Tre inspektorë të mbrojtjes së territorit përfunduan në pranga pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi kanë lejuar shtetas të ndryshëm të ndërtojnë pa leje. Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi 6-mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Berat, ku u konfirmuan shkeljet flagrante të detyrës së tyre.
Pas mbledhjes së provave, policia e Beratit zhvilloi operacionin e koduar “Stop” dhe vuri në pranga tre inspektorët pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Berat, konkretisht shtetasit: L.S., 50 vjeç, E.V., 29 vjeç, dhe D.H., 45 vjeç.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 inspektorët, në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.