Minatorët në protestë para Kuvendit. Kërcënojnë se do djegin veten

Në axhendën e parlamentit është parashikuar sot miratimi i një projektligji për minatorët, i hartuar nga qeveria dhe që nuk mbështet nga vetë minatorët. Për këtë arsye një grup minatorësh janë duke zhvilluar sot një protestë para parlamentit duke kundërshtuar miratimin e këtij projektligji. Ata kërkojnë miratimin e statusit të minatorit dhe kërkojnë pensione më të larta. Madje një nga minatorët ka kërcënuar se do të djegë veten.

“Të gjithë ju minatorë jeni heronj. Keni punuar me mish e me shpirt nën tokë. Keni ardhur por kryeministri jonë nuk pranon të na takojë. Rama takohet me njerëz të lodhur, i gënjen, i mashtron dhe thotë hajde votoni. Në këtë gjendje që jemi ne nuk votojmë. Po vdesim këtu, çfarë do të hamë bukë me kos. Nuk i duam shtesat që ke bërë ti, nuk kemi nevojë. U ngopëm me shtesat si nga të parët dhe nga të dytët. Ti ble deputetë, por ne nuk shitemi. Ne duam drejtësi por këtu nuk ka drejtësi, as nuk do të ketë. Kush është i drejtë e ndihmoftë zoti. Kush nuk është i drejtë, mos fitoftë asnjë votë”, u shpreh një minator për Ora news.

Ndërsa një tjetër shpjegoi se ndryshimet e qeverisë nuk shtojnë kuotat e tyre. “Nuk shton kuotat tona. Na le shumë poshtë. Unë kam 16 vite punë, po ta shumëzosh me 1%, mund të ngrihet 22 mijë lekë të vjetra. Ku do shkoj me këto. Unë barazohem me kooperativistin. Me këtë ligj përfitojnë zyrtarët që janë shpikësit e pensioneve falsë. Ne që kemi punuar ngelemi jashtë skeme. Ato kanë marrë konsulencë me sindikata sllave. Unë jam i mendimit do djeg veten, jam i diskriminuar. Kur më jepet kjo e drejtë nga Kushtetuta këta ma mohojnë. I pari Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj e me radhë. Në 2009 bëmë marrë veshje me Ramën dhe tha brenda 6 muajve në pushtet do t’u jap statusin. U bënë 6 vjet dhe status nuk ka”, tha minatori.

Skip to toolbar