Pagoi hotelin 700 euro nata, Gjonaj: Sulm dashakeq, ja e vërteta e faturave

Pas akuzave se “Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kishte fjetur në hotele që kushtonin deri në 700 euro nata, gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit”, ka ardhur dhe reagimi i Gjonajt. Me anë të një deklarate bërë në rrjetin e saj social Facebook, Gjonaj ka treguar së parëi, se faturat që u publikuan në media, janë vënë në dispozicion të portalit që po investigonte shpenzimet e ministres, nga vetë dikasteri që ajo drejton, duke respektuar të drejtën e informimit për qytetarët.  “Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së Drejtësisë”, shkruan Gjonaj.

Duke u bërë ftesë mediave dhe jo vetëm, për të hetuar punën e saj si ministre, Etilda Gjonaj zbardh edhe të vërtetën rreth lajmit të publikuar në media, për shpenzimet e kripura gjatë udhëtimeve jashtë shtetit. Së pari, Gjonaj saktëson se media që ka publikuar faturat, ka bërë interpretime spekulative dhe dashakeqe.  “Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative”, shprehet Gjonaj.

Më tej, Minisrja e Drejtësisë shpjegon se “faturat nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por të gjithë delegacionit që udhëton me të në takime zyrtare”. Në këto kushte, Gjonaj tregon se hotelet ku akomodohen stafet gjatë udhëtimeve jashtë vendit, përzgjidhen kryesisht nga vendi pritës për shkak të sigurisë. “Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse”, thotë ministrja.

Ajo tregon gjithashtu se gjatë udhëtimeve të saj jashtë vendit, ka pasur raste që ka udhëtuar dhe me tren, apo është kthyer brenda ditës duke mos shpenzuar para për hotelin, ndërkohë që ka sqaruar se për udhëtimet jashtë vendit nuk kujdeset ajo për faturat, por stafi. “Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës. Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte këtë “transparencë” do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera”, ka shkruar Gjonaj.

Në këto kushte, Gjonaj thotë se ka hapur një audit të brendshëm në ministri, nga ku ka rezultuar se “nuk ka pasur shkelje të procedurave të prokurimit publik për blerjen e faturave”, ndërsa shton, se për shkak të transparencës, do të kërkojë dhe nga institucione të tjera të pavarura nga ministria që drejton, për të hetuar dhe kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurave të prokurimit për biletat e avionit apo hoteleve ku është akomoduar gjatë udhëtimeve jashtë vendit.  Në fund, Etilda Gjonaj shton se ky është një tjetër sulm që i bëhet asaj si grua në politikë, duke shprehur keqardhjen, por dhe vendosmërinë për t`i shkuar deri në fund luftës kundër paligjshmërisë.

Edhe noterët nën sitën e Vettingut

470 noterë do i nënshtrohet procesit të Vettingut brenda 2 muajve të ardhshëm. Brenda 25 majit, të gjithë noterët kanë dorëzuar në mënyrë elektronike dosjen e tyre personale pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku synohet të kontrollohet karriera e tyre, që nga hyrja e tyre si asistent e deri sa kanë marrë licencën për të ushtruar detyrën e tyre si noter.

Një komision i posaçëm i ngritur nga Ministria e Drejtësisë do të verifikojë nëse janë bërë abuzime apo jo me detyrën e tyre. Nëse vihen re mospërputhje të dokumentacionit apo deklarime të rreme do të merret masa t’u hiqet licenca.

Pallati i Drejtësisë jo më tek Gjeologji-Minierat, Rama shfuqëzon vendimin

Kryeministri Rama ka ndërrua mendim në lidhje me krijimin e Pallatit të Drejtësisë në godinën e Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Me një vendim të sotëm në mbledhjen e qeverisë, Rama shfuqëzoi vendimin e vitit 2014 ku kërkonte që godina e Fakultetit të Gjeologji-Minierave të kalonte në administrimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në 2014, ky vendim shkaktoi debate të nxehta me stafin e petagogëve dhe studentëve të këtij fakulteti.

V E N D I M

PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.744, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS,TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

Shfuqizimin e vendimit nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”, të ndryshuar me vendimin nr.732, datë 8.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”.

Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Skip to toolbar