Edy largon “renë” e Panuccit nga Shqipëria

Kuqezinjtë kanë dhënë provën e dytë nën drejtimin e trajnerit Edy Reja, duke kaluar me sukses Moldavinë në “Elbasan Arena”, të cilën e mundën 2-0. Ashtu siç premtoi në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, trajneri kishte bërë ndryshime të mëdha në formacion për këtë ndeshje, duke nisur me rikthimin e Mërgim Mavrajt në formacion, i cili mbante dhe shiritin e kapitenit në këtë sfidë.

Gjithashtu në sulm Reja e nisi me Sadikun dhe Uzunin duke ulur në stol Balajn dhe Cikalleshin, ndërsa në mesin e fushës titullar e nisi Ramadani, me Xhakën që ishte në stol.

Pak pasi kishte nisur ndeshja ishin miqtë ata që shfaqën rrezik në portën tonë, por Etrit Berisha neutralizoi gjithçka, ndërsa në vijim portieri kuqezi do të ishte thjesht spektator, pasi miqtë nuk do të shfaqeshin më në zonën e tij.

Megjithatë, ishte skuadra jonë ajo që ushtroi presion gjatë gjithë kohës, por pa mundur të tund rrjetën. Në një moment Armando Sadiku u duk se gjeti rrjetën por portieti i miqve ndali gjithçka. Më pas ishte përsëri Sadiku që tentoi portën, por përsëri fati nuk ishte me të.

Në një moment skuadra jonë pretendon penallti, pasi një nga lojtarët miq duket sikur prek topin me dorë, por arbitri finalndez lejon lojën të vazhdojë. Kështu minutat gjatë pjesës së parë rrjedhin me ekipin tonë që tenton vazhdimisht nga krahët dhe goditjet standarde, por pa gjetur fundin e rrjetës.

Pas pushimit ritmi i ndeshjes duket më i ulët se në pjesën e parë. Megjithatë skuadra jonë mbetet në sulm dhe mundohet të shkojë në portën kundërshtare, por barriera moldave reziston, ndonëse Edy Rejp vazhdimisht udhëzimet për sulmin.

Më shumë se sa ndeshja, rreth minutës së 55-të vëmendjen e tërhoqi një flamur i shpalosur nga disa tifozë në tribunën përballë, ku sipër flamurit kuqezi shkruhej edhe parrulla tashmë zyrtare e opozitës “Rama Ik”. Forcat e sigurisë private ndërhynë për ta larguar flamurin dhe parrullën politike, por tifozët rezistuan, duke mos lejuar largimin e flamurit, ndonëse parrulla “Rama ik”, iku.

Edy Reja nuk humbet kohë, kërkon të rifreskojë sulmin dhe kryen dy ndërrime kokë më kokë pas 15 minutash lojë të pjesës së dytë. Cikalleshi i merr vendin Sadikut ndërsa Odise Roshi i merr vendin Ermir Lenjanit. Ndërrimet i japin freski gjithë lojës së skuadrës.

Dhe pas kësaj, Roshit dhe Cikalleshit i mjaftojnë vetëm pesë minuta të mposhtin kundërshtarin. Fieraku, që rikthehej në kombëtare pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimesh, mori një aksion spektakolar në krah, duke shkuar pranë portës. Tentavia për të gjuajtur nuk shkon mirë por aty gjendet Cikalleshi që mjafton duke shtyrë dhe në “Elbasan Arena” shpërthen festa.

Më pas loja bëhet më e qetë dhe skuadra jonë mundohet të administrojë. Por kështu lëshon terren për Moldavinë, e cila në një moment na krijon iluzionin e barazimit, pasi një gjuajtje e miqve përfundon sipër portës tonë. Reja bën lëvizjen e fundit, në fushë hedhë një lojtar shtatlart si Kristi Qose, që ka detyrën të bëhet barrikadë për kundêrshtarin para mbrojtjes.

Ky i fundit jep më shumë se kaq, pasi shtyn skuadrën para, duke ndihmuar sulmin. Kështu Ylber Ramadani përfiton mposht për herë të dytë portierin kundërshtar në shtesë, duke na dhënë një fitore të merituar, ndonëse përballë një ekipi modest. Megjithatë, kuqezinjtë tregohen të kujdesshëm dhe mbrojnë mirë deri në gujd, duke dalë kokën lartë nga “Elbasan Arena”.

Odise Roshi: Nuk e hedhim poshtë Panuccin, tani jemi të përqëndruar!

Mesfushori i kombëtares, Odise Roshi ka folur në konferencë për shtyp nga Durrësi, aty ku ekipi ynë kombëtar është duke zhvilluar grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor. Roshi rikthehet në ekipin kombëtar pas shumë muajsh mungesë, pasi kaloi një dëmtim që e mbajti gjatë jashtë fushe. Në fjalën e tij, Odise Roshi u shpreh se skuadra është shumë e përqëndruar, ndërsa shton se ekipi ka kualitet.

Ndeshja me Islandën – “Stërvitemi çdo ditë për sfidën me Islandën. Jemi shumë të përqëndruar. Kanë patur një ekip shumë të mirë dhe të fortë. Kanë kualitet dhe janë ofensive. Ndeshje e fortë direkte”.

Largimi i Panuccit – “Kemi të gjithë respekt për të. Nuk mund t’i hedhim poshtë trajnerët që kanë punuar me të. Reja është i komunikueshëm. Ndihemi shumë mirë dhe ka ritëm stërvitja. Gjithçka po shkon përfekt”.

Problemet në skuadër – “Ne kemi bërë më të mirën gjithmonë për kombëtaren. Ne nuk duhet të merremi me atë që ka kaluar, por tek e ardhmja. Të merremi me Rejën dhe punën e tij”.

Grupi i lojtarëve- “Po provojmë grupin e lojtarëve. Ne po punojmë me shumë skema dhe them se kemi kualitet. Ne mund të fitojmë ndaj Islandës”.

Forma personale e Roshit – “Kam ardhur nga një dëmtim i gjatë. Kam punuar çdo ditë fort të vij në formë. Kam dy muaj që po luaj rregullisht. Ndihem mirë dhe jam pothuajse 100%. Shpresoj të luaj nga minuta e parë”.

Skip to toolbar