Te henen Meta para “gjyqit”? Xhaçka: s’ngrejmë komision, e shkarkojmë për 10 ditë!

1 javë, maksimumi 10 ditë. Kaq i duhen maxhorancës për të shkarkuar presidentin Meta dhe nuk do të ngrejë asnjë komision hetimor. Deklarata është bërë nga ministrja Olta Xhaçka. Ajo ka bërë të ditur se kërkesa për shkarkimin e Metës do të diskutohet në komisionin e ligjeve i cili harton raportin dhe më pas ai votohet në seancë. Por socialistët do t’i japin mundësi presidentit të argumentojë dhe njëherë arsyet për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Komisionin e Ligjeve.

“Sot për sot, kërkesa e deputetëve firmëtarë i ka shkuar Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e deputetëve paligjshmëritë, antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit.

Më pas Komisioni e kthen ose i bën kërkesë Parlamentit të votojë shkarkimin e presidentit. E gjitha mund të ndodhë në një javë ose 10 ditë. Nuk ka pse të ketë Komision Hetimor. Mund ta bëjë dhe Komisioni i Ligjeve. Ndoshta do të thërrasë dhe vetë Presidentin, kam përshtypjen të hënën. Më pas Komisioni del me një vendim që ja dërgon Kuvendit. Procedura është më e shpejtë nga sa e parashikuat ju”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka në A2 Cnn.

Mesa duket gjërat janë mjaft të qarta. Presidenti sipas PS ka shkelur kushtetutën dhe nuk ka nevojë për një komision hetimor. Raporti hartohet nga komisioni i ligjeve dhe më pas kërkesa për shkarkim miratohet në seancë. PS vërtetoi herën e fundit me miratimin e rezolutës se kishte jo 93 vota (aq i duhen për shkarkimin e presidentit), por 100 të tilla. Kështu për 10 ditë, me votë parlamenti Meta nuk do të jetë më president. Fjalën e fundit gjithsesi e jep Gjykata Kushtetuese, ndaj formalisht Meta do të vazhdojë do të qëndrojë në presidencë deri në një vendim të prerë të gjykatës.

Aleatët kërkojnë tryezë dialogu, por PD ende e paqartë

Ndërsa aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë një tryezë dialogu opozitë maxhorancë, selia blu ende duket e paqartë në qëndrimin e saj.

Një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mënyrë indirekte pranoi se është i hapur për dialog, duke thënë se qëndrimet e PD-së janë në koherencë me qëndrimet e partive aleate, ndryshe është shprehur  numri dy i kësaj partie, Gazmend Bardhi.

Ai e ka thënë në mënyrë të prerë se nuk do të ketë asnjë tryezë bisedimi me Ramën kryeministër.

 “Ajo që unë mund të pohoj me 100% siguri është që as kryetari i PD, Lulzim Basha, as ndonjë drejtues tjetër i PD, nuk ka asnjë kanal konunikimi me Edi Ramën.

Nuk ka për të patur asnjë kanal komunikimi me Edi Ramën, asnjë marrëveshje me Edi Ramën, sa kohë ky është kryeministër, sepse situata ku ndodhet sot vendi është për shkak të këtij njeriu.

Nuk mund të negociohet me shkaktarin e situatës. Do të duhet të largohet shkaktari i situatës Edi Rama dhe, më pas, vendi do të shkojë drejt zgjidhjes, që i japin fund krizës politike apo institucionale, por negociata me Edi Ramën sa kohë ky është kryeministër i Shqipërisë, nuk ka për të patur”, ka thënë Bardhi në emisionin e Ilir Babaramos në Report TV.

Skip to toolbar