“Revolucion” ok, por ku është populli?!

Prej tre dy ditësh shqiptarët po shohin skena të vjetra të sulmeve në shkolla, në pallate sportesh, aty ku zakonisht janë vendosur Qendrat Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Po shohim njerëz që përleshen me policë, që shqyejnë dyer dhe thyejnë xhama, nxjerrin karrige e dërrasa, i vënë zjarrin kartonëve dhe materialeve të ndryshme zgjedhore. Kjo ka ndodhur edhe në kaluarën. Duket sikur jemi kthyer vite pas. Gjithmonë ka pasur në Shqipëri kontestime të rezultatit të zgjedhjeve, por ama zgjedhjet janë zhvilluar. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një opozitë të kundërshtojë të hyjë në zgjedhje dhe të luftojë në këtë mënyrë me policinë vetëm se po ruan qendrat zgjedhore.

Po kush po e bën gjithë këtë?

Drejtuesit e opozitës flasin për popullin që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që s’mund të durojë dot më këtë qeveri kriminelësh. Po ku është populli? Ajo që po shohim është se këto sulme po ndodhin vetëm në disa bashki, vetëm në ato qytete ku bashkitë drejtohen nga opozita dhe në të vërtetë janë vetëm disa grupe njerëzish që sulmojnë. Dhe po të shohim arrestimet e kryera nga policia rezultojnë se janë persona që punojnë në këto bashki. Ose janë zyrtarë, ose janë punonjës të policive bashkiake. Pra janë njerëz që po veprojnë me një urdhër politik dhe për më tepër janë njerëz që paguhen nga taksat tona.

Pikërisht këta njerëz që paguhen me taksat tona po shkatërrojnë pronat publike, po shkatërrojnë zgjedhjet që i përkasin popullit dhe po heqin një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të votuar. Nëse ata nuk duan të shkojnë në zgjedhje, thjeshtë t’i bojkotojnë ato, por jo të pengojnë të drejtën e shumicës apo edhe të pakicës për të votuar çdo 4 vjet për të zgjedhurit e tyre.

Por këta zyrtarë bashkish të djathta apo policë bashkiake po djegin dhe po sulmojnë sipas një urdhri politik vetëm e vetëm për të krijuar idenë e artikuluar prej kohësh nga drejtuesit e opozitës, atë të një “revolucioni popullor” që në fakt nuk është gjë tjetër veçse sulme të organizuara nga militantë partiakë që duan të mbajnë vendin e punës dhe të tregojnë besnikërinë ndaj partisë së tyre.

Deutsche Welle: Dekreti i Metës, mosbindje civile në bashkitë e opozitës

Deutsche Welle shikon si shkaktar të situatës aktuale në Shqipëri, pikërisht dekretin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në një artikull për Shqipërinë, Deutsche Welle shkruan se në vend kanë nisur përplasjet dhe mosbindja civile në bashkitë e djathta për shkak se disa prej tyre kërkojnë të respektojnë dekretin e Metës, që është hedhur poshtë nga KQZ. Kjo ka krijuar një situatë të paprecedentë në vend që ka sjellë përplasje mes militantëve të opozitës dhe policisë.

Artikulli i plotë i Deutsche Welles:

Dekreti i Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si data e zgjedhjeve lokale dhe mospranimi i i këtij vendimi nga KQZ ka krijuar në Shqipëri një situatë të paprecedent.

Nga njëra anë KQZ (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) vazhdon procesin zgjedhor drejt 30 qershorit, nga ana tjetër bashkitë, që janë fituar nga PD në zgjedhjet e kaluara lokale, kanë filluar mosbindjen civile. Kryetarët e këtyre bashkive dhe mbështetësit e opozitës kërkojnë lirimin e mjediseve, ku KQZ ka vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve,(KZAZ) me kutitë e votimit, listat e zgjedhësve dhe gjithë materialet e tjera zgjedhore.

