“Revolucion” ok, por ku është populli?!

AKTUALITET


Prej tre dy ditësh shqiptarët po shohin skena të vjetra të sulmeve në shkolla, në pallate sportesh, aty ku zakonisht janë vendosur Qendrat Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Po shohim njerëz që përleshen me policë, që shqyejnë dyer dhe thyejnë xhama, nxjerrin karrige e dërrasa, i vënë zjarrin kartonëve dhe materialeve të ndryshme zgjedhore. Kjo ka ndodhur edhe në kaluarën. Duket sikur jemi kthyer vite pas. Gjithmonë ka pasur në Shqipëri kontestime të rezultatit të zgjedhjeve, por ama zgjedhjet janë zhvilluar. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një opozitë të kundërshtojë të hyjë në zgjedhje dhe të luftojë në këtë mënyrë me policinë vetëm se po ruan qendrat zgjedhore.

Po kush po e bën gjithë këtë?


Drejtuesit e opozitës flasin për popullin që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që s’mund të durojë dot më këtë qeveri kriminelësh. Po ku është populli? Ajo që po shohim është se këto sulme po ndodhin vetëm në disa bashki, vetëm në ato qytete ku bashkitë drejtohen nga opozita dhe në të vërtetë janë vetëm disa grupe njerëzish që sulmojnë. Dhe po të shohim arrestimet e kryera nga policia rezultojnë se janë persona që punojnë në këto bashki. Ose janë zyrtarë, ose janë punonjës të policive bashkiake. Pra janë njerëz që po veprojnë me një urdhër politik dhe për më tepër janë njerëz që paguhen nga taksat tona.

Pikërisht këta njerëz që paguhen me taksat tona po shkatërrojnë pronat publike, po shkatërrojnë zgjedhjet që i përkasin popullit dhe po heqin një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të votuar. Nëse ata nuk duan të shkojnë në zgjedhje, thjeshtë t’i bojkotojnë ato, por jo të pengojnë të drejtën e shumicës apo edhe të pakicës për të votuar çdo 4 vjet për të zgjedhurit e tyre.

Por këta zyrtarë bashkish të djathta apo policë bashkiake po djegin dhe po sulmojnë sipas një urdhri politik vetëm e vetëm për të krijuar idenë e artikuluar prej kohësh nga drejtuesit e opozitës, atë të një “revolucioni popullor” që në fakt nuk është gjë tjetër veçse sulme të organizuara nga militantë partiakë që duan të mbajnë vendin e punës dhe të tregojnë besnikërinë ndaj partisë së tyre.




Skip to toolbar