Djegia e mandateve, Berisha merr autorësinë dhe sulmon ndërkombëtarët

Ish kryetari i PD-së, Sali Berisha ka pranuar se ideja për të djegur mandatet e deputetëve të opozitës ka qenë e tij. Ky akt i opozitës është kundërshtuar dhe është dënuar nga shumë figura me kontribute në PD, duke nisur që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edvin Kulluri etj, që të gjithë kanë sulmuar hapur Bashën për këtë nismë që nxorri PD-në jashtë parlamentit. Madje vetëm një ditë më herët Topalli ndërsa dënonte vendimin e djegies së mandateve kërkonte largimin nga politika të “4 shahistëve” për të cilën realstory.al ngriti pyetjen: mos është Berisha një prej tyre? Por ka qenë vetë ish kreu i PD-së që merr autorësinë e këtij akti, ndërsa ka sulmuar hapur edhe ndërkombëtarët.

I pyetur nëse ka qenë ai i pari që ka propozuar djegien e mandateve, Berisha është shprehur:

“E kam bërë kur u bë zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm sepse pashë që u shkel çdo parim. Pashë që u shkel edhe nga ndërkombëtarët. Nuk mund të pranoj kurrë ndërhyrjen e tyre me pasoja shumë të rënda. Çdo gjë e mirë që arrihet në këtë vend. Basha pa diskutim ka mbështetjen, ndihmën fisnike e bujare të ndërkombëtareve. Suksesi dhe ndëshkimi në Shqipëri lidhet me drejtuesit shqiptarë. Por a kanë ndikuar ndërkombëtarët? Në mënyrë të padiskutueshme. Si në të gjithë Ballkanin. Nga masakra e Sarajevës deri te zgjedhja e Arta Markut, ka qenë dorë ose gabimi i ndërkombëtarëve”, deklaroi Berisha në një intervistë në Syri.net.

Bie në sy se sulmi i Berishës ndaj ndërkombëtarëve është njëlloj si ai i Metës ndaj tyre. Edhe presidenti në shumë deklarata ka sulmuar “gjetjen” e ndërkombëtarëve për zgjedhjen e prokurores së përgjithshme të përkohëshme dhe disa propozime të tjera për anëtarët e Gjykatës së Lartë që anashkalojnë rolin e presidentit, duke i cilësuar ato si kapje pushteti.

Berisha gjithashtu ka sulmuar edhe procesin e vettingut që është vlerësuar gjërësisht nga ndërkombëtarët, por ai thotë se edhe ky proces është i kapur nga Rama. Sipas ish-kryeministrit njerëzit e emëruar në krye të vettingut janë militantë të Ramës.

“Vetingun e udhëheq një mafioz si Don Agaçi. Këdo që nuk do Edi Rama ai ka detyrë ta rrëzojë. Dy anëtarët e vettingut bënë ligje përcaktuan rroga për veten e tyre. Sot bundestagu thotë që kërkohen dy gjykatat që të hapen negociatat. Nuk ka qenë kurrë Fehmi Abdiu më militant se Dritan Hallunaj, nuk ka qenë kurrë Thimio Kondi, ministër i tyre, më militant si Ardian Dvorani. Një nga faktorët kryesorë që nuk hapen negociatat janë dy gjykatat”, tha Berisha.

Ish kryeministri sulmoi hapur edhe kreun e OSBE Borchard dhe përpjekjen e tij për të ulur palët në një tryezë dialogu për reformën zgjedhore. Sipas tij, ftesa që ambasadori i OSBE i bëri opozitës nuk duhet të mbante firmën e bashkëkryetarit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri, duke e akuzuar se Borchardt është rreshtuar në krah të socialistëve. “Nëse ambasadori i OSBE-së ftoi opozitën, ftesë mbi ftesë bëri Rama, ajo ishte me bisht. Ftesa e Ramës ishte një bisht. Opozita i është përgjigjur në radhë të parë raportit të OSBE-ODIHR me ftesë të OSBE-së, por edhe partnerë të tjerë kanë inkurajuar opozitën që të angazhohen në këtë proces. Brochard ka qenë ambasador i Gjermanisë këtu kur unë isha kryeministër dhe këtë periudhë një sërë projektesh gjermane janë zbatuar. Të hysh në bindjet e tij të majtë apo qendrës së djathtë. Bëri shumë mirë që ftoi, por në ftesën e tij vuri edhe emra të shqiptarëve, duke thyer protokoll. Imagjino firma e ambasadorit me firmën e kriminelit elektoral. Kaq të forta i ka sentimentet për socialistët saqë bëri diçka që nuk e ka bërë kurrë. Në vlerësimin tim ky është një akt i padenjë”, u shpreh Berisha.

