Ambasadorja Audrey Glover që udhëheq grupin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR deklaron se të nesërmen e zgjedhjeve do të bëjnë publik raportin e përfundimtar, duke konfirmuar kështu se zgjedhjet do të ketë pavarësisht vendimit të presidentit Meta, i cili është shprehur se nuk do të ketë një datë zgjedhjesh deri sa palët të bien dakord. “Është një situatë që ne po e shohim dhe po e vëzhgojmë. Dhe siç thashë, ne e shohim të gjithë procesin zgjedhor si një të tërë dhe nuk mund të komentojnë në asnjë moment, sepse na duhet të shohim tablonë e plotë. Kështu që, kur të jenë bërë zgjedhjet dhe kur të kemi dhënë edhe një konferencë për shtyp, të nesërmen përgatisim raportin tonë përfundimtar dhe pikërisht aty do të jetë edhe vlerësimi ynë dhe i situatës këtu” është shprehu ambasadorja Glover për gazetarin Thimi Samarxhiu në Vizion Plus.
Në lidhje me bashkëpunimin e institucioneve për
rakordimin e zgjedhjeve, Glover tha se administrimi i tyre po ecën shumë mirë, por që pritet të shihet
se çfarë do të ndodh ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit, ndërsa shtoi se
misioni i OSBE/ODIHR ndodhet këtu për të vëzhguar zgjedhjet dhe se këtë do të bëjë.
E pyetur nëse ka pasur takime me anëtarë të PD, Glover tha se ka pasur takime me
to dhe ka kërkuar edhe një takim me Bashën, por për shkak të axhendës së zënë
pritet të kjo të ndodh në një të ardhme të afërt.
Lexoni intervistën e plotë:
Thimi Samarxhiu: Zonja ambasadore që gjetët kohë për këtë intervistë në këtë moment të rëndësishëm jo vetëm për Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR, por edhe për klimën politike në Shqipëri. Pyetja ime e parë në fakt lidhet me historinë tuaj në Shqipëri dhe faktin që kjo është hera e katërt, mos gaboj, që ju vini për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. Cilat kanë qenë specifikat e këtij procesi në monitorimin që keni bërë deri tani?
Ambasadore Audrey Glover: Në fakt, është vetëm hera e tretë që vij në Shqipëri dhe kësaj here është mjaft interesante, është pak më e ndryshme nga herët e tjera që kam qenë këtu, por ne zakonisht nuk i krahasojmë zgjedhjet me njëra-tjetrën. Është tjetër atmosferë, atmosferë e polarizuar politikisht, gjë që është shumë e dukshme, jo vetëm këtu në Tiranë, por në të gjithë vendin në përgjithësi.
Thimi Samarxhiu: Çfarë keni konstatuar ju në dy javët e para të kësaj fushate?
Amb. Glover: Ne jemi këtu prej dy apo tre javësh, siç e thatë edhe ju, dhe me ne janë bashkuar edhe vëzhguesit afatgjatë, të cilët janë dërguar në grupe dyshe në të gjithë vendin, të cilët na raportojnë gjatë gjithë kohës se çfarë shikojnë, çfarë bëjnë. Sigurisht që ata po shohin aspekte të ndryshme të ët gjithë procesit zgjedhor. Ne duam të sigurohemi se po e shohim të gjithë procesin nga fillimi deri në fund dhe jo që të kemi thjesht një fotografim të procesit në mes të tij. Ata po shohin gjëra si regjistrimi i zgjedhësve, regjistrimi i kandidatëve, si funksionojnë organet e administrimit të zgjedhjeve, KZAZ-të, nëse e kanë numrin e duhur të njerëzve. Ne po shohim gjithashtu situatën edhe sa i përket financimit të fushatës, median, kemi një seksion që monitoron median. Kështu që po përpiqemi të shohim gjithçka që i përket të gjithë procesit zgjedhor.
