Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, u ka bërë
apel qytetarëve që të aplikojnë për karta të reja identiteti si dhe të rinovojnë
pasaportat që i kanë drejt skadimit pasi nuk do lejohen të dalin jashtë shtetit.
Ai tha se nga muaji tetor, nëse dikujt që i skadon pasaporta në dhjetor, nuk do mund të udhëtojë pa pasur me vete një dokument që vërteton se ka aplikuar për një pasaportë të re
“Janë mbi 1 milion karta identiteti dhe pasaporta
qytetarësh, të cilët mbarojnë afatin e vlefshmërisë këtë vit. Dhe është me
rëndësi të madhe që qytetarët të shfrytëzojnë kohën për të aplikuar, sa nuk
është vonë për të mos e lënë që në fund të vitit të mblidhen e të shtohen
radhët dhe të krijojmë situata të panevojshme. Për fat të keq konstatojmë që
ende flukset e aplikimit nuk janë ato që duhet, sepse ne përgjithësisht ne
tentojmë t’i lëmë gjërat për në sekondën e fundit. Por gjej rastin edhe njëherë
t’i ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e
identitetit dhe pasaportën biometrike, ende sa ka kohë, sa sportelet janë të
lira për arsye se shumë shpejt ne do të ndërmarrim masa shtesë që do të thotë,
ne do t’i kushtëzojmë përdorimin e dokumenteve aktualë, megjithëse janë ende në
fuqi, me aplikimin.
Do të thotë që në një periudhë të caktuar, e
cila do të shpallet, besoj nga muaji tetor, nëse dikush do të tentojë të
udhëtojë jashtë shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor,
nuk do të mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një
dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po kështu
shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen nëse karta nuk
shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka bërë aplikimin për të
renë. E gjitha kjo bëhet për t’i kujtuar qytetarët që 31 dhjetori është afati i
fundit, por nuk mund të prodhohen të gjitha kartat në datën 31 dhjetor! Do të
duhet që gjithë kjo kohë, përpara datës 31 dhjetor të shfrytëzohet nga çdo
qytetar në mënyrë që të evitojmë radhët, stresin dhe të gjitha problemet që
lidhen me këtë çështje”, është shprehur Lleshaj.