“Metës nuk i iket pa vrarë Drejtësinë, që e sheh si agresion ndërkombëtar”

Presidenti e nisi të mërkurën me sulme ndaj Refomës në Drejtësi. Përgjigjen e parë e mori nga ambasadori i BE-së Soreca i cili i tha se Reforma nuk ka kthim pas, madje i kujtoi edhe SPAK dhe Kushtetusen.

Por presidenti nuk u ndal. Vazhdoi me “refleksione për reformën në Drejtësi”, ku kunjin këtë herë e kishte te vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e dekretit të tij përmes kërkesës së Idajet Beqirit.

“Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi, pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit”, shkruan Meta, i cili premton se gjatë gjithë ditës së sotme do të shkruaj herë pas herë reagime për reformën.

“Refleksione” mbi Ramaformat (Drejtësia e para)Reforma në Drejtësi me të drejtë u vlerësua nga mbi 90% e qytetarëve si…

Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 3. Juli 2019

Përgjigjen e dytë e ka marrë nga zëdhënësja e qeverisë, Spiropali. Sipas saj Metës nuk i iket pa e vrarë reformën në drejtësi që e sheh si “agresion ndërkombëtar”

“Baba Xhikja na la po Reformën në Drejtësi meazallah se e lëshon në rrokullimën e tij të zhurmshme! Ajo i del në gjumë, në ujë, në bukë, madje edhe në rrugë. Të shkretit Baba Xhike nuk i iket pa e vrarë atë dreq reforme, që e sheh si top, tank, kundërshtar, agresor ndërkombëtar!”, shkruan Spiropali.

Me siguri që ky debat në distancë mes presidentit dhe qeverisë do të vazhdojë gjatë. Ajo që bie në sy është injorimi që i bën Rama presidentit, duke mos reaguar vetë, por duke nxjerrë Spiropalin.

Konvulsionet e Presidentit, Rama: injorim dhe shkarkim

Nuk është marrë shumë gjatë me të, ka mjaftuar vetëm një fjali dhe një foto e postuar më herët nga zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali.

“Amanet mushkat, Baba Xhikja na la!” Ky është komenti i kryeministrit Rama ndaj sulmeve të Ilir Metës në konferencën e së martës ku për mbi 1 orë ai iu drejtuar posaçërisht kreut të qeverisë.

Më këtë fjali duket qartë se Rama po e injoron. Nuk merr fare përsipër t’i kthejë përgjigje, thjesht i bën repost fotos së Spiropalit.

Ndërsa presidenti me një gjuhë shumë të ashpër, akuzoi kryeministrin dhe SHBA për krijimin e një junte kundër tij, për hartimin e komploteve kundër të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Ai e akuzoi kryeministrin se ka kapur të gjitha pushtetet në vend. Pas 3 dekreteve për zgjedhjet e 30 qershorit, presidenti propozoi si zgjidhje për krizën zgjedhje presidenciale me votë nga populli, gjë të cilën nuk e parashikon kushtetuta jonë.

Edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së presidentit Meta, duke e cilësuar kreun e shtetit një President që meriton vetëm shkarkimin, ndërsa si politikan, injorimin. “Ne po presim të votojmë Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij dhe do të presim pastaj raportin e Komisionit për të miratuar shkarkimin, të cilin natyrisht do ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, por deri atëherë jemi të vetëdijshëm se do të kemi një President që si njeri meriton keqardhje, si politikan meriton injorim, si president meriton vetëm shkarkim! Dhe për sjelljen prej gaztori cirku sot dhe gjatë gjithë këtyre kohëve, meriton vetëm përqeshje popullore!”, deklaron Balla në reagimin e tij.

Presidenti na ka dhënë një provë tjetër shumë bindëse të nevojës për lirimin e zyrës, ku ai ka humbur të drejtën të…

Gepostet von Taulant Balla – Faqja Zyrtare am Dienstag, 2. Juli 2019

Ngjela: Meta ka frikë burgun ndaj luan si mbret i ligjshëm

Në një analizë të situatës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, avokati, Spartak Ngjela shkruan se presidenti Ilir Meta ka frikë burgun ndaj dhe sillet sikur të ishte mbret. Ai i referohet dekreteve të nxjerra një pas një nga kreu i shtetit, por edhe faktit që ai nuk njeh zgjedhjet dhe i sulmon ato.

“Kurse më budallai po rezulton Ilir Meta. Ai po luan rolin e komikut. Është në prag të shkarkimit të tij ligjor dhe luan sikur të jetë një mbret i ligjshëm.

Është në grupin keqbërës të Shqipërisë dhe në prag të burgut, dhe sillet sikur të jetë mbreti i një dinastie dyqindvjeçare. Janë në hall. Por nuk bëjnë dot asgjë. Pse?”, shkruan Ngjela.

