I pashpresë, Meta përdor gurin e fundit: Parlamenti shpërndahet me një dekret

Ilir Meta shfaqi për herë të parë frikën e shkarkimit. Në një prononcim për gazetarët këtë të premte, la të kuptohet se ngërçi ku po e fut Gjykatën Kushtetuese, lidhet drejtpërdrejt me shkarkimin e tij nga Kuvendi. Ai kërcënoi hapur qeverinë dhe parlamentin, duke paralajmëruar se mund ta shpërndajë kuvendin me një dekret. Duke përdorur fjalët “bandë uzurpatore”, Ilir Meta u shpreh se do të jetë ai dhe populli që do të mbrojnë Kushtetutën.

“Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti shpërndahet me një dekret, qeveria me mocion mosbesimi rrëzohet, presidenti me një impeachment nga një parlament legjitim, jo nga ky…përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale do t’i bëj të qartë se kjo është Kushtetutë që mbron popullin dhe do të jetë detyrë e popullit dhe e Presidentit t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore”, tha Ilir Meta.

Meta përmendi 22 nëntorin, ditën e referendumit të Kushtetutës së vitit 1998, duke u shprehur se kriza është e zgjidhur për ata që dinë të lexojnë kushtetutën. “Është tërësisht e zgjidhur kriza për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe, meqë po afron 22 nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën dhe këto parime që janë edhe sot të sanksionuara pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi, kam një paralajmërim të fundit për të gjithë ata që mendojnë se betimi i Metës mbi Kushtetutë ka qenë një proces formal. Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta e Shqipërisë, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vetë, që është Gjykata Kushtetuese”, tha Meta.

Skip to toolbar