Manovra e Holandës për “të larë duart” me Shqipërinë

Ministri i jashtëm holandez lexon të martën në mbrëmje para parlamentit holandez relacionin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parlamenti holandez ka një shumicë të brishtë që mban qeverinë, e cila megjithëse me ligj nuk është e detyruar të zbatojë rezolutën edhe nëse ajo është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, nuk mund të rrezikojë fatin e saj për këtë arsye. Por nga ana tjetër qeveria e Holandës nuk mund të rrezikojë “faqen” e saj përballë Europës, nëse ngelet e vetmja kundër. Kështu ka filluar një lojë taktike mes qeverisë dhe parlamentit në Hagë, për të evituar këto dy skenare. Kjo vihet re qoftë në gjuhën e përdorur, qoftë në faktin se pikërisht në këtë kohë kryeministri holandez ka “zgjedhur” që të jetë në vizitë në Indonezi, sesa të jetë në parlament në natën e vështirë të të martës. Po për me shumë kjo vihet re në relacionin që do të lexojë para deputetëve portokallinj, ministri i Jashtëm Stepp Block.

“Këshilli konkludoi në 26 qershor 2018 se negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore mund të hapen pasi të ishte implementuar një rrugë konkrete e reformës së sundimit të ligjit: vendi duhej të arrinte rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e reformës në sektorin gjyqësor, shërbimet e sigurisë, etj. sektori i sigurisë dhe administrata publike. Qeveria ndan vëzhgimin e Komisionit se qeveria e Maqedonisë Veriore ka ndërmarrë shumë hapa pozitivë gjatë vitit të kaluar. Marrëveshja “Prespa” është një shembull për rajonin dhe janë ndërmarrë hapa demonstrues në axhendën e reformës. Një hap i rëndësishëm që duhet të ndërmerret është miratimi i një ligji që garanton gjithashtu ndjekjen e pavarur të korrupsionit të mundshëm në të ardhmen në nivelin më të lartë. Ka një konsultë të vazhdueshme intensive midis opozitës dhe qeverisë për këtë. Kjo ende nuk ka rezultuar në një përfundim konkret”.

Duket se qeveria e Holandës kërkon të jetë me kujdes, në linjën europiane, të mos ndarjes së dy dosjeve, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Për këtë, ka vendosur të jetë kritike me të dyja:

“Këshilli gjithashtu konkludoi në 26 qershor 2018 se Shqipëria duhej të zbatonte një rrugë konkrete të reformës së sundimit të ligjit përpara se të hapeshin negociatat e pranimit: vendi duhej të kryente reforma gjyqësore dhe të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kabineti mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë gjatë vitit të kaluar në fushën e zgjidhjes radikale, krijimin e një numri institucionesh në fushën e sundimit të ligjit, një numër në rritje të operacioneve policore dhe dënimin e dy kriminelëve kryesorë. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) së paku duhet të jetë në funksion të parë dhe Shqipëria duhet të tregojë një rekord bindës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kabineti është i mendimit se është e parakohshme të filloni negociatat tani”.

Shqetësimi i qeverisë holandeze se kështu ajo rrezikon të jetë e vetmja kundër dy vendeve kandidate, vihet re në paragrafin e fundit: 

“Jo të gjitha shtetet anëtare ende kanë përcaktuar përfundimisht pozicionin e tyre, por një shumicë e madhe në Këshill është në favor të hapjes së negociatave të pranimit me të dy vendet. Shumë shtete anëtare deklaruan më herët se ata donin të shpejtonin procesin e zgjerimit në mënyrë që të ruanin vrullin e reformave ligjore, t’i lejojnë BE-së të projektojë vlerat dhe standardet e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i ofrojë popullatës një perspektivë. Këto shtete anëtare theksuan fuqinë transformuese të procesit të zgjerimit. BE-ja duhet të përmbushë premtimet e saj; Maqedonia Veriore dhe Shqipëria bëjnë të njëjtën gjë, sipas këtyre Shteteve Anëtare”.

