Helikopteri shpëton alpinisten në Malin e Tomorrit

Pilotët e Forcës Ajrore në bashkëpunim me mjekët e Qendrës së Urgjencës Mjekësore, bën të mundur shpëtimin e jetës të një alpinisteje, e cila u aksidentua të dielën në Malin e Tomorrit. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka njoftoi se operacioni për shpëtimin e alpinistes ishte i vështirë, pasi aksidenti kishte ndodhur në lartësinë 7000 ft (rreth 2100 metër lartësi). Gjithashtu, operacioni është vështirësuar për shkak të kushteve të kqija atmosferike, pasi shikimi për pilotët e helikopterit ka qenë i kufizuar.

Megjithatë, në përfundim operacioni ka rezultuar i suksesshëm, duke bërë të mundur shpëtimin e jetës të alpinistes që mbeti e plagosur gjatë ditës së diel në Malin e Tomorrit. Ngjarja ndodhi gjatë mesditës, kur një grup prej katër alpinistësh po tentonin të ngjiteshin në Malin e Tomorrit.

Mirëpo, një alpiniste, (në fillim u raportua për një mashkull), e cila ishte pjesë e grupit me katër persona, është rrëzuar duke thyer këmbën. Për këtë, shokët e grupit në këtë aventurë njoftuan policinë dhe qendrën e emergjencave, duke kërkuar ndihmën e helikopterit. Në ndihmë shkoi helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë, duke bërë të mundur transportimin e alpinistes së aksidentuar drejt Spitalit të Traumës.

Aksidentohet një alpinist në Malin e Tomorrit. Helikopteri niset drejt vendit të ngjarjes

Një alpinist dyshohet se është plagosur të dielën, gjatë tentativës për të ngjitur Malin e Tomorrit. Sipas Balkanweb, alpinisti, pjesëtar i një grupi prej katër personash, është rrëzuar në një greminë duke tentuar të ngjitet në Malin e Tomorrit. Ngjarja dyshohet se ndodhi në vendin e quajtur “Çesma e Tarikos”, në anën Jugperëndimore të këtij masivi malor.

Alpinist, që dyshohet se ka thyer këmbën, është ndihmuar për tu nxjerrë nga vendi ku kishte rënë nga bashkëudhëtarët e tij në aventurën malore. Sipas burimeve nga Policia e Skraparit, cituar nga Balknweb, alpinistët ishin nisur mëngjesin e të dielës nga vendi quajtur “Qafë Dardhë”, në pjesën veriore të Malit të Tomorrit duke tentua të ngjiteshin në majën e tij.

Ende nuk dihet identiteti i alpinistit të plagosur, ndërsa raportohet se grupi ka është i përbërë nga alpinistë shqiptarë. Alpinistët kanë njoftuar emergjencat civile për aksidentin, ndërsa nga Tirana është nisur drejt zonës një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë për ta transportuar drejt Spitalit të Traumës. Ndërhyrja me makina për të ndihmuar alpinistine  aksidentuar është e pamundur për shkak se nuk ka rrugë.

Kamioni bie në kanal, shoferi i plagosur fsheh ngjarjen: Rashë nga muri

Një kamion, që transportonte pllaka guri nga Mali i Tomorrit u përmbys në kanal, ndërsa është plagosur rëndë drejtuesi i tij. Aksidenti u fsheh nga vetë shoferi që mbeti i plagosur por dhe firma private që nxirrte gurrat dekorativ nga Mali i Tomorrit, pasi e bënin këtë proces në ilegalitet. Prej disa muajsh këto firma private janë ndaluar nga policia për të kryer gërmime të gurëve dekorativ në Malin e Tomorrit, pas betejës së banorëve dhe Ministrisë së Mjedisit për ta shpallur atë Park kombëtar.

Kamioni që transportonte pllaka guri është përmbysur dhe ka përfunduar në një kanal në fshatin Bogovë në orët e para të mëngjesit.  Për shkak të rrugës së shkatërruar, kamioni ka rrëshqitur nga një lartësi rreth 5 metër dhe ka përfunduar në kanalin në anë të rrugës. Nga aksidenti mbeti i plagosur 35-vjeçari Fatjon Rama, i cili për shkak të plagëve të shumta në trup është dërguar në spitalin e traumës në Tiranë.

Aksidenti është mbajtur i fshehtë nga shoferi por dhe vetë pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ, të cilët kanë lëvizur kamionin duke prishur dhe vendin e aksidentit. Ndërsa 35-vjeçari i plagosur tha se u rrëzua nga muri i shtëpisë.

Bllokimi prej muajsh i Malit të Tomorrit nga forca të shumta policie nuk lejojnë vijimin e punës së firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ edhe pse këta të fundit kanë fituar të drejtën për fillimin e punës me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit. Në këto kushte firmat punojnë natën me ngarkimin e kamionëve me pllaka guri.

