Me thirrjet “Mos ma prek Tomorrin”, “Do ju përgjigjet
vettingu dhe Abaz Aliu”, apo “Tomorri park natyror”, banorët e disa fshatrave në
Berat, kanë protestuar duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Administrative të
Tiranës, që anulon një Vendim të Këshillit të Ministrave, që përcaktonte zgjerimin
e hartës të zonës së mbrojtur të “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorrit. Ky vendim i Gjykatës Administrative në Tiranë,
është pritur me protesta nga banorët e disa fshatrave, që janë pjesë e zonës së
mbrojtur në “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorit. Banorët janë mbështetur dhe
nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili është shprehur se
vendimi i Gjykatës Administrative është ndikuar nga biznesmenët e guroreve në
Malin e Tomorrit, që prej 20 vjetësh janë duke e shkatërruar këtë park.
“Këta biznesmenë e kanë shkatërruar malin,
prej 20-vjetësh ata kanë shkatërruar të gjithë pllajën dhe hyrjen e parkut
natyror të Tomorrit, që në ditët e shenjta të Abaz Aliut vizitohet nga rreth
500 mijë pelegrinë. Të gjithë ata biznesmenë janë në shkelje të ligjit sepse
ata s’kanë zbatuar koordinatata, askush nuk e ka ripyllëzuar zonën e dëmtuar, ata
nuk e kanë zbatuar kontratën me shtetin dhe për këtë i’u është revokuar leja”.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Blendi Klosi është
shprehur se ky vendim i pesë gjyqtarëve të Gjykatës Administrative do të rrëzohet
përsëri. Sipas tij, këta gjyqtarë do të përballen me peticionin e qytetarëve të
të gjithë qarkut të Beratit. “Do ta rrëzojë vendimin që morën 5 gjyqtarët e
Gjykatës Adminiatrative, që votuan 4 pro dhe 1 kundër për rëzimim e VKM-së për
Malin e Tomorrit. 4 gjyqtarët; Amarildo Laçi, Bari Shyti, Arkelino Gazidede dhe
Fjoralba Shehu do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut
të Beratit. Do të vazhdojmë të kërkojmë që të firmoset peticioni jonë dhe do ta
ankimojmë vendimin e Administratives në Gjykatën e Lartë”, është shprehur Klosi.
Më 26 korrik të vitit 2018, Këshilli i
Ministrave mori vendimin për të zgjeruar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të “Parkut
Kombëtar” të Malit të Tomorrit, duke e rritur sipërfaqen nga 1383.0758 (një
mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha,
në një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë
pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.
Ky vendim erdhi pas shkatërrimit që i është bërë Malit të Tomorrit nga biznesmenët e guroreve, të cilët kanë shfrytëzuar për vite të tërë këtë park, duke i shkaktuar dëme të parikuperueshme Malit të Tomorrit. Në këto kushte, zgjerimi i hartës të zonës së mbrojtur, i detyronte në mënyrë të menjëhershme bizneset e guroreve (veç revokimit të lejeve nga qeveria), që të ndalnin punën për nxjerrjen e gurit nga ky mal. Por mesaduket, Gjykata Administrative, nuk e ka parë të arsyeshme mbrojtjen e një pasurie të tillë natyrore, që ka vlera të jashtëzakonshme, turistike, religjioze dhe natyrore.
Ndërkohë, katër gjyqtarët e përmendur më sipër, të cilët janë kanë marrë vendimin për të shfuqizuar VKM-në e zgjerimit të “Parkut Kombëtar” të Tomorrit, nuk e kanë kaluar procesin e Vettingut. Emrat e tre prej tyreve, konkretisht, Amarildo Laçi, Alkelina Gazidene dhe Bari Shyti, janë në listë për t`u paraqitur para KPK-së në shtator.