Lobimi me para ruse në SHBA, dosja e Bashës dërgohet në Gjykatë

#NËRADAR


Dosja e lobimit në SHBA me para ruse nga Lulzim Basha është dërguar në gjykatë për gjykim. Sipas Balkanweb, në ekstremin e afateve ligjore, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria, dosja është dërguar në Gjykatën e Tiranës të enjten e 12 dhjetorit. Së bashku me Lulzim Bashën janë nën hetim edhe dy zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, ish-sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi. Megjithatë, Basha nuk do të hetohet për paratë ruse të përdorura për lobim në SHBA, pasi prokurorët pushuan akuzat “për pastrim parash” duke kërkuar gjykim vetëm për akuzën “falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve”.

Më herët, prokuroria kishte ngritur për ta edhe akuzën për veprën penale “Pastrim i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”, por që kjo akuzë nuk është ngritur, pasi në argumentin e vet, prokuroria thotë se është thelbësore dëshmia e lobistit Muzin për të faktuar një akuzë të tillë. 3 prokurorët e çështjes ishin të ndarë në vendimmarrje, pasi dy prej tyre, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, kërkuan dërgimin e dosjes në gjykatë. Ndërkohë, prokurori Kol Hysenaj kërkoi që hetimet të vijonin. Megjithatë, tani pritet që të caktohet trupa gjykese e kësaj dosje në gjykatë.


Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev. /Realstory.al/




Skip to toolbar