Avokati shkruan se askush nuk mund të bëjë dot gjë në Shqipëri, pasi nuk i lejojnë amerikanët, ndërsa kujton se shumë shpejt do të ngrihet SPAK e cila do të vërë para drejtësisë politikanët e korruptuar.

“Sepse e keqja që mund t’iu vinte nga goditja amerikane për bëmat e tyre me krimin ndërkombëtar, është shumë më e rëndë nga goditja anti korrupsion që do të marrin nga SPAK”, thotë Ngjela.

Pak më herët presidenti Meta sulmoi me një gjuhë të ashpër jo vetëm qeverinë dhe kryeministrin Rama, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimin që ajo ka mbajtur në lidhje me njohjen e zgjedhjeve në Shqipëri por edhe me reformën në Drejtësi.  

Plagosi me thikë gruan, arrestohet

Policia e Krujës ka arrestuar 43-vjeçarin G.GJ, i cili 10 ditë më parë tentoi të vriste me thikë bashkëshorten e tij.

Policia thotë se “kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas në datë 21.06.2019, për motive të dobëta, ka  tentuar të vrasë bashkëshorten e tij, A.Gj duke e qëlluar disa herë me thikë”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Krimeve të Rënda Tiranë në ngarkim të shtetasit G.Gj., për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Rama në Real Story: Shkarkimi i Metës pa kthim

Kryeministri Rama është shprehur i vendosur që të vazhdojë me procesin e shkarkimit të presidentit Meta. I pyetur drejtpërdrejtë nga gazetari Sokol Balla në Real Story: A do të vazhdoni me procesin e shkarkimit të presidentit Meta? Rama u shpreh: “Për sa na takon ne, nuk diskutohet.”

Rama tha se ky proces do të vijojë deri në fund duke e votuar në parlament dhe më pas i takon vendimi Gjykatës Kushtetuese.

Ne do ta çojmë deri në fund procedurën e nisur për shkarkimin e Ilir Metës. Do ta votojmë në Parlament dhe më pas i takon Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur. Meta do të thirret në Komisionin Hetimor, që dhe këtu është e drejta e tij që me një dekret me vulën e Haxhi Qamilit ta shpërbëjë këtë komision. Ne do e votojmë në Parlament dhe më pas i takon Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur. Do të jetë kjo gjykatë që do të jap vendimin përfundimtar.” – tha Rama

Ndërsa në lidhje me deklaratën e Metës se ai do të jetë president deri në 2022, Rama u shpreh me ironi “ Sa data kam dëgjuar unë nga filxhani.”

Shmanget presidenca, e pyesin për Palmer, flet për Engel

I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratën e shkurtër që u dha nga VOA, e zotit Palmeri, duket se presidenca ka vendosur t’i shmanget pyetjes. Në vend të Palmer, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka vendosur të reagojë për një deklaratë të dhënë pak orë më herët nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Engel konfirmoi atë që tashmë dihej, SHBA njeh 30 qershorin dhe se vendi duhet t’i thotë mjaft krizave sa herë ka zgjedhje. Presidenca tha në njoftimin  saj se bën të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike,  të lira dhe të ndershme.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës. Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.’ – thuhet në reagimin e presidencës.

Në fakt kjo shmangie e presidencës për t’iu përgjigjur deklaratave të Palmer ishte e pritur. Palmer gjatë një interviste për VOA deklaroi hapur dhe në mënyrë de facto që SHBA nuk njohin presidentin Meta dhe aq më pak dekretin e tij të fundit për vendosjen e datës së re të zgjedhjeve më 13 tetor. Palmer tha se zgjedhjet janë më 30 qershor dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendos zgjidhjen e krizës institucionale.

Rama tallet: Liri, zgjedhje para ditëlindjes së Doktorit

Kryeministri Edi Rama vijon ironitë e tij me dekretin e ri të nxjerrë nga presidenti Meta ku vendosi datën e zgjedhje të reja më 13 tetor. Këtë herë Rama është kapur pas faktit të ditëlindjes së Doktorit (Sali Berisha), i cili e feston 2 ditë pas zgjedhjeve të reja që dekretoi Meta, pra më 15 tetor. Thua se zgjedhjet e 13 tetorit do të jenë zgjedhje të lira për popullin, pasi sipas presidentit Meta këtë herë do të jenë gjithëpërfshirëse.