Klosi: Guroret, në filtër, gangrena në Tomorr do marri fund

“Qeveria është e vendosur për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa asnjë kriter të pasurisë natyrore të Malit “të shenjtë” të Tomorrit.” Ky ka qenë mesazhi që ministri i Turizmit Blendi Klosi ka dhënë nga mbledhja e Këshilli Kombëtar të Territorit. Mali i Tomorrit ka qenë në fokus të KKT, ku kërkohet shpallja e tij pasuri natyrore e Park Kombëtar, për të ndaluar abuzuesit që po dëmtojnë zonën. Klosi tha se qeveria do të kalojë në skaner të gjitha guroret që kryejnë aktivitet në këtë zonë dhe e kanë kthyer atë në një gangrenë. Beteja vijon për mbrojtjen e Malit të Tomorrit dhe se 10 guroret do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre është shprehur Klosi.

“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Vendimi i Berishës në 2012 kur shpalli zonë të mbrojtur malin e Tomorrit përjashtoi këtë zonë, e cila u krijua si gangrenë, ku na kërkohet të rikuperojmë një gabim që nëse 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga politika e asaj kohe do të kishim një zonë të mbrojtur, pasi ky është mal me vlera ekonomike, mbrojtje të kaq shumë speciesh dhe që kjo zonë të mos ishte e degraduar nga ata që po e shfrytëzojnë për marrjen e gurëve edhe në zonën e mbrojtur. Vendimi i 2018 u rrëzua me një vendim absurd nga gjykata që kërkoi që procedura të vinte edhe në KKT. Mali i Tomorrit duhet mbrojtur. Kjo katrahurë nuk duhet të vijojë. Mbrojtje do të ketë edhe për basenin ujor të Bogovës, që rrezikon cilësinë e ujit për Beratin dhe Skraparin. Shumë shpejt do të kalojnë në skaner guroret për aktivitetin e tyre, do të kërkojmë të kthejmë në vend padrejtësinë historike që i është bërë këtij komuniteti dhe mali” tha Klosi.

Qeveria vendosi në 2018 që ta kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit, i cili prej disa dekadash po gërmohej dhe shkatërrohej nga kompanitë gurore. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë dhe vendosi rikthimin e kompanive gurore në punë. Kjo ka sjellë protesta të banorëve dhe përplasje me policinë, ndërsa ministria e Turizmit ka nisur një peticion për të mbledhur firmat ku kërkohet shpallja Park Kombëtar i gjithë Malit të Tomorrit.

Rama sulmon gjykatësit e korruptuar për guroret te mali i Tomorrit

Kryeministri Rama ka përkujtuar të enjten nisjen e pelegrinazhit drejt Malit të Tomorrit ndërsa ka sulmuar gjykatësit që rrëzuan vendimin e qeverisë për të mbyllur guroret në këtë mal, duke i cilësuar këta gjykatës të korruptuar. Sipas Ramës vendimi i gjykatësve u mor për interesa të pista, por ai premton se beteja për Tomorrin do të vijojë.

“Mirëmëngjes dhe këtë Ditë të Pelegrinëve, me këto pamje magjike nga Mali i Tomorrit, që është kthyer në sheshbetejën mes interesit kombëtar të mbrojtjes së tij nga shfrytëzimi i guroreve dhe gjykatësve të korruptuar, të cilët u japin të drejtë shfrytëzuesve për interesa të pista, i bindur që Mali i Mrekullueshëm do t’i zmbrapsë barbarët e pangopur, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

Pak ditë më parë Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave që përcaktonte zgjerimin e hartës të zonës së mbrojtur të “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorrit dhe që mbyllte punimet e guroreve në këtë zonë.  Ky vendim i Gjykatës Administrative në Tiranë, është pritur me protesta nga banorët e disa fshatrave, që janë pjesë e zonës së mbrojtur në “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorit. Banorët janë mbështetur dhe nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili është shprehur se vendimi i Gjykatës Administrative është ndikuar nga biznesmenët e guroreve në Malin e Tomorrit, që prej 20 vjetësh janë duke e shkatërruar këtë park. Por pritet që ky vendim i marrë nga gjykatës që ende nuk e kanë kaluar vettingun, të apelohet.

