Manastirliu në Berat: 214 milionë lekë për maternitetin e ri

Qeveria ka miratuar një fond prej 214 milionë lekësh për ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit, nisja e punimeve të të cilit është inspektuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Vijmë në Berat me një premtim të mbajtur të qeverisë, një kërkesë e vazhdueshme e këtij komuniteti, për ndërtimin e maternitetit. Do të jetë një maternitet bashkëkohor brenda korpusit spitalor, me kapacitet 40 shtretër, që pritet të përfundojë brenda 20 muajsh”, tha Manastirliu.

Projekti i ndërtimit të maternitetit të ri të Beratit parashikon rehabilitimin e godinës një katëshe, ku aktualisht ushtron aktivitetin materniteti, si dhe zgjerimin e tij me ndërtimin e një kati shtesë, duke përfshirë reanimacionin dhe të gjitha shërbimet e gjinekologjisë, obsetrikës dhe neonatologjisë, me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë. Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve për maternitetin e ri, Manastirliu tha se fokusi i investimeve është transformimi i spitaleve rajonale, për të ofruar shërbim cilësor afër vendbanimit.

Manastirliu deklaroi nga Berati se pas ndërtimit të dy materniteteve të reja në Korçë dhe Sarandë, investimet strategjike për rijetësimin e materniteteve do të vijojnë në të gjithë vendin.

“Me fokus te shëndeti i nënës dhe fëmijës, vijojmë transformimin e materniteteve, jo vetëm në Berat, por kemi nisur punën për ndërtimin e maternitetit të Kukësit dhe së shpejti, maternitetit të ri të Lezhës”, tha Manastirliu.

Skip to toolbar