilën në fakt Ilir Meta nuk e tha në konferencën për shtyp të zëdhënësit të tij.

Në përfundim, Blushi bëri dhe një rezyme të ligjeve që ka dekretuar presidenti Meta dhe ato që ka kthyer mbrapsht në Kuvend, sikur të kishte lexuar shkrimin e botuar të mërkurën në realstory. (lexo këtu). /Realstory.al/

Exclusive/Raporti i plotë i Ligjeve: Meta mori pushtet ekzekutiv, dekreti, antikushtetues

Realstory.al ka siguruar raportin e plotë që Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi në mbledhjen e së mërkurës përmes të cilit kërkon shkarkimin e Presidentit Meta.

Raporti fillimisht i referohet vendimit të KQZ që e cilësoi nul vendimin e Metës për të anuluar zgjedhjet dhe vendosi me vijimin e procesit zgjedhor.

 “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për organizimin, administrimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nuk e mori në konsideratë për zbatim dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe vijoi me procesin zgjedhor duke arsyetuar se ky akt i presidentit është absolutisht i pavlefshëm, pasi ka dalë në kapërcim të kompetencave të presidentit dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë. Sipas nenit 94 të Kushtetutës, presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë”, shkruhet në raport.

Më pas theksohet rezoluta e miratuar me 100 vota në kuvend që mbështet KQZ në vijimin e punës për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës së miratuar mbi aktin e presidentit, bazuar në përgjegjësinë që i ngarkon kushtetuta në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqkpëria është republikë parlamentare, duke mbajtur parasysh rolin dhe kompetencat e presidentit në një republikë parlamentare, mbështet qëndrimin e KQZ për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimsinë e procesit zgjedhor të datës 30 qershor”, shkruhet në raport.

Deputetët e komisionit të Ligjeve më pas rendisin arsyet se pse duhet shkarkuar presidenti Meta.

“Duke anuluar datën e zgjedhjeve, presidenti ka kryer shkelje të rëndë të kushtetutës. Ai ka cenuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit. Ka shkelur kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe kuvendit. Është sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar përkundër natyrës së republikës parlamentare. Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverie e dalë nga zgjedhje të lira. Ka nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet. Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, shkruhet në raport.

Në përfundim Komisioni i Ligjeve i propozon Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor për të shkarkuar presidentin në përmbushje të procedurave parlamentare. Raporti do të kalojë për miratim në datën 4 korrik në seancë parlamentare./Realstory.al

Trembëdhjetë kundër Metës. Hallin e madh ia mban vetëm Alimadhi

13 deputetë të Komisionit të Ligjeve votuan të mërkurën pro shkarkimit të Presidentit Meta, ndërsa i vetmi që votoi kundër ishte Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar, i cili ka marrë mandatin së fundi pas braktisjes së kuvendit nga deputetët e opozitës (mandate të cilët Meta po i kontrollon me lupë se si janë dhënë nga KQZ që më vonë t’i cilësojë të paligjshëm).

Gjatë mbledhjes së të mërkurës deputetët e Komisionit të Ligjeve miratuan raportin përfundimtar i cili do t’i propozojë Kuvendit, në zbatim të procedurave parlamentare ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit.

Objekt hetimi i komisionit hetimor do të jetë edhe vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor i cili e cilësoi nul dekretin e Metës, përmes vendimit të dhënë për partinë e Idajet Beqirit të cilin nuk e çregjistroi nga zgjedhjet e 30 qershorit, duke lënë në fuqi pikërisht këtë datë për të zhvilluar zgjedhjet vendore.

Seanca për miratimin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës do të mbahet më 4 korrik. Ngritja e Komisionit hetimor në këtë rast është thjeshtë në zbatim të procedurave parlamentare pasi në raportin e Komisionit të Ligjeve nuk ka vend për mëdyshje, është faktuar se presidenti ka shkelur kompetencat që i njeh Kushtetuta me vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve.

Skip to toolbar