Me kujdes relacioni i qeverisë holandeze para parlamentit nënvizon dhe çështjet gjeostrategjike që lidhen me këtë vendim:

“Për shumë shtete anëtare, konsideratat gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon gjithashtu luajnë një rol. Prandaj, një numër i Shteteve Anëtare dëshirojnë një lidhje midis dy vendimeve. Ky grup i Shteteve Anëtare pajtohet me rekomandimet e Komisionit për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe dëshiron të hapë negociatat e pranimit me këto dy vende sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto shtete anëtare nënvizuan se bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi të gjatë – dhe jo për anëtarësimin aktual”.

Dhe në fund vjen “bomba” gjermane. Holanda ka qënë një vend që në Europë ka folur gjithnjë ne sinkron me Berlinin. Kështu ndodhi edhe në qershor. Duket se në relacion me qetësi e kujdes, edhe qeveria e Holandës i kërkon parlamentit të bëjë të njëjtën gje:

“Ndërkohë, Bundestag gjerman ka rënë dakord edhe me vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me Maqedoninë Veriore, duke bërë thirrje që vëmendje e vazhdueshme t’i kushtohet përparimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër, Bundestag ka pranuar vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me Shqipërinë, me kusht që të plotësohen kushtet shtesë. Këto kushte përfshijnë ri-funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e reformave zgjedhore. Për më tepër, Bundestag bën thirrje për përparim të më tejshëm në fusha të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet para hapjes së kapitujve të parë në negociatat e pranimit me Shqipërinë”.

Por çfarë synon kjo “lojë” e re mes qeverisë dhe parlamentit holandez? Deputetët janë kundër Shqipërisë dhe një rezolutë e kërkuar nga grupet e ekstremit të djathtë me siguri do të merrte shumicën e votave pro. Kësaj i ndruhet qeveria e Holandës. Burime diplomatike të huaja i pohuan në rrugë  jo zyrtare realstory.al se përpjekja është që kjo mos të ndodhë dhe relacioni të miratohet në formën që është. Forma “aseksuale” e relacionit lejon në fakt që qeveria e Holandës t’i ketë duart e lira në të dyja variantet: Nëse nuk është vetëm kundër Shqipërisë, vota e saj do të  jetë pro mos hapjes së negociatave. Por në rast se zëri portokalli do jetë një “zë në shkretëtirë” dhe i vetëm kundër Tiranës dhe Shkupit, atëherë kjo rezolutë do të lejojë hapësirë për manovrim dhe Holanda, nuk do të pengojë hapjen e negociatave për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor./Realstory.al/

Ngrihet Komisioni me 101 vota pro, 3 muaj hetime për shkarkimin e Ilir Metës

Parlamenti ka votuar me 101 vota pro dhe 6 kundër, 2 abstenim, ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të hetojë shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Fjalën e hapjes në seancën parlamentare e mbajti Ulsi Manja, i cili lexoi argumentet dhe gjetjet e raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili i propozoi Kuvendit më pas votimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar.

Më pas, ishte Kryeministri Edi Rama, që mbajti një fjalim më pak se koha e parashikuar, por i argumentuar ku cilësoi shkeljet e rënda kushtetuese të Ilir Metës, si dhe sulmet e paprecedenta të Presidentit ndaj partnerëve ndërkombëtar. Rama i bëri thirrje gjithashtu deputetëve të opozitës që të votojnë pro ngritjes së Komisionit Hetimor.

Në fakt, këtë thirrje e konfirmuan shumica e deptetëve të opozitës, të cilët gjatë fjalës së tyre në parlament, u shprehën pro shkarkimit të Ilir Metës, dhe ngritjen e Komisionit Hetimor, që i hap rrugë ligjërisht këtij vendimi. Komisioni Hetimor, pas votimit në Parlament, ngrihet brenda dy ditësh dhe nis punën për nisjen e hetimit dhe përgatitjes së raportit përfundimtar, që do të votohet nga Parlamenti për shkarkimin e presidentit.

