Raporti i ODIHR, Rama: Gati për dialog me opozitën, zgjedhjet në 2021

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter disa orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë i quan të kota përpjekjet e opozitës për mënyrën se si po e lexojnë raportin e ODIHR, duke dashur të ‘ngrejnë furtunë në gotë’. Rama shprehet se përpjekja e opozitës, për ta lexuar raportin si ‘goditje ndaj zgjedhjeve’ është e gabuar dhe dëmshme për vendin. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, shkruan Rama.

Më tej, shefi i qeverisë vijon me komentin e tij, duke shkruar se tashmë është koha që mazhoranca dhe opozita të punojnë për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Ndaj, Kryeministri i kërkon opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Në fund, Rama përsërit thirrjen për bashkëpunim e dialog ndaj opozitës, duke u shprehur se ‘dora jonë është e shtrirë’. Ai gjithashtu jep dhe mesazhin, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2021, duke lënë të kuptohet, se mbetet i vendosur për të mos pranuar kushtin e opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore. “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogut e bashkëpunimit, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, përfundon Rama.

OSBE-ODIHR certifikon 30 qershorin, opozita thërret ‘fitore’

Pas publikimit të Raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i dy forcave politike kryesore opozitare në vend. Për PD dhe LSI, raporti i ODIHR tregon ‘nevojën jetike për zgjedhje të lira’, duke i lexuar përfundimet e vëzhguesve ndërkombëtarë si ‘fitore të opozitës’. Në një koment në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi shprehet se “ODIHR ‘konfirmuar zgjedhjet antikushtetuese të 30 qershorit”.

“Raporti i ODIHR është konfirmim se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Më shumë se sa një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik. Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit ‘nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë’, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhsve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë prove e votimit me përfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit”, shkruan Bardhi.

Nga radhët e LSI ka reaguar nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, sipas të cilit, OSBE/ODIHR ka vënë ‘gishtin në plagë’, duke treguar paligjshmërinë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“OSBE ODIHR ika vënë vulën e turpit votimeve të Edi Ramës. Shqipëria, për shkak të Ramës ka shënuar faqen e zezë, ka mbajtur votime pa ligj, pa rregulla dhe kundër Kushtetutës. Në raport flitet më shumë se çdo koment. Nuk pati legjitimitet në zgjedhje. OSBE vë gishtin mbi pagë. Konstatimet e OSBE thonë se nuk ka pasur liri të qytetarëve për të votuar. OSBE thotë se dekreti i presidentit për 13 tetorin nuk u publikua në Fletoren Zyrtare, edhe pse publikimi i këtij akti është i detyrueshëm me ligj. Të gjithë kopukët e pushtetit nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë. OSBE shprehet gjithashtu se ka pasur zona kur ka pasur një kandidat. Edhe në zgjedhje që kanë qenë veç vetë, kanë numëruar vetë dhe prapë kanë vjedhur”, është shprehur Vasili.

Por, me gjithë parregullsitë që cilëson raporti në zgjedhjet e 30 qershorit, ODIHR në rekomandimet kryesore të tij shtron nevojën për reformimin e sistmeti zgjedhor. Në këtë drejtim, opozita ende nuk ka është shprehur nëse do të bashkëpunojë, pasi ka marrë ftesë zyrtare nga mazhoranca për të bashkëpunuar. Pra, ndonëse i konsideron si ‘fitore’ gjetjet e raportit të ODIHR, opozita nuk thotë asnjë fjalë për rekomandimet e tij kryesore, dhe konkretisht, reformimin e sistemit zgjedhor. Gjithashtu, raporti i ODIHR, konfirmon zgjedhjet e 30 qershorit si të ligjshme, pra, rrëzon pretendimin e opozitës së zgjedhjet kanë rënë. Por edhe pse pas 30 qershorit opozita ka mbetur pa asnjë pushtet, opozita e quan fitore raportin e ODIHR, që në fakt rekomandon bashkëpunim për përmirësimin e sistemit zgjedhor, gjë të cilën në fakt, e ka thënë në çdo palë zgjedhje që ka vëzhguar. 

Analiza/ Raporti OSBE-ODIHR: Zgjedhjet të qeta, dekretet e Metës rritën pasigurinë. Certifikimi nga KQZ

OSBE-ODIHR ka publikuar Raportin Paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ambasadorja Aundrey Glover foli në një konferencë për shtyp, ku prezantoi në përgjithësi disa nga gjetjet e këtij raporti. Por, Realstory.al, ka siguruar të plotë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale, duke sjellë në mënyrë të analizuar gjetjet kryesore të tij. Së pasi, në raport, vlerësohet fakti që zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa në raport, vlerësohet dhe procesi i numërimit. “Zgjedhjet ishin të qeta, vlerësohet procesi i numërimit: Ajo çka ishte pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë”, shkruhet në raport.

Megjithatë raporti thekson se interpretimet kontradiktore të dekretit të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, si dhe thirrjet ndaj zgjedhësve për bojkotim, kanë cënuar, sipas OSBE-ODIHR, besimin e publikut te procesi. “Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi”.