MIRËMËNGJES 😃dhe këtë Ditë të Pelegrinëve, me këto pamje magjike nga Mali i Tomorrit, që është kthyer në sheshbetejën mes interesit kombëtar të mbrojtjes së tij nga shfrytëzimi i guroreve dhe gjykatësve të korruptuar, të cilët u japin të drejtë shfrytëzuesve për interesa të pista, i bindur që Mali i Mrekullueshëm do t’i zmbrapsë barbarët e pangopur, ju uroj një ditë të mbarë🙏

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 21. August 2019

Klosi: Zonat e Mbrojtura, të gjitha në skaner. Mali i Tomorrit, Park Kombëtar

Mbrojtja e Malit të Tomorrit dhe shpallja e tij Park Kombëtar do të bëhet shumë shpejt dhe nuk do të lejohen më vendime abuzuese dhe të dhëna për interesa klienteliste për të shkatërruar këtë zonë. Ky ka qenë premtimi që Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë gjatë dëgjesës publike që ai bëri me ekspertë mjedisorë dhe profesorë për shpalljen e Malit të Tomorrit zonë e mbrojtur. Ministri Klosi tha se është nisur puna për skanimin e të gjitha Zonave të Mbrojtura nga veriu në jug, për të kuptuar rëndësinë e vlerave të vërteta mjedisore dhe turistike të zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, për të krijuar hartën e parë të zonave më vlera të rralla nga pikëpamja mjedisore, të zonave që duhen shtuar, si dhe të atyre që përjashtuar nga kjo listë.

 “Ne do të ndërmarrim një diskutim të hapur publik me ekspertët e fushës dhe këtë edhe në kuadër të paktit me universitetin, ku ne u jemi drejtuar gjithmonë fakulteteve me të cilët kemi lidhje të drejtpërdrejtë si fakultetin e shkencave të natyrës, si universitetin bujqësor dhe po ashtu fakultetin e mjedisit pranë UT-së. E nisim këtë bisedë të madhe publike për të mbuluar një sezon të tërë të cilin duam t’ia dedikojmë zonave të mbrojtura, për t’i transformuar ato në vlera të historisë së zhvillimit natyror të vendit, por natyrisht edhe në resurse të vërteta të zhvillimit turistik në vend. Dhe nuk ka një zonë më shumë sesa Mali i Tomorrit dhe i gjithë parku që mban mbi vete të gjithë historinë e lashtësisë së Shqipërisë por edhe historinë moderne, historinë e lashtësisë me vlerën që ka mali i Tomorrit me gjithë vlerat që ka si objekt kulti apo i vlerave të trashëgimisë sonë religjioze, por po ashtu me vlerat natyrore që ka ajo zonë dhe çfarë duhet të bëjmë ne që këtë diskutim ta bëjmë sa më të hapur dhe sa më publik”, tha ministri Klosi.

Më 2 gusht Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e Malit të Tomorrit, Zonë të Mbrojtur dhe Park Kombëtar. Ky vendim solli protestat të banorëve të zonës, madje edhe përplasje të tyre me policinë dhe biznesmenët që shfrytëzojnë malin për gurore. Ministria e Turizmin dhe Mjedisit dënoi ashpër këtë vendim të gjykatës duke e cilësuar abuziv dhe në shërbim klientelist, duke zhvilluar një peticion dhe dëgjesa publike për të mbrojtur malin e Tomorrit dhe dhënien e statusit Park Kombëtar.

Ministri Klosi tha se mbledhja e firmave për peticionin për mbrojtjen e malit të Tomorrit vijon dhe se shumë shpejt do të merret një vendim në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit për të futur Tomorrin në hartën e Parkun Kombëtar. Klosi shtoi se kjo çështje do të ndiqet deri në fund në rrugë ligjore duke apeluar vendimin e gjykatës në organet e drejtësisë.

Ne do të bëjmë një dëgjesë edhe me komunitetin në malin e Tomorrit, do të vazhdojmë mbledhjen e firmave nga të rinjtë e Beratit. Do të marrim një vendim të shpejtë besoj në KKRRT për të miratuar zgjerimin e hartës së parkut kombëtar të Tomorrit, do të miratojmë me vendim qeverie rishpalljen Park Kombëtar zonën e Tomorrit pasi hilet e gjykatave për ta çuar në gjykatë, për të zgjatur me vite e vite në sistemin gjyqësor do ta shkatërronte përfundimisht atë zonë të parikuperueshme. Ne do të vazhdojmë ankimimin gjyqësor për procesin e fundit të gjykatës pasi ai mal nuk do të dëmtohet, ai mal do të mbrohet”, tha ministri Klosi.

Mali i Tomorrit, mbidhen firmat pro shpalljes Park Kombëtar

Vendimit të gjykatës Administrative, që refuzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e malit të Tomorrit zonë të mbrojtur, banorët e Beratit i janë përgjigjur me një peticion për të mbledhur firmat për rrëzimin e këtij vendimi dhe shpalljen e tij Park Kombëtar.

Pjesë e peticionit nuk janë bërë vetëm banorët, por edhe vizitorë madje edhe turistë që vlerësojnë bukurinë e Malit të Tomorrit duke hedhur firmën e tyre për mbrojtjen e saj.