Po çfarë ndodh pas ngritjes së Komisionit Hetimor. Ligjërisht, ky komision do të ketë një periudhë  kohore tre mujore për të hetuar shkeljet kushtetuese të Ilir Metës. Presidenti do të thirret për të folur para anëtarëve të Komisionit Hetimor, një e dretjë ligjore e tij. Më pas, vijohet me hetimin e shkeljeve të ndryshme kushtetuese, të cilat në fakt, mazhoranca pothuajse i ka gati, pasi ato janë pjesë e raportit të Komisionit të Ligjeve të miratuar në Parlament, dhe përbëjnë bazën kryesore të pikave ku bazohet shkarkimi i Ilir Metës. Megjithatë, afati tre mujor i funksionimit të Komisionit Hetimor, ka dhe një tjetër domethënie.

Nëse ky komision, dorëzon në Parlament raportin përfundimtar të hetimit të Metës, dhe Kuvendi voton shkarkimin e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese ajo që thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit. Ndaj, mazhoranca, brenda këtij afati 3 mujor të Komisionit Hetimor, paralelisht, ka mundësi të votojë në Kuvend edhe emrat për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të jetë funksionale në momentin e shkarkimit të Presidentit nga Parlamenti, dhe si rrjedhojë, e gjithë procedura e shkarkimit të Ilir Metës, përfshi dhe vlerësimin në Kushtetuese, mund të mbyllet brenda vjeshtës.

Komisioni Hetimor përbëhet nga:

1-Ulsi Manja, kryetar

2-Vasilika Hysi, anëtar

3- Klotilda Ferhati, anëtar

4-Bashkim Fino, anëtar

5-Alket Hyseni, anëtar

Nga opozita parlamentare:

1- Alban Zeneli

2- Halit Valteri

3- Adriak Alimadhi

Nga deputetët jashtë grupeve parlamentare:

1-Krenar Rryçi

Exclusive/ “Meta nuk do të shkrijë Kuvendin” dhe nuk do të lërë Presidencën

Nëse pyet gazetarë e politikanë se përse Ilir Meta kërkoi informacion nga KQZ për 122 deputetët e Kuvendit, të gjithë (përfshirë edhe Realstory.al), deri dje të japin të njëjtën përgjigje. Presidenti po përgatiste dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, si pjesë e përballjes së tij alogjike (për shumë dhe antikushtetuese) me qeverinë, me fokus 30 qershorin. Apo jo?

Gabim. Realstory.al ka marrë informacione të mjaftueshme dhe të verifikuara se përse kjo është përgjigje e gabuar ndaj pikepyetjes që ngriti lëvizja e presidentit. Përgjigja e saktë është se presidenti ka vetëm një hall, të tijin. Ose më saktë atë të shkarkimit.

Gjithçka ka pikënisje në takimin e tensionuar disa ditë më parë me ambasadorët e huaj. Së paku tre prej tyre, i kanë konfirmuar Realstory.al direkt ose indirekt se informacioni se Presidenti Meta ka deklaruar (apo kërcënuar) se do të nxjerrë në rrugë ushtrinë me pretekstin e ruajtjes së stabilitetit, është i vërtetë. Replikat kanë qënë të ashpra dhe janë shkëmbyer emaile me pjesën përkatëse të Kushtetutës në shqip dhe anglisht. Ambasadorët i kanë kujtuar Presidentit se sipas artikullit 169 të Kushtetutës, në kohë paqeje kreu i shtetit “ushtron komandën e forcave të armatosura përmes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes”.

Ambasadorët (që mesa duket njohin mirë dhe kushtetutën por dhe qëllimet e Metës), i kanë kujtuar atij gjithashtu edhe Ligjin e amenduar nr.64 të vitit 2014 (votuar edhe nga vetë deputeti Ilir Meta atë kohë) dhe Artikullin 9, sipas të cilit: “Presidenti i republikës në kohë paqeje ushtron lidershipin kushtetues të Forcave të Armatosura përmes Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes ndërsa në Kohë lufte, e ushtron vetë, ose përmes Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (që vërtet e miraton ai, por vjen si propozim i Kryeministrit).

Nisur nga këto prerogativa kushtetuese, ligjore por edhe politike (shefi i shtabit mund të vendosë të zbatojë Kushtetutën dhe jo një urdhër të paligjshëm qoftë edhe të presidentit për të nxjerrë ushtrinë në rrugë), diplomatët i kanë bërë thirrje arsyes (!) së Kreut të Shtetit, që së paku këtë gjë mos ta artikulojë në publik, duke rrezikuar të bëhet dhe qesharak.