Të mërkurën, ( 19.05) Bashkia e Beratit, Matit, Lezhës, Kukësit, Klosit, Skraparit; Kavajës, Bilishtit, Gjirokastrës kërkuan lirimin e mjediseve që janë në pronësi të bashkisë me arsyetimin e zbatimit të dekretit të Presidentit Meta për mos zhvillim të Lokaleve2019. Në Bashkinë e Matit, mbështetës të opozitës u përleshën me policinë. KQZ bën me dije të mërkurën se ata përdorën  sende të forta duke plagosur efektivat e policisë, që në kundërpërgjigje përdorën gaz lotsjellës.

Mosbindja civile filloi të martën në Bashkitë e djathta të Shkodrës dhe Tropojës. Burime zyrtare nga KQZ bëjnë njoftojnë, se të martën në mbrëmje (18.06), në Bashkinë e Shkodrës, mbështetës të opozitës hynë në oborrin e gjimnazit “Shejnaze Juka” dhe pasi u konfrontuan  me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve,(KZAZ). Të njëjtat burime pohojnë, se u dogj gjithë baza materiale e sjellë nga KQZ  për përgatitjen e zhvillimit të votimit më 30 qershor.

Incidenti, në mbrëmjen e së martës u parapri më herët, nga konfrontimi fizik i mbështetësve të opozitës me komisionerët e KZAZ, të vendosur  në Pallatin e Sportit, Shkodër,  dhe efektivat e policisë duke synuar të pengojnë hyrjen e komisionerëve në mjediset e KZAZ.  Në këto kushte KZAZ në Pallatin e Sportit është marrë nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.

Në Bashkinë e Tropojës, mbështetës të opozitës hynë të martën me dhunë në mjediset e KZAZ dhe nxorrën jashtë materialet zgjedhore për zhvillimin e votimeve më 30 qershor.

Episodet e mosbindjes civile në Bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet lokale 2015, ndodhin pas paralajmërimit të kryetarëve të këtyre bashkive, se nuk do të lejojnë ngritjen e qendrave të votimit në mjediset që bashkia administron, por do të zbatojnë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e datës 30 qershor.

Bashkitë e djathta: Lironi mjediset e KZAZ

Burime nga KQZ bëjnë me dije, se kanë informacione se incidente të tilla mund të zhvillohen në vijimn në bashki të tjera të drejtuara nga opozita.

Pas daljes së dekretit nga Presidenti Meta për anulimin e 30 qershorit si data e zhvillimit të Lokaleve 2019 dhe mosnjohjes së këtij vendimi nga KQZ, në zbatim të Kodit Zgjedhor, kryetarët e bashkive të djathta i kërkuan këtij komisioni të lirojnë mjediset ku janë vendosur  KZAZ, qendrat dhe materialet e votimit, mjedise që janë nën juridiksionin e bashkive.

Përkrahësit e opozitës në Berat

Kërkesa vjen në vijim të deklaratës së PD, se do të pamundësojë zhvillimin e Lokaleve 2019 dhe angazhimit të saj për ngritjen e “Aleancave Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë” në të gjitha bashkitë, përfshirë edhe ato të drejtuara nga PS, ku fushata po vazhdon pa incidente.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, drejtuese e Shoqatës së Kryetarëve të bashkive të djathta, tha në konferencë për shtyp të martën se në zbatim të dekretit të Presidentit Meta, KQZ  duhet të lirojë të gjithë mjediset, që janë pronë e bashkive.

 ” Do të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të bashkisë, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës që drejtojnë policinë, prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”,deklaroi Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

KQZ: Çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale

Por KQZ bëri të martën njoftoi zyrtarisht, se kërkesa për lirimin e menjëhershëm të mjediseve ku janë vendosur KZAZ dhe ndërprerja e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset që janë në pronësi të bashkive „përbën tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga ligji për vetëqeverisjen lokale”. Në deklaratën e KQZ theksohet, se   “çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale”.