Nga dita e shtunë dhe aktualisht janë mbledhur qindra firma pro mbrojtjes së vlerave natyrore të malit të Tomorrit, miratuar me vendim qeverie si Park Kombëtar. Të angazhuar në mbrojtjen e pasurive natyrore, krahas promovimit të atraksioneve turistike janë edhe të rinjtë e Smile Albania, në qarkun e Beratit, në guidën e të cilëve, mali i Tomorrit është nga më të frekuentuarit dhe me interes gjithnjë e në rritje për tu vizituar nga turistët!

Disa ditë më parë Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të rrëzojë vendimin e qeverisë për të mbyllur guroret në Malin e Tomorrit dhe për ta cilësuar atë Park Kombëtar. Ky vendim u kundërshtuar nga banorët e zonës, të cilët janë ngritur menjëherë në protesta kundër vendimit të gjykatës.

Vendimi i gjykatës u komentua nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili është shprehur se Gjykata Administrative është ndikuar nga biznesmenët e guroreve në Malin e Tomorrit, që prej 20 vjetësh janë duke e shkatërruar këtë park. Klosi është shprehur se ky vendim do të rrëzohet dhe këta gjyqtarë do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut të Beratit, peticion i nisur prej ditës së shtunë.

Mafia e guroreve në Berat rrëzon qeverinë, Tomorri jo “Park Kombëtar”

Me thirrjet “Mos ma prek Tomorrin”, “Do ju përgjigjet vettingu dhe Abaz Aliu”, apo “Tomorri park natyror”, banorët e disa fshatrave në Berat, kanë protestuar duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, që anulon një Vendim të Këshillit të Ministrave, që përcaktonte zgjerimin e hartës të zonës së mbrojtur të “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorrit.  Ky vendim i Gjykatës Administrative në Tiranë, është pritur me protesta nga banorët e disa fshatrave, që janë pjesë e zonës së mbrojtur në “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorit. Banorët janë mbështetur dhe nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili është shprehur se vendimi i Gjykatës Administrative është ndikuar nga biznesmenët e guroreve në Malin e Tomorrit, që prej 20 vjetësh janë duke e shkatërruar këtë park.

“Këta biznesmenë e kanë shkatërruar malin, prej 20-vjetësh ata kanë shkatërruar të gjithë pllajën dhe hyrjen e parkut natyror të Tomorrit, që në ditët e shenjta të Abaz Aliut vizitohet nga rreth 500 mijë pelegrinë. Të gjithë ata biznesmenë janë në shkelje të ligjit sepse ata s’kanë zbatuar koordinatata, askush nuk e ka ripyllëzuar zonën e dëmtuar, ata nuk e kanë zbatuar kontratën me shtetin dhe për këtë i’u është revokuar leja”.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Blendi Klosi është shprehur se ky vendim i pesë gjyqtarëve të Gjykatës Administrative do të rrëzohet përsëri. Sipas tij, këta gjyqtarë do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut të Beratit. “Do ta rrëzojë vendimin që morën 5 gjyqtarët e Gjykatës Adminiatrative, që votuan 4 pro dhe 1 kundër për rëzimim e VKM-së për Malin e Tomorrit. 4 gjyqtarët; Amarildo Laçi, Bari Shyti, Arkelino Gazidede dhe Fjoralba Shehu do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut të Beratit. Do të vazhdojmë të kërkojmë që të firmoset peticioni jonë dhe do ta ankimojmë vendimin e Administratives në Gjykatën e Lartë”, është shprehur Klosi.

Më 26 korrik të vitit 2018, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të zgjeruar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të “Parkut Kombëtar” të Malit të Tomorrit, duke e rritur sipërfaqen nga 1383.0758 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha, në një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.

Ky vendim erdhi pas shkatërrimit që i është bërë Malit të Tomorrit nga biznesmenët e guroreve, të cilët kanë shfrytëzuar për vite të tërë këtë park, duke i shkaktuar dëme të parikuperueshme Malit të Tomorrit. Në këto kushte, zgjerimi i hartës të zonës së mbrojtur, i detyronte në mënyrë të menjëhershme bizneset e guroreve (veç revokimit të lejeve nga qeveria), që të ndalnin punën për nxjerrjen e gurit nga ky mal. Por mesaduket, Gjykata Administrative, nuk e ka parë të arsyeshme mbrojtjen e një pasurie të tillë natyrore, që ka vlera të jashtëzakonshme, turistike, religjioze dhe natyrore.

Ndërkohë, katër gjyqtarët e përmendur më sipër, të cilët janë kanë marrë vendimin për të shfuqizuar VKM-në e zgjerimit të “Parkut Kombëtar” të Tomorrit, nuk e kanë kaluar procesin e Vettingut. Emrat e tre prej tyreve, konkretisht, Amarildo Laçi, Alkelina Gazidene dhe Bari Shyti, janë në listë për t`u paraqitur para KPK-së në shtator.

Skip to toolbar