Por duket ambasadorët kanë marrë më seriozisht aludimin e heshtur të kreut të shtetit me kërkesën që ai i ka bërë KQZ. Shkrirja e Kuvendit është e përcaktuar aq qartë në Kushtetutë e ligj, saqë një vendimmarrje e tij për këtë, do të rrezikonte të konsiderohej shkelje në flagrancë e Kushtetutës, me pasoja direkte të shkarkimit të tij të menjëhershëm dhe pasojave të tjera ligjore. Por këtu Presidenti ka mbajtur një qëndrim tjetër. Ai ka lënë të kuptohet se vrulli i tij e ka një kufi. (Dhe ky në vetvete është një lajm i mirë). Presidenti Meta ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të shpërndajë parlamentit, por të sigurojë legjitimitetin e tij. Arsyeja nuk janë votat e vjedhura (parlamenti i çunave të Shijakut) por “respektimi i procedurave te marrjes së mandateve nga deputetët e rinj”.

Një burim nga LSI i ka pohuar një prej selive diplomatike, në kushtet e anonimitetit dhe jo zyrtarisht se qëllimi i Metës është verifikimi i ligjshmërisë së numrit të deputetëve, me qëllim që nëse parlamenti ecën para dhe voton shkarkimin e tij (duhen 93 vota). Argumenti ligjor për tu mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese nga avokatët e Presidentit pritet të jetë se Kuvendi ka vetëm 82 deputetë të ligjshëm. Këtë e ka deklaruar vetë Ilir Meta muajt e fundit, menjëherë pasi Kuvendi përcolli kërkesat e dorëheqjes nga mandati të deputetëve të opozitës në 16 shkurtin e shkuar, ndërsa bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI e ka përmendur këtë në intervista televizive, përfshirë edhe në Real Story në Vizion Plus.

Po ku bazohet dyshimi i Metës dhe çfarë ka marrë nga përgjigja e KQZ?

Në letrën drejtuar kreut të shtetit Sekretarja e përgjithshme e KQZ shkruan ndër të tjera, “… si pasojë e njoftimeve nga Kuvendi i Shqipërisë, për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës…” KQZ ka marrë njoftim, dhe ka vazhduar proceduren per plotësimin e vendeve. Kandidatët e listës kanë plotësuar dokumentacionin dhe më pas janë paraqitur në Komisionin e Verifikimit të mandateve në Kuvend.

Por këtu mund të jetë klecka. A është ndjekur e njëjta procedurë nga Komisioni i Mandateve edhe për deputetët që ikën? Sic kujtojmë të gjithë, kërkesat e dorëzuara nga opozitaret parlamentarë, u dërguan brenda dy ditëve në KQZ, pa pritur fundin e afatit 30 ditor që përcakton ligji. Burime të larta nga Kuvendi thonë se drejtuesit kanë qënë “nën presion të madh ndërkombëtar” që këto mandate të dorëzuara të dërgohen sa më shpejt në KQZ, për habine e vetë ish deputetëve, disa prej të cilëve e kanë shprehur atë publikisht. Bile Monika Kryemadhi kishte vënë në letrën e saj një datë të gabuar. Por a po tregon koha se ajo e ka bërë qëllimisht këtë “gabim”?

Sipas të njëjtave burime që i dhanë Realstory.al informacionin për qëllimet e vërteta të Metës në kërkesën drejtuar KQZ, në bazë të Kodit Zgjedhor, duket se presidenti po përgatit që tani dosjen mbrojtëse për Gjykatën Kushtetuese. Duke argumentuar se Komisioni i Mandateve nuk ka berë verifikimet e kërkesave për dorëzimin e tyre nga deputetët e opozitës, për të kërkuar kështu pavlefshmërinë e votimit në kuvend për shkarkimin e tij. Realstory i kërkoi një burimi të lartë në KQZ një opinion verifikues për këtë. Sipas tij: “Komisioni i Mandateve nuk ka në praktikë parlamentare verifikimin e kërkesës për dorëzim të mandateve. Sic e thotë dhe titulli i komisionit, ai nuk detyron dot nje deputet të mbajë mandatin. Megjithëse verifikimi formal ndoshta është i mundur, në kushtet e 16 shkurtit kemi pasur deklarime publike, dhe eksklamative për dorëzim të mandatit. Në të shkuarën, nga Azem Hajdari, tek Sajmir Tahiri, asnjëherë nuk është ndjekur një praktikë e tillë”.

