Lobimi me para ruse në SHBA, dosja e Bashës dërgohet në Gjykatë

Dosja e lobimit në SHBA me para ruse nga Lulzim Basha është dërguar në gjykatë për gjykim. Sipas Balkanweb, në ekstremin e afateve ligjore, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria, dosja është dërguar në Gjykatën e Tiranës të enjten e 12 dhjetorit. Së bashku me Lulzim Bashën janë nën hetim edhe dy zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, ish-sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi. Megjithatë, Basha nuk do të hetohet për paratë ruse të përdorura për lobim në SHBA, pasi prokurorët pushuan akuzat “për pastrim parash” duke kërkuar gjykim vetëm për akuzën “falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve”.

Më herët, prokuroria kishte ngritur për ta edhe akuzën për veprën penale “Pastrim i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”, por që kjo akuzë nuk është ngritur, pasi në argumentin e vet, prokuroria thotë se është thelbësore dëshmia e lobistit Muzin për të faktuar një akuzë të tillë. 3 prokurorët e çështjes ishin të ndarë në vendimmarrje, pasi dy prej tyre, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, kërkuan dërgimin e dosjes në gjykatë. Ndërkohë, prokurori Kol Hysenaj kërkoi që hetimet të vijonin. Megjithatë, tani pritet që të caktohet trupa gjykese e kësaj dosje në gjykatë.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev. /Realstory.al/

Veliaj: Shqipëria s`do të digjet për paratë ruse të Lulit dhe Saliut

Gjatë një takimi elektoral në Ndroq, kandidati që aspiron një mandat të dytë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se më 30 qershor shqiptarët kanë një shans për ti thënë Sali Berishës dhe Petrit Vasilit, shkoni pleqëroni. “Por, siç tha me të drejtë Blerina në datën 30 kemi një mundësi që këtyre të prostatës t’i themi shkoni pleqëroni, shkoni zgjidhni hallet tuaja por ju nuk mund ta mbani më Shqipërinë peng”, u shpreh kryebashkiaku. Erion Veliaj u shpreh gjithashtu se Basha dhe Berisha janë të vetmit që bëjnë llogarinë e financave, që s`po përballojnë dot protestën, ndaj, sipas Veliajt, ata duhet të marrin lekë te rusët. Për këtë arsye, Erion Veliaj u shpreh se Tirana nuk do të digjet për hallin e Berishës dhe të Bashës.

Sot të vetmit që janë duke bërë llogarinë e financave që s’po përballojnë dot protestë, protestë, protestë dhe që duhet të marrin lekë nga rusët janë Saliu dhe Luli; për hallin e Saliut dhe Lulit do të djegim Ndroqin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Vaqarrin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Pezën? Do djegim Tiranën, do djegim gjithë punët që kemi bërë për këta të dy?”, u shpreh Kryebashkiaku.  Ai ka ironizuar edhe zëvendës kryetarin e LSI-së Petrit Vasili, duke e cilësuar këtë të fundit një personazh komik, që ka harruar të plaket. Sipas Veliajt, për sa kohë të jenë Berisha dhe Vasili në politikë, PS do të fitojë edhe 30 herë të tjera ndaj tyre.

Nuk i dhanë vizë as Petrit Vasilit, një tjetër personazh komik, një tjetër plak që nuk di të plaket dhe në fakt, ne s’duhet të bëjmë llogaritë e tyre, se për sa kohë që është Saliu dhe Tit Vasili si kovë pusi, sa herë që ata flasin humbasin nga 10%, por ne s’e kemi llogarinë me ta, ne ata i kemi mundur tre here, e jam i sigurt që kurdo do t’i mundim edhe 30 herë. Ideja e tyre që duhet të na kthehet në hall familjar fakti që Tit Vasilit i kanë hequr vizën, është ideja më idiote në botë, e çfarë po na duhet se nuk shkoi Titi në Las Vegas, se nuk shkoi Titi në Nju Jork, se nuk shkoi në Havai, se nuk shkoi Titi në Majemi. Çfarë mendojnë ata, se shqiptarët hanë bar dhe nuk kuptojnë që halli i Titit, i Saliut, i prostatës, i protestës, problemet e tyre nuk janë problemet tona? Problemet tona janë shkollat, janë rrugët, janë bujqësia, janë tregu, problemet tona janë si do mundësohen, se çdo i ri të eci përpara”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Më tej, ai shtoi se pikërisht sepse Partia Socialiste ka ditur gjithmonë të bëjë shtet dhe të zbatojë me përpikëri ligjet e këtij shteti dhe se hallet dhe problemet e qytetarëve duhet të trajtohen çdo ditë, nuk mundet të pranojë kurrsesi që të zgjedhjet të mos mbahen në datën e caktuar. “Ajo që nuk tolerojmë dot, ajo që nuk bëjmë dot kompromis, ajo që nuk negociojmë dot kurrë është fuqia jonë për të zgjedhur një herë në katër vjet, siç e thotë Kushtetuta, me votë të lirë në fushën e betejës, në kutinë e votimit, në të gjithë territorin e Tiranës, për të  thënë se ka ardhur koha që populli të zgjedhë politikanët, jo politikanët të zgjedhin popullin”, tha Veliaj.

Skip to toolbar