Shpenzimet e Maznikut në Barcelonë, Veliaj: Prokuroria le ta sqarojë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, edhe për çështjen e faturave të hotelit të qëndrimit të Arbjan Maznikut në Barcelonë, të cilit i është paguar fjetja nga një biznesmen. Veliaj u shpreh se kjo ka qenë një vizitë pune, dhe jo qejfi. Megjithatë, ai shtoi, se dokumentet janë dorëzuar në Prokurori.

“E kemi referuar gjithë dokumentacionin në Prokurori. Bëhej fjalë për një prenotim, jo pagesë. I kemi kërkuar Prokurorisë të shohë dokumentacionin ka qenë për grup njerëzish apo për person. Sa kohë është dhënë një çmim në paketë për tre aktorë, duhet sqarim. Mazniku do shkojë i pari, pasi të thirret nga Prokuroria, të sqarojë”.

“Kanë shkuar për punë, bashkia, implementuesi, komisioneri, e kanë fituar të tre këtë ofertë. Nëse do kishte qenë për qejf, do kishte sqarim tjetër. Nuk pranoj kështu gjërash, por ka qenë prenotim pune në grup. Nëse dikujt do t’i hapësh probleme, mund t’ia bësh, nëse i di destinacionin. Të gjitha këto le t’i sqarojë Prokuroria”, ka thënë Veliaj. /Realstory.al/

Denoncimi i PD për Maznikun, Prokuroria e Përgjithshme kërkon vlerësim të dokumenteve

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion dhe vlerësim të dokumenteve të nxjerra nga Partia Demokratike në lidhje me akuzat për korrupsion dhe konflikte interesi, ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku. Këtë kërkesë, Prokuroria e Përgjithshme ia ka dërguar prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës, që të informohet në lidhje me këto materiale që qarkullojnë edhe në media.

“Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media, ju dërgojmë për vlerësim ligjor, të dhëna të printuara nga mediat online, ku përfshihen dyshime në lidhje me përfitimin në mënyrë të parregullt të dhuratave prej funksionarit të administratës publike Arbi Mazniku. Pa cenuar sekretin hetimor kërkojmë informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit” thuhet në letrën e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme.

Kjo kërkesë erdhi pasi PD-ja denoncoi dhe kërkoi shkarkimin e nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku për korrupsion dhe konflikte interesi në lidhje me përfitimet që merrte për shkak të postit të tij. PD tha se biznesmeni Shkëlqim Fusha, që sipas selisë blu është përfituesi më i madh i parave publike nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, i ka paguar dhomat luksoze të hotelit në Barcelonë, Maznikut.

Skip to toolbar