OSBE-ODIHR: Meta revokoi dekretin kushtetues të zgjedhjeve

POLITIKË


Misioni i OSBE ODIHR nuk ka kursyer asnjë nga palët politike në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa vë në dukje një fakt të fortë, duke e cilësuar dekretin e 30 qershorit kushtetues, ndërsa revokimin e tij, nuk e cilëson të tillë. Në gjetjet e veta, OSBE-ODIHR, me në krye ambasadoren Glover, vë në dukje të gjitha problematikat, duke nisur që nga dekretet e Presidentit Meta, akuzat politike si nga mazhoranca, ashtu edhe opozita, e deri te veprimtaria e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor.

Presidenti Meta


Sa i përket kreut të shtetit, raporti final vë në dukje se Presidenti Meta, Në Nëntor 2018, në përputhje me Kushtetutën, shpalli zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. “Duke përmendur shqetësimet për sigurinë publike dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin, Presidenti revokoi dekretin më 10 qershor. Më 13 qershor, parlamenti miratoi një rezolutë që e shpalli të pavlefshëm revokimin dhe më 19 qershor, ajo filloi një procedurë, të iniciuar nga Partia Socialiste (PS), për të shkarkuar Presidentin për arsye se e kishte tejkaluar mandatin e tij. Më 27 qershor, Presidenti Meta shpalli një dekret tjetër, duke caktuar 13 tetor 2019 si datën e zgjedhjeve lokale. Gjatë kësaj periudhe, KQZ vazhdoi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor”, shkruhet në raport, duke vënë në dukje se Meta përmendi shqetësime për sigurinë publike dhe jo që janë konstatuar shqetësime të tilla. Një fakt tjetër i rëndësishëm që vihet re është se për dekretin e 30 qershorit, OSBE-ODIHR shprehet se ishte në “përputhje me Kushtetutën”, fjalë që nuk përmenden për revokimin e zgjedhjeve dhe për dekretin e ri për 13 tetorin, për të cilin më tej thekson se nuk u botua as në fletoren zyrtare.

Veprimet e KQZ

Por, raporti nuk përmend vetëm veprimet e Metës, pasi vë në dukje edhe ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas OSBE-ODIHR, “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Sipas raportit, disa vendime të marra nga KQZ nuk u publikuan në kohë të shpejtë dhe nuk u njoftuan palët, që sollën edhe mungesën e apelimit brenda 5 ditëve. Por vetë raporti thekson se për këtë çështje, KQZ është shprehur se nuk është e detyruar me ligj për të bërë njoftimin dhe publikimin e shpejtë, pasi palët duhet të jenë të pranishme në mbledhje për këto vendime. Ndërkohë, disa bashkëbisedues mësohet se i kanë shprehur ODIHR-it shqetësime për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan përgjatë linjave partiake.

Kolegji Zgjedhor

Ndërsa sa i përket Kolegjit Zgjedhor, raporti vë në dukje se ai nuk ishte i plotë për shkak të vettingut, ndërkohë që një pjesë e anëtarëve mund të kenë pasur frikë për shkak të këtij procesi. “Kolegji Zgjedhor, autoriteti më i lartë për mosmarrëveshjet elektorale, përbëhet nga tetë gjyqtarë të zgjedhur për katër vjet përmes shortit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Për shkak të vettingut të vazhdueshëm, Kolegji Zgjedhor përbëhej vetëm nga gjashtë gjyqtarë gjatë periudhës zgjedhore. Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata i nënshtrohen “procesit të vettingut” në vazhdim, i cili mund të ndikojë në sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë në pavarësinë e tyre”, shprehet raporti.

Partitë politike

Ndërsa sa u përket partive politike, kritikat mbeten në kuadrin e mosrealizimit të detyrave të lëna nga OSBE-ODIHR, të cilat ende nuk gjetur zbatim. Për këtë arsye, “me qëllim të forcimit të demokracisë pluraliste, riafirmimit të të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demonstrimit të përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, partitë politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë Reformën Zgjedhore që adreson rekomandime të përfshira në këtë dhe raportet e mëparshme të ODIHR-it”, thuhet në raport.




Skip to toolbar