Bottas triumfon në Baku, kryeson kampionatin e Formula 1!

Nuk ka rezervuar surpriza gara e ditës së sotme në Formula 1 për Çmimin e madh të Azerbajxhanit, pasi në podium janë ngjitur tre makinat që u renditën të parat në provat zyrtare një ditë më parë.

Piloti finlandez i Mercedes, Valtteri Bottas, ka triumfuar në Baku, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton. Podiumi u plotësua me pilotin e Ferrarit, Sebastian Vettel.

Për Bottas ky ishte suksesi i dytë personal në Formula 1 për këtë sezon, ndërsa Mercedes regjistroi triumfin e katërt të dyfishtë, duke dominuar tërësisht deri më tani Botërorin e F1.

Piloti tjetër i Ferrarit, Carles Leclerc, ishte ai që i dhuroi emocionet garës së sotme. Talenti i “kokëkuqes” e nisi garën nga vendi i tetë, por shumë shpejt ai mori kreun, pasi në start përdori gomat e mesme, ndryshe nga tre makinat e para që e nisën me gomat e buta.

Megjithatë, Leclerc dorëzohet në xhiron e 35′, pasi gomat konsumohen dhe ai futet ne bokse për ndërrimin e tyre. Kryesimin e garës e merr Bottas që i shkon deri në fund në këtë pozicion.

Pas këtij triumfi në pistën e Baku, piloti finlandez Valtteri Bottas ngjitet në krye të renditjes provizore në Formula 1, me 87 pikë, një më shumë se Hamilton (86). Ndërsa Vettel ndodhet i treti, me 52 pikë, një më shumë se Verstappen.

Vetëm i pesti Leclerc, me 46 pikë, që sot realizoi xhiron më të shpejtë dhe u shpall “piloti më i mirë i garës”.

Formula 1, Bottas në “pole”, Ferrari përsëri zhgënjyes!

Mercedez ka vendosur diktatin edhe në Baku, aty ku sot piloti Valtteri Bottas ka siguruar “pole position”. Piloti i Mercedes ishte më i shpejti në provat zyrtare, që u mbajtën pasditen e sotme për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit. Finlandezi arriti të vendoste kohën më të mirën me 1`40“495.

Me vetëm 59 të mijëtat më i ngadaltë ishte shoku i tij i skuadrës, Lewis Hamilton, që nesër do të niset nga vendi i dytë në pistën qytetase të Bakusë. I treti, me 3 të dhjetat më shumë u klasifikua Sebastian Vettel me Ferrari.

Makina tjetër Ferrari, ajo e Charles Leclerc, do ta nisë garën nga vendi i 10-të, pasi piloti nuk mori pjesë fare në sesionin e tretë të provave zyrtare. Ai aksidentoi makinën “kokëkuqe” në sesionin e dytë.

Në vendin e katërt sot, në mbyllje të provave zyrtare u rendit Max Verstappen me Red Bull. Në sesionin e pare të provave zyrtare, në kthesën nr.8 është përplasur makina Williams e Robert Kubica, që u rendit i fundit. Po në këtë kthesë, në sesionin e dytë të provave zyrtare, u përplas makina Ferrari e Charles Leclerc.

Këto prova zgjatën dy orë për shkak të aksidenteve të shumta. Gara e nesërme do të nisë në orën 14:10 të pasdites.

Skip to toolbar