“ E paska lëvizur datën me 8 ditë, se 21-shi i binte e hënë ose pastaj e ka lexuar si 2 ditë para ditëlindjes së 1-shit, domethënë Doktorit, që e ka si shpirt kur shpirtin i’a merr peng paniku.” – shkruan Rama

Gjatë konferencës së tij për mediat ku prezantoi dhe dekretin e ri për zgjedhjet Meta tha se ishte “shoku i doktorit” dhe se nuk mund t’i drejtohej dot Saliu, pasi e kishte pikë të dobët. Meta gjithmonë ka kërkuar siguri nga Doktori sa herë që ka qenë në vështirësi, dhe ndihma e tij nuk i ka munguar. Por këtë herë si do jetë?  Dekreti i ri, si për mazhorancën dhe edhe për ato që njohin ligjin është nul dhe se nuk çon në asnjë lloj mënyrë të zgjidhjes së krizës politike

Takimet e Metës, Rama i quan karnavale: E ka kthyer presidencën në seli opozite

Kryeministri Edi Rama i cilëson karnavale politike takimet që ka zhvilluar gjatë të enjtes presidenti Meta me përfaqësues të partive opozitare. Në një reagim në Twiiter Rama shkruan se presidenca është kthyer në një seli opozite, që po synon të mbrojë me dhunë votën e popullit nga vetë populli.

“Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj. Çfarë karnevalesh politike”, shkruan Rama, teksa bën thirrje që të dielën të gjithë ata do të marrin një mesazh nga shqiptarët që do të vendosin ose jo të votojnë.

“Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën, duke votuar ose mosvotuar, por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”, shkruan Kryemistri i cili refuzoi të takohej me presidentin pas ftesës së tij.

Aleatët e Bashës presin dekretin e ri të Metës

Krerët e partive aleate të PD-së, zhvilluan të enjten një takim me presidentin Ilir Meta. Në përfundim të takimit, kreu i LZHK Dashamir Shehi foli në emër të aleatëve dhe tha se së shpejti presidenti do të nxjerrë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjesh.

“Patëm një diskutim me ftesë të Presidentit për situatën që po rëndohet. Presidenti ka një ide të tillë si ka qenë me kohë që zgjedhjet me datë 30 nuk bëhen sepse kemi një dekret të presidentit. Besoj se dekreti për datën e zgjedhjeve do të jetë gjatë ditës në vijim. Besoj se nga pasditja ose nga darka do dalë një deklaratë. Do të kemi një mendim unik me PD dhe aleatët e tjerë”, tha Shehi.

Gjatë ditës së enjte presidenti Meta zhvilloi takime me kryetarin e PD-së, Basha, nënkryetarin e LSI-së, Vasili si dhe me krerët e partive të vogla.

Meta ftoi në takim edhe kryeministrin Rama, por ai refuzoi duke thënë se është në kulmin e fushatës zgjedhore. Presidenti Meta bashkë me partitë e opozitës nuk e njeh datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve dhe siç ka deklaruar edhe Shehi, pritet që Meta të dekretojë një datë të re zgjedhjesh.

Rama i tha JO, Meta në ankth, çel presidencën që në 5 vetëm për Bashën!

Atë që duhej ta kishte bërë, të paktën një ditë para se të nxirrte dekretin e famshëm me të cilin anuloi zgjedhjet, presidenti Ilir Meta e bëri të mërkurën në mbrëmje, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai i dërgoi ftesë kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së për një takim në presidencë. Një takim ky i munguar prej shumë kohësh. Një nismë që kreu i shtetit duhej ta kishte marrë të paktën një muaj më herët, para se të niste zyrtarisht fushata zgjedhore.

Por edhe ftesa drejtuar kryeministrit kishte brenda nota ironie. Presidenti e ftonte Ramën që të shkonte në zyrë nga ora 5 e mëngjesit të ditës së enjte deri në orën 13.00. Orar ky disi i pazakontë për takime zyrtare. Kryeministri e refuzoi ftesën duke i thënë se 4 ditë para zgjedhjeve ai ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore.

Megjithatë, presidenti sot ka çelur dyert e presidencës që në orën 5:00 të mëngjesit. Madje gjithë stafin e tij e ka nxjerrë nga shtëpitë që pa gdhirë. Por nuk dihet pse ka shkuar kaq herët përderisa Rama i tha se nuk do të shkonte në takim. Ndoshta Meta shpreson se ai do të ndërrojë mendje? Apo ndoshta po përgatitet për takimin me Bashën në orën 9.00. Ai e ka pranuar ftesën e kreut të shtetit, megjithëse bashkë kanë pasur shumë takime informale.

Këto akte tregojnë se kreu i shtetit ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Fakti se dekreti i tij u cilësua nul nga Kolegji Zgjedhor, fakti se KQZ po ecën drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, në kushtet kur maxhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij si president, por edhe i lënë vetëm nga faktori ndërkombëtar, kanë bërë që Meta të nisë të mendojë se çfarë do të ndodhë pas datës 30?  

Kur zgjedhjet të njihen nga të gjithë, sa legjitim do të jetë ai si president që i anuloi ato? Ndoshta një takim mes tij dhe Ramës ishte përpjekja e fundit e tij për të arritur një kompromis, që mesa duket do të mungojë, të paktën para 30 qershorit. Pas kësaj date gjithçka është e mundur./realstory.al

Skip to toolbar