Por sigurisht në rastin e parë historik të impeachment të një Presidenti, cdo gjykatë, aq më tepër ajo Kushtetuese, do ishte skrupuloze në verifikimin e Çdo argumenti të paraqitur nga palët. Dhe këtu lëvizja e Metës duket dinake dhe vizionare. Kryesisht dhe vetëm për hallin e tij.

Shkurt, as nuk do shkrijë Kuvendin dhe as ka ndërmend të iki nga Presidenca. As para dhe as pas 30 qershorit. /realstory.al/

Shkarkimi i Metës, Rudina Hajdari: S`ju intereson Shqipëria, por jetëgjatësia e pushtetit tuaj!

Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve të djathtë në Parlament, Rudina Hajdari ka marrë fjalën në seancën plenare, ku po diskutohet mocioni i shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Hajdari e quajti mocionin e Grupit Parlamentar të PS pa vlerë juridike, ndërsa dekretin e kreut të shtetit për shfuqizimin e 30 qershorit e cilësoi si “akt të shëmtuar”. Megjithatë, sipas znj. Hajdari, Qeveria është bashkëfajtore për situatën, pasi zgjodhi presidentin dy vjet më parë, ndërkohë që ky i fundit kishte konflikt interesi sepse zgjodhi në krye të LSI, gruan e tij.

Nuk ka ndonjë vlerë juridike. Ngre presionin dhe shantazhin ndaj presidentit Meta. Gjykimi për vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë e merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Mocioni për shkarkimin e Presidentit vjen nga ¼ e deputetetëve. Pasi Komisioni Hetimor të verifikoi, të konstatoi, më pas ky Komision Hetimor të përpilojë një raport në Parlament që ti dërgohet Gjykatës Kushtetuese”.

Fakti që ne nuk e kemi këtë Gjykatë, është një fatkeqësi e madhe. E theksoj, Gjykata Kushtetuese është organi i vetëm që konstaton këtë shkelje. Dua të di pse mendon se me këtë veprim, Ilir Meta mendon se zgjidh Krizën? Nëse palët nuk ulen bashkë dhe nuk arrijnë një kompromis, a nuk e fusim ne vendin më shumë në krizë?!”.

“Pika e dytë që duhet ti ngre presidentit; Më falni zoti president, nëse gruaja juaj është pjesë e opozitës, a nuk është ky konflikt i pastër personal? Doni të zgjasnin pozitën e tij, të zgjasni jetëgjatësinë e LSI-së. A nuk ishte zoti president, atëherë në atë kohë, në konflikt interesi, kur ai zgjodhi gruan e tij në krye të LSI? Pse nuk bët mocion në atë kohë. Mazhoranca u bë palë me LSI-në, vetëm për të zgjatur pushtetin tuaj, se nuk ju intereson fare çfarë ndodh në Shqipëri”, tha ndër të tjera Hajdari.

Një lider në rritje, Gazi shpëton protestuesit nga gazi (video)

Pasi janë zhvendosur përpara parlamentit, protestuesit kanë hedhur sërish mjete piroteknike në drejtim të godinës, duke sjellë tension në zonë. Kjo ka bërë që policia të përdorë autobotin e ujit për të bërë shpërndarjen e protestuesve.

Përveç ujit me presion, policia ka hedhur edhe gaz lotsjellës, ndërkohë që sulmi i protestuesve në drejtim të godinës së Kuvendit nuk është ndalur.

Policia ka bërë thirrje që drejtuesit e opozitës të largojnë protestuesit nga zona dhe të parandalojnë çdo akt dhune në drejtim të institucioneve.