Thimi Samarxhiu: Një pyetje që ka tërhequr vëmendje është pse nuk jeni takuar me përfaqësues të Partisë Demokratike?
Amb. Glover: Në fakt, jemi takuar. Unë e kam takuar një prej përfaqësuesve këtu në Tiranë, dhe në Shkodër, ku isha pardje. Kemi kërkuar për një takim me kreun e Partisë Demokratike, por ai ka qenë shumë i zënë me udhëtime, por besoj se do të arrijë të gjejë kohë për ne në të ardhmen e afërt, por patjetër që jemi takuar me anëtarë të PD-së, si dhe me anëtarë të partive të tjera. Madje, jemi takuar në fakt edhe me kryetaren e bashkisë Shkodër. Ajo ishte nisur për në jug, ndërkohë që ne ishim nisur për në veri, kështu që u takuam, pimë kafe e patëm edhe një bisedë shumë interesante.
Thimi Samarxhiu: Si ju është dukur bashkëpunimi i institucioneve që po merren me rakordimin e zgjedhjeve?
Amb. Glover: Mendoj se përgatitjet po shkojnë mirë. KQZ-ja ka qenë duke punuar dhe po ashtu edhe KZAZ-të. Hera-herës mendoj se po hasin vështirësi dhe probleme sa i takon stafit, por baza e administrimit të zgjedhjeve po ecën mirë, por me kalimin e kohës, mbetet për t’u parë se çfarë ndodh në ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit dhe sa i takon numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve
Thimi Samarxhiu: Ambasadorja Glover, është një pyetje që unë në fakt nuk mund ta shmang. Presidenti i Republikës ka anuluar me dekret zgjedhjet e 30 qershorit, çfarë do të bëjë misioni i ODIHR, do të vazhdojë të qëndrojë për vëzhgimin e zgjedhjeve?
Amb. Glover: Për momentin ne jemi këtu me kërkesë të autoriteteve të këtij vendi për të vëzhguar zgjedhjet dhe pikërisht kjo është ajo që ne po bëjmë me ekipin tonë bërthamë këtu dhe me vëzhguesit tanë afatgjatë dhe po përgatitemi edhe për ardhjen e vëzhguesve afatshkurtër. Kështu që deri tani kjo është ajo për të cilën po përgatitemi dhe po bëjmë.
Thimi Samarxhiu: Edhe një pyetje të fundit. Në daljen tuaj të parë ju thatë se nuk ju kishte ndodhur ndonjëherë të monitoronit zgjedhje pa opozitën. Si e shikoni gjithë skenën politike në Shqipëri? Si njohëse e zhvillimeve politike dhe zgjedhore në Shqipëri, jo si kryesuese e misionit të OSBE/ODIHR
Amb. Glover: Është një situatë që ne po e shohim dhe po e vëzhgojmë. Dhe siç thashë, ne e shohim të gjithë procesin zgjedhor si një të tërë dhe nuk mund të komentojnë në asnjë moment, sepse na duhet të shohim tablonë e plotë. Kështu që, kur të jenë bërë zgjedhjet dhe kur të kemi dhënë edhe një konferencë për shtyp, të nesërmen përgatisim raportin tonë përfundimtar dhe pikërisht aty do të jetë edhe vlerësimi ynë dhe i situatës këtu dhe, siç thashë, ne do të bëjmë një vlerësim të asaj çfarë ka ndodhur, duke e parë në dritën e angazhimeve të Kopenhagenit që ky vend është zotuar t’u përmbahet. Sidoqoftë, sido që të jetë vlerësimi ynë, u takon të tjerëve të vendosin se çfarë duhet bërë. U takon autoriteteve, politikanëve, shoqërisë civile. U takon të tjerëve të vendosin se çfarë duhet të bëjnë me vlerësimin tonë. Pra, ne bëjmë një vlerësim dhe janë të tjerët ata që vendosin se çfarë duhet bërë me të.