Pendarovski takon Macron: Rregullat e reja të zgjerimit, në mars të 2020

“Metodologjia e re e zgjerimit të BE do të jetë gati deri në mars të 2020.” Kjo ishte deklarata për mediat e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas takimit që zhvilloi me presidentin francez Macron. Pendarovski tha se Macron shpreson që reformimi i metodologjisë të bëhet deri në mars 2020, në mënyrë që në Samitin e Zagrebit, më