Drama e Italisë, vendi mbetet pa fëmijë!

Nataliteti në Itali ka rënie rekord. Rinia ka humbur besimin tek e ardhmja. Tani po krijohet qeveria e 66 brenda 73 vitesh. Borxhet e shtetit dhe papunësia janë të larta. Gjithnjë e më pak italianë mendojnë për bambini.

Mbesa e vogël Livia një vjeç është gjithçka për Luisa-n. Ajo e quan mbesën e saj të vetme plot dashuri “La Bimba”. Çdo verë familja e saj i kalon javët e nxehta të verës në bregdet pranë Romës. E Nonna Luisa ka mall për harenë e fëmijëve dhe familjen e madhe  –  sikurse ka qenë dikur në Itali, na thotë: “Për ne familja ka qenë gjithçka për të cilën kemi sakrifikuar jetën! Nuk ka kuptim, kur nuk ke nipër e mbesa, kur nuk ka fwmijë, të cilëve të mund t’ia pasojmë trashëgiminë tonë.”

Por sot Italia ka ndryshuar. Kuota e natalitetit prej vitesh është ndër më të ulëtat në Europë. Nonna Luisa e di, që ajo ka fat me Livian e vogël. Vajza e saj Serena ishte 39 kur e lindi atë.

Serena e punësuar në aeroport e ka të thjeshtë shpjegimin: Fajin e ka politika. Asnjë qeveri në njëzet vitet e fundit nuk ka ndjekur një politikë moderne për familjen, me lehtësi jetese për nënat në marrëdhënie pune, thotë ajo: „Nëse në aeroportin e Romës do të kishte pasur një çerdhe fëmijësh, ku mund ta çoja unë vajzën time, atëherë unë do të kisha preferuar që qysh në ditën e parë pas lindjes të rifilloja punën. Por kjo ishte e pamundur.

Fëmijët shihen si barrë, kur mungon siguria financiare…

Nëna Luisa vëren, që fëmijët e saj – si shumë të rinj të tjerë në Itali – nuk kanë vendosmëri për ta marrë vet jetën në dorë. Djali Enrico vërtetë ka një punë në një farmaci, por ai ende nuk e ka krijuar familjen e vet. “Brezi i fëmijëve të mi nuk ka më një perspektivë të mirë. Atyre u mungon një projekt i besueshëm për të ardhmen. Jo vetëm sepse ka gjithnjë e më pak punë dhe shteti ua vështirëson jetën, por të rinjtë italianë kanë humbur qëndrueshmërinë, që na karakterizonte neve dikur!”

Luisa kujton me nostalgji kohët e fëmijërisë së saj: “Më kujtohet ende vështrimi i tezeve të mia, ato na përqafonin ne fëmijëve dhe na jepnin dashuri e ndjenjën, se me ne jeta fillon sërish.”

Këmbimi i roleve

Çfarë nuk shkon në Itali?! Sociologët vëzhgojnë, se brezat e dekadave të fundit i kanë këmbyer rolet.

Raffaella CAso, pranë Institutit Kërkimor Eurispes vëren: “Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në imobilje apo kursimet nga pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopështin e fëmijëve.”

Italianet lindin mesatarisht në moshën 33 vjeç, nëse ato lindin një fëmijë, ato janë më të moshuara krahasuar me europianet e tjera. Shumë gra e burra nuk i shohin më fëmijët si një bekim për jetën e tyre, por si barrë. Enrico, djali i Luisa-s: “Jeta është mjaft e ndërlikuar mes punës, taksave dhe shpenzimeve. Ato pak orë që mbeten të lira në ditë ti do të çlodhesh, të mendosh për veten e të dalësh me miqtë. Një fëmijë të bëhet pengesë për të gjitha këto.”

Enrico-s i pëlqen që është bërë dajë dhe sa herë ka mundësi viziton mbesën e vogël dhe motrën e tij. Familja është e rëndësishme për të, por jo një fëmijë i veti! 42-vjeçari preferon çdo ditë para se të nisë punën në farmaci që ta hajë drekën tek mamaja. Luisa kishte menduar një tjetër të ardhme për fëmijët e saj: „Vërtetë të realizuar nuk e shoh as vajzën e as djalin tim. Serena ndonëse ka studiuar, çfarë merr ajo sot?! Vetëm një punë të paguar keq në një shoqëri ajrore. Shumë vite e kam mbështetur atë financiarisht. Mirë që u martua. Po Enrico?! Hiç gjë?! Edhe për të kisha përfytyruar një të ardhme ndryshe!”

Luisa është e zhgënjyer nga Italia me 66 qeveri në 74 vitet e jetës së saj. Këto qeveri kanë prodhuar shumë kriza dhe pak të ardhme për vendin – pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Livias, mbesës së saj të vogël./DW

Meghan, në gjurmët e mbretëreshës

Dukesha e Sussex, Meghan Markle, do të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë në shtëpi dhe jo në spital. Gazeta britanike DailyMail shkruan sot se Meghan ka vendosur të ndjekë hapat e mbretëreshës Elisabeth e cila fëmijët e saj i ka lindur në kushtet e shtëpisë.

Madje Daily Mail shkruan se Meghan po përgatit ambientin brenda shtëpisë së saj të re në Frogmore Cottage, duke injoruar këshillat për gratë që lindin mbi 35 vjeç që mund të bëjnë lindje të parakohshme ose të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ajo po bën ende joga dhe ndihet shumë mirë. “Kjo është zgjedhja e saj e preferuar”, thotë një burim për Daily Mail.

Ajo që e theu traditën e lindjes në shtëpi ishte Diana dhe pas saj edhe Kate Middleton.

Skip to toolbar