Ndryshe nga Basha që po përpiqet të futet në rrugën e dialogut dhe institucioneve ish kryeministri vijon të bëjë thirrje për mosbindje civile dhe protesta të fuqishme.

 “Unë mendoj se shqiptarët janë të ngritur dhe unë pres ndryshime të fuqishme. Pakënaqësia ndaj Edi Ramës është në rritje dhe shumë e madhe. Ajo pakënaqësi do shpërthejë. Opozita do jetë në krye të saj, këtu nuk mund të marrim periudha të përkohshme. Edi Rama do largohet në mënyrën më të sigurt me faqen e zezë për ato që i ka bërë Shqipërisë. Zoti Rama do largohet me bisht në shalë. Vala tjetër e protestave gjigante do ta detyrojë Ramën të kërkoj azil politik. Nëse hapen manualet e mosbindjes civile janë të përshkruara me dhjetëra metoda nga të cilat nuk ka diktator e klan mafioz që iu reziston, ato janë shkatërrimtare. Këto do ndodhin shumë shpejt. Shqiptarët mezi presin. Rama do largohet para zgjedhjeve me azil politik”, u shpreh Berisha./realstory.al

“Do luftojmë për 61 mandate në zgjedhjet lokale”

Garën e kemi me veten, – thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, por thekson se edhe nëse opozita vendos të marrë pjesë në zgjedhje, PS duhet të luftojë që të fitojë 61 mandate në Këshillin Bashkiak. Veliaj ka folur sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku ka premtuar se mandatin e ardhshëm do të punojnë më shumë për kryeqytetin.

“Nëse opozita vazhdon  të refuzojë të marrin pjesë apo të sjellë një alternativë për Tiranën përveçse të bllokojë projektet, ky është vendimi I tyre. Unë e kam thënë gjithmonë. Ne garën e kemi me veten tonë.  Çdo vit duhet të jemi më mirë se viti që ishim dhe në mandatin tjetër do të duhet të jemi më mirë se sa mandatin që lamë pas. Në mandatin e ardhshëm jam I bindur do të bëjmë punë akoma më të mira dhe do të mirëpresim në këtë këshill bashkiak edhe pothuajse po aq anëtarë të rinj që besojmë do t’i bëjnë nder këtij qyteti dhe punës që është nisur këtu. Siç e thashë ne do të luftojmë për çdo mandat për të 61 mandatet. Nuk ka rëndësi futen ata ose futen parti të tjera të vogla, për ne marrja seriozisht e fushatës është fillimisht respekt ndaj votuesve”, deklaroi Veliaj.

Ai premtoi se më e mira do të vijojë në katër vitet e ardhshme. “Ne të kemi edhe një listë rezervë ku duam të promovojmë dhe shumë nga të rinjtë dhe të rejat tanë për t’u siguruar që Tirana e ka një këshill bashkiak aktiv me një shumicë që na mundëson të marrim vendime të rëndësishme, të ecim shpejt dhe nëqoftëse mendoni se ecim më shpejt dhe transformuam Tiranën këto katër vite, ju garantoj më e mira është përpara”, shtoi Veliaj.

LIVE – fjala sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Publiée par Erion Veliaj sur Vendredi 3 mai 2019

“Djegia e mandateve një marrëzi. Të mos kthejmë ‘97-ën”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quan marrëzi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ndërsa ngarkon me përgjegjësi dhe maxhorancën për situatën politike në vend. Në një intervistë mbrëmë në emisionin “Përballë”, Meta tha se zgjidhja nuk vjen as nga bojkoti dhe as nga djegia e mandateve, por nga dialogu mes palëve. Ai gjithashtu theksoi bindjen se ende ka vend për kompromis për të mos lejuar që vendi të kthehet mbrapsht në ’97-ën.

 “Duhet të keni parasysh që qëndrimi im, jo kundër djegies së mandateve që gjithmonë më është dukur një marrëzi, mund ta them pa frikë këtë gjë, por edhe ndaj bojkotit ka qenë gjithmonë që bojkoti është për të dhënë një mesazh, mund të ikësh në një seancë ku shkelet një e drejtë apo do të japësh një qëndrim që do të tërheqësh vëmendjen e opinionit, por nuk është një zgjidhje, pasi duke mos pasur iluzione dhe duke mos kërkuar standardet e demokracisë daneze, pasi kjo është dhe çështje kulture e tradite, besoj se edhe pse Parlamenti ynë apo institucionet tona kanë mangësitë e tyre, rruga më e mirë është të punosh brenda institucioneve për t’i përmirësuar ato. Ashtu sikurse mund të punosh edhe jashtë tyre përmes protestave duke ushtuar presion apo ndikim në mënyrë që ato të jenë në lartësinë e duhur që kërkon Kushtetuta, ligji, interesi kombëtar dhe publik.

