Të hënën nis shkarkimi, acarohet Meta: Parlament i çunave të Shijakut

Në kohën kur Kryeministri Edi Rama ishte duke folur nga Kolonja, ku bëri jo pak ironi me Presidentin e Republikës, dhe drejtuesit e opozitës, ka ardhur një reagim i fortë nga zëdhënësi i Ilir Metës, që duket edhe në një formë kërcënimi.

Kur na ndajnë vetëm 48 orë nga koha kur PS do të dërgojë në Kuvend Mocionin për shkarkimin e Ilir Metës, zëdhënësi i këtij të fundit, Tedi Blushi ka shkruar në rrjetet sociale se: “Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës”.

Duke vijuar më tej, në mesazhin e shkruar nga z.Blushi, i cili i quan deputetët socialistë “çuna të Shijakut”, duke nënkuptuar bandën e fisit Avdylaj, shprehet se ata që kërkojnë të instalojnë “Narko-Republikën” e bandave do të marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa!”, shkruan Tedi Blushi.

Pra, ky mesazh, të lë të kuptohet se në zyrën e kreut të shtetit është përgatitur plani për shpërndarjen e Parlamentit, që në fakt u nënkuptua më herët, kur Ilir Meta kërkoi nga KQZ listën e deputetëve të Parlamentit.

Kjo e sotmja, është ndoshta deklarata më e fortë e bërë nga zëri zyrtar i Presidentit të Republikës, çka nënkupton se tashmë palët janë pozicionuar në “llogore” dhe “lufta” po merr trajtë të nxehtë.

Koalicioni opozitar, Rama: Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen!

Ndërsa krerët e opozitës krijuan sot Koalicionin Opozitar, duke nënshkruar një marrëveshje me 10 kushte për Ramën, kryeministri sapo ka reaguar në twitter duke e cilësuar këtë lëvizje të opozitës, vetëvrasje politike.

Rama shkruan se zgjedhjet e 30 qershorit, as nuk ndalen dhe as nuk shtyhen, ndërsa këto lëvizje të opozitës, sipas tij vijnë nga dëshpërimi i humbjes.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng.Zgjedhjet as ndalen as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki.”, shkruan Rama.

Çfarë ndodhi sot në tryezën e opozitës? Nga Mediu te Kryemadhi, krerët që firmosën

Deri tani janë 8 parti politike që firmosën sot marrëveshjen për krijimin e Koalicionit Opozitar, që si kusht parësor për t’u futur në zgjedhjet e 30 qershorit ka krijimin e një qeverie teknike.

I pari që u fut në takim me Bashën dhe që nënshkroi marrëveshjen ishte kryetari i PR, Fatmir Mediu i shoqëruar nga anëtarë të partisë së tij. Në fjalën e tij për mediat, Mediu tha se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët.

Pas tij marrëveshjen me 10 pika e nënshkruan kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i PAA, Agron Duka.

Më pas në tryezën që kryesohet nga Basha, i cili shoqërohej nga ish deputetët, Gazmend Bardhi, Edmond Spaho, Edi Paloka, dhe ish-presidenti Bujar Nishani, u ul kreu i PDK Ndark Ndoka. Në fund të takimit Ndoka u shpreh se ky ishte një hap drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai tha se Rama ka mbetur i vetëm.

Pjesë e koalicionit opozitar ka vendosur të jetë edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i cili pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se “kjo është beteja jonë ndaj Rilindjes”.

Shpëtim Idrizi i PDIU-së, shoqërohej nga ish deputetja e PD-së, Mesila Doda në firmosjen e marrëveshjes. Idrizi u shpreh se opozita është garante e pluralizmit politik dhe marrëveshja ka për synim realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Marrëveshja për krijimin e Koalicionit Opozitar i firmos edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila në këtë takim shoqërohej nga Petrit Vasili, Luan Rama, Erisa Xhixho, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari.

Ashtu si dhe të tjerët, Kryemadhi tha për mediat se kjo marrëveshje do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo thjeshtë votime.

“Aksionit opozitar i shtohet një element tjetër shumë i rëndësishëm. Tani të gjitha kanë strategjinë re opozitës. Kjo vjen si rezultat i të gjithë kësaj axhende përballë një shtetit të kapur. Axhenda garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Them zgjedhje sepse votime ka bërë edhe Enver Hoxha po populli nuk ka zgjedhur kurrë. Për sa i përket të gjithë procesit, kjo marrëveshje është flamuri i shpresë për të rinjtë dhe të rejat”, tha Kryemadhi.

Marrëveshja e Koalicionit Opozitar që u nënshkrua sot

1. Krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

2. Partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

3. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:

(i) Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(ii) Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.

(iii)Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

(iv) Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.

(v)  Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

4.Në mbrojtje të demokracisë dhe tëzgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

5.Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitarnë të gjithë vendin.

6.Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

7. Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë ngaoligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private.Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllimnxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim,mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

8. Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimittë organizuar, korrupsionit dhe pastrimittë parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqeniene qytetarëve.

9.Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të të cilit dhunohen nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

10.Angazhohemi për një marrëdhënie politike dhe elektorale me çdo individ apo parti politike, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.

Skip to toolbar