Opozita e djathtë nuk merr pjesë në Lokalet 2019, pasi sipas saj „ ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”. Që prej 4 muajsh PD dhe partitë e tjera opozitare kanë dorëzuar mandatet e tyre parlamentare dhe po zhvillojnë protesta për të rrëzuar qeverinë Rama, e akuzuar prej tyre për korrupsion, e ardhur në pushtet nga blerja e votës dhe lidhjet me krimin e organizuar. Këto ditë gazeta bulevardeske gjerane „ Bild” publikoi një tjetër seri përgjimesh të Prokurorisë në Shqipëri, lidhur me blerjen e votës nga PS, në zgjedhjet parlamentare 2017.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e protestave të saj kombëtare më 21 qershor.

KQZ, apel bashkive të opozitës: Dekreti, i pavlerë. Zbatoni Kushtetutën

Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dërguar një dokument kryetarëve të bashkive që kanë bërë kërkesë për lirimin e ambienteve të KZAZ-ve. Bëhet fjalë për krerët e bashkive që drejtohen nga PD dhe LSI, të cilët kanë vendosur që të zbatojnë dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve. KQZ i kujton atyre që të zbatojnë Kushtetutën dhe se dekreti i Metës është i pavlerë.

Duke u nisur nga situata e krijuar në disa qytete të vendit ku zyrtarët e bashkive janë bërë bashkë me militantët e PD-së për të dëmtuar materialet zgjedhore, KQZ bën thirrje që krerët e këtyre bashkive të lexojnë mirë rezolutën e miratuar në Kuvend dhe pikat e shkelura nga presidenti Meta përmes dekretit të tij që anulon zgjedhjet.

Sipas KQZ dekreti i Presidentit është krejtësisht i pavlefshëm ndaj dhe kërkesa e bashkive opozitare është e jashtëligjshme. Në fund të letrës së tyre KQZ u kujton bashkive të opozitës, se veprimet e tyre përbëjnë shkelje të ligjit “Shpërdorim i detyrës”, “Pengim i subjektit zgjedhor”, “Dëmtim me dashje i mjeteve zgjedhore” .

Militantët e Mziut sulmojnë KZAZ-në në Kamëz, policia përdor gaz lotsjellës

Militantët e PD-së kanë sulmuar të mërkurën shkollën Ibrahim Rugova në Kamëz, ku ndodhet KZAZ nr. 27.

Dhjetëra militantë të opozitës kanë tentuar të hapin me dhunë derën e shkollës, ndërsa ka ndërhyrë policia dhe i ka shpërndarë ata duke përdorur gaz lotsjellës.

Punonjësit e Policisë Bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike, punonjës në bashki, kanë mësyrë brenda portës kryesore të shkollës ku ka nisur një përplasje mes forcave të rendit dhe të bashkisë. Në këto kushte për të shmangur përshkallëzimin e situatës në dhunë dhe për të mos lejuar futjen në ambientet e brendshme të KZAZ në klasat e shkollës, policia është detyruar të hedhë gaz lotsjellës. Ndërsa efektivët e rendit janë pajisur me maska antigaz, policët bashkiakë ishin të papërgatitur.

Pas përdorimit t ë gaszit lotsjellës, militantët janë shpërndarë dhe situata është qetësuar. Gazetarët e Realstory.al raportojnë nga vendi i ngjarjes se pranë KZAZ-së kanë mbetur vetëm disa personas, por që aktualisht nuk ka përplasje me policinë.

Xhalal Mziu, kryetari i bashkisë së Kamzës vjen nga rradhët e PD-së dhe ashtu si të gjithë krybashkiakët e djathtë kanë vendosur që t’i binden dekretit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Një efektiv i Policisë Bashkiake të Kamzës ka humbur ndjenjat pas përplasjeve të ndodhura në KZAZ numër 27 që ndodhet në shkollën “Ibrahim Rugova”. Në ndihmë i erdhën qytetarët të cilët e transportuan me makinë private për në spital.

Policia është vendosur të zbatojë ligjin dhe të arrestojë të gjithë personat që dhunojnë KZAZ-të. Gjatë ditës së sotme kanë vënë mbi 10 vetë në pranga dhe ka shpallur të tjerë në kërkim për incidentet e djeshme në Shkodër e Tropojë. Pritet që edhe në Kamëz të ketë arrestime në orët në vijim.

Skip to toolbar