Pra, nuk kam qenë dakord me këtë qasje, ashtu sikur se kam qenë gjithmonë i bindur që mazhoranca duhet të bënte përpjekje shumë më të mëdha për dialogun me opozitën, për tu bashkërenduar me të për shumë çështje të rëndësishme, sidomos ato të integrimit europian, sepse duhet paraqitur duhet demonstruar si një interes kombëtar, po këtë gjë nuk e kemi vënë re. Mua më vjen keq për këtë situatë sepse ka qenë tërësisht e evitueshme. Por dëshira për të treguar forcë secila palë më tjetrën na ka sjellë në këtë përshkallëzim të krizës.

Shpresoj të jemi ende në kohë që të mos shkojmë drejt një konfrontimi që do të ishte tërësisht i pafalshëm për të gjithë. Siç e kam theksuar dhe më parë të gjithë duhet të kemi nxjerr mësime nga ‘96-’97 dhe nuk do të rrezikojmë arritjet e vendit që nga ajo kohë e deri më tani, përfshirë edhe liberalizmin e vizave dhe shumë arritjeve të tjera. Në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në normalitet kushtetues, institucional, demokratik, sepse ky është vendi i të gjithë neve dhe nuk mund të ecim me logjikën e përjashtimit”, u shpreh presidenti.

Protesta ndryshe e opozitës: 1 mandat, 300 mijë euro

Ndërsa ka nisur seanca parlamentare, opozita ka nisur protestën jashtë dyerve të parlamentit. Por sot është shfaqur ndryshe nga herët e kaluara. Janë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të cilët kanë gjetur një mënyrë origjinale për të protestuar duke vendosur një stendë para parlamentit ku “shesin” mandate deputetësh.

 “Një mandat 300 mijë euro, hajde mandate. Tre mandate 1 mln euro! Hajde mandate se u mbush, hajde mandate se u mbush parlamenti”, thërrisnin të rinjtë e FRPD.

Me këtë mënyrë ata kanë ironizuar futjen në kuvend të deputetëve të rinj nga listat e opozitës, duke nënkuptuar se ata i janë shituar qeverisë.

Pavarësisht se opozita ka braktisur kuvendin duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve, deri tani një numër i konsiderueshëm deputetësh janë futur në kuvend duke e çuar në 102 numrin e deputetëve në sallën e kuvendit.

“Basha nuk qeveris dot shtëpinë e tij”

Një lum kritikash ndaj Bashës ka bërë mbrëmë në emisionin “Open”, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila nuk hoqi dorë nga mandati ashtu siç bënë deputetët e opozitës.

Hajdari e akuzoi Bashën për autoritarizëm, për marrjen e vendimeve pa u konsultuar, ndërsa kërkoi largimin e tij për shkak se “nuk mund të qeverisë dot as shtëpinë e tij”.

“Vendimi për djegien e mandateve është marrë në mënyrë autoritare pa u konsultuar me bazën e partisë. Unë do të kërkoj së shpejti transparencë për partitë politike që nga financimi deri tek zgjedhja e kandidatëve. Lulzim Basha duhet të ikë pasi nëse nuk qeveris dot shtëpinë tënde nuk mund të qeverisësh vendin”, është shprehur Hajdari në emisionin Open.

Ajo gjithashtu bëri të ditur e konsultohet me zyrtarë amerikanë. “Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha Hajdari.

Një tjetër dilemë e ngritur nga publiku, është a po përgatitet Rudina Hajdari të formojë një parti të re? “Nuk besoj se është momenti për këtë gjë. Unë besoj se është koha e duhur për të bërë disa reforma të rëndësishme, si ajo e Kodit Zgjedhor, që do të sjellë shumë ndryshime, e ndoshta edhe ndryshim të sistemit politik. Ajo që dua unë të shoh është të kemi një tryezë që përfshin të gjithë faktorët politik, që të flasë për një reformë të thellë qoftë për partitë politike, ashtu dhe për Kodin Zgjedhor”, tha më tej Hajdari.

Skip to toolbar