Kryeministri Rama i është përgjigjur kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili e akuzoi se ka marrë një nga avokatët më të shtrenjtë për padinë e tij kundër BILD duke e paguar me paratë e krimit. Në një deklaratë për mediat, mbrëmjen e së martës, Basha akuzoi kryeministrin Rama se me paratë e krimit do të padisë gazetarin gjerman Peter Tiede, pse i publikoi lidhjet e tij me krimin elektoral.
Përmes një reagimi në Twitter, Rama thotë se gjyqi do bëhet në Gjermani dhe se faturat do publikohen në Shqipëri. Rama tha se drejtësia do të nxjerrë të vërtetën për çorbën e prishur të përgjimeve që u gatua në selinë e PD.
“Se kuptove kurrë o njish që është shah politika,jo kukamçefthi as topa luftash,po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani,faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat,për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij,do dalë e plotë. Gjermanisht”
Gjithashtu Rama nuk la pa përmendur faktin se Basha në vend që të merret me “krimin që paguan avokatin gjerman” të ruaj vetën pasi është i pandehur për qindra-mijëra euro ruse.
“Artist,ti nuk zhgënjen kurrë,je njish!Je i pandehur për qindra-mijëra euro ruse a dreqi e di ç’janë,të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman për të luftuar lirinë e medias në Gjermani.”