Raporti vlerëson pozitivisht progresin që ka bërë vendi ynë në raport me barazinë gjinore në zgjedhje. Në një prej pikave të tij, vlerësohet fakti që KQZ-ja nuk ka pranuar të rregjistrojë listat për Këshillat Bashkiake, nga partitë që nuk plotësonin 50% të përfshirjes së secilës gjini. “Në përputhje me ligjin, u regjistruan vetëm ato lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë që plotësonin kushtin e përfshirjes së 50 për qind të secilës gjini, ku një në dy kandidatë t’i përkiste secilës gjini. Sistemi i kuotave ka krijuar një mjedis të favorshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike, por të pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese në partitë politike”.

Mungesa e partive opozitare në zgjedhje, pamundësoi, sipas OSBE-ODIHR, zgjedhjen mes alternativave politike, ndërsa shton se ka pasur presione ndaj punonjësve të administratës për të demonstruar publikisht preferencat politike. “Pavarësisht kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike”.

Në raport, evidentohet fakti që mosmarrëveshjet për çështje zgjedhore, përfshirë dhe dekretin për anulimin e zgjedhjeve, u zgjidhën nga organet ligjore, për administrimin e zgjedhjeve, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. “Mosmarrëveshjet zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda afateve të parashikuara”.

Zhvillimi i zgjedhjeve në kushte paqësore  evidentohet shpesh në raportin e OSBE-ODIHR. Në një prej paragrafëve të këtij raporti, procesi i votimit vlerësohet pozitiv në 94% të qendrave të votimit, megjithëse, janë vrejtur parregullsi, si votimi në grup, në 12% të qendrave të votimit. “Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në shtatë qendra votimi. Me ndryshime mes bashkive të ndryshme, pjesëmarrja arriti në 21.6 përqind në shkallë vendi. Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Votimi në grup, duke përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind të vëzhgimeve. Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të kufizuar”.

Veprimtaria e opozitës gjatë muajit të fushatës, evidentohet gjithashtu si një nga problematikat e këtij raporti paraprak. OSBE shkruan se dhuna dhe vandalizmi shënjuan protestat e opozitës kundër institucioneve shtetërore. “Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shenjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore”.

Ndërkohë, në raport shtohet fakti që kryeministri Edi Rama kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, për të mos cënuar “bashkëjetesën demokratike” dhe krijimin e një precedenti në të ardhmen. “Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar”.

Në një tjetër moment, OSBE-ODIHR, shprehet se dekretet e 10 dhe 27 qershorit të Presidentit Ilir Meta, kontribuan në pasigurinë juridike dhe politike në vend. “Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike”.

Më tej, vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR, shprehen se thirrjet e opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor. “Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor”.

Në këto kushte, OSBE-ODIHR, shkruan se thirrjet e PD dhe LSI, që u kërkonin qytetarëve të mos ushtronin të drejtën për të votuar, dhe në kushtet e një numri të vogël kandidatësh, gara thelbësore që iu ofrua qytetarëve, ishte pjesëmarrja ose jo në zgjedhje. “Si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja, u bënë thirrje njerëzve që të mos ushtronin dhunë në ditën e zgjedhjeve. Në rrethanat e një numri të vogël kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo pjesë në zgjedhje”.

Media televizive, sipas OSBE-ODIHR, ka qenë neutrale por dhe e pozicionuar, ndaj partive politike në vend. Ndërkohë, një nga pikat thelbësore të këtij raporti, është puna e Prokurorisë së Përgjithshme. OSBE-ODIHR shprehet se akuat për thirrje publike për dhunë, organizime të paligjshme, shkatërrim të pronës si dhe pengim të administratës zgjedhore, partitë opozitare i kanë motivuar politikisht disa prej këtyre rasteve. Por, raporti shprehet se mungesa e efikasitetit në hetimet penale të këtyre krimeve, qoftë edhe në të shkuarën, ka krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë së krimeve zgjedhore.

“Akuzat përfshinin thirrje publike për dhunë, organizimin ose pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, bllokim rrugësh, shkatërrim të pronës me lëndë shpërthyese, si dhe pengim të administratës zgjedhore dhe shkatërrim të materialeve zgjedhore. Partitë opozitare i konsiderojnë të motivuara politikisht disa prej këtyre rasteve. Përveç kësaj, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime rreth mungesës në përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit”.

Në fund, raporti fokusohet te dita e zgjedhjeve, ku janë vrejtur disa parregullsi, përfshi hapjen me vonesë të disa qendrave të votimit dhe moszbatimin e procedurave standarde nga komisionerët për hapjen e këtyre qendrave, megjithatë. “Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të dhënave të vulosjes së kutive të votimit. Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it”.

Por, raporti thekson faktin që në shumë bashki, u tentua pamundësimi i zgjedhjeve nga të zgjedhurit vendor të opozitës, të cilët nuk lejuan përdorimin e ambienteve publike të përdoreshin si qendra votimi. “Votimi u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve”.

Një tjetër aspekt i raportit është fakti se votuesit kanë shfaqur frikë, se pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit, do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku PS kandidonte e vetme. “Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë”. Ndërsa, shton më tej, se në pothuajse të gjitha qendrat e vëzhguara, procedurat e mbylljes së kutive janë zbatuar me korrektesë. “Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë. Transferimi dhe marrja e materialeve u vlerësuan pozitivisht në të gjitha 62 rasteve të vëzhguara, përveçse në 2 prej tyre”. /Relastory.al/

Skip to toolbar