Pas disa minutash dhunë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ka bërë thirrje protestuesve të mos hedhin kapsolla, duke kërkuar shpërndarjen e tyre. Por sërish, disa protestues kanë vijuar të hedhin flakadanë ndaj policisë.

Pas thirrjeve të vazhdueshme disa forca të policisë kanë dalë për të bërë largimin e protestuesve në mënyrë fizike, ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i  sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi dhe nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili, të cilët kanë ndërhyrë duke u kërkuar protestuesve të largoheshin nga zona.

“I bëj të qartë Edi Ramës dhe të gjithë kriminelëve me uniformë. Nuk mund të nxisni qytetarët për dhunë. Qytetarët sot kanë kryer një protestë model dhe do jetë model deri në fund. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve kaq të pakët sa janë këtu qa pavarësisht provokimeve të policisë së shtetit të tërhiqen për të mos vënë në jetë skenarin për dhunë të Edi Ramës. Ta harrojë se mund t’i provokojë më qytetarët” – tha Bardhi

Pas thirrjeve të Bardhit, protestuesit janë larguar nga Kuvendi dhe policia ka rrethuar vendin për të vijuar me hetimet mbi dëmet e shkaktuara nga protestuesit.

Gaz Bardhi shpeton protestuesit nga gazi

Gepostet von RealStory.al am Samstag, 8. Juni 2019

Fushata, Kuvendi mblidhet vetëm 2 herë në qershor

Konferenca e Kryetareve në mbledhjen e saj të fundit vendosi që seanca e zakonshme parlamentare të mos zhvillohet ditën e enjte më datë 6 qershor. Sipas burimeve nga Kuvendi për shkak se disa projektligje nuk ishin gati u vendos që seanca të mos zhvillohej si zakonisht, ndërkohë që u ra dakord që gjatë muajit qershor të ketë vetëm dy seanca, njërën në datën 13 qershor dhe tjetrën në datë 20 qershor.

Muaji qershor është muaj fushate për Partinë Socialiste dhe duket se të gjithë motorët e saj do të jenë ndezur pikërisht për t’iu dedikuar fushatës elektorale.

Ndërkohë opozita ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të përqendrohet te protestat që duket se do të vazhdojnë edhe këtë muaj.

Dule i kërkon Metës të shpërndajë parlamentin

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka reaguar për krizën politike në vend, duke i kërkuar Presidentit Ilir Meta të shpërndajë parlamentin.

Me anë të një statusi, publikuar në twitter, Dule shprehet se aktualisht nuk përmbushet neni 64 i Kushtetutës për pasjen e 140 deputetëve në parlament.

Në këtë linjë, Dule, duke pasur parasysh mungesën e Gjykatës Kushtetuese, i kërkon Ilir Metës që të shpërndajë parlamentin.

“Pavarësisht farsës së zëvëndësimit të opozitës, tani edhe me saktësi matematike nuk mund të plotësohet më kërkesa e nenit 64 të Kushtetutës për 140 deputetë. Kuvendi ka rënë”.

“Në mungesë te Gjykatës Kushtetuese, arsyeja juridike kërkon nismën e Presidentit për shpërndarjen e tij”, shkruan Dule në rrjetet sociale.

Luftë me molotov dhe gaz lotsjellës para Parlamentit

Është përshkallëzuar dhuna e protestuesve që kanë vendosur të zhvendosen para Parlamentit.

Protestuesit kanë gjuajtur me molotov, fishekzjarr dhe tymuese, ndërkohë që policia dhe forcat RENEA nuk ka ndenjur duarkryq. Për të shpërndarë turmën e protestuesve janë përdorur autobotet me ujë dhe gazi lotsjellës. Raportohet se gjatë dhunës ka pasur të lënduar si në radhët e protestuesve edhe të policisë.

Protesta vijon ende edhe pse ora ka kaluar 22:00, ndërkohë që leja e dhënë nga policia për të protestuar ishte deri në 20:30. Janë të shumtë protestuesit dhe ish deputet të PD e LSI, që vijojnë të qëndrojnë para parlamentit dhe kordonit të policisë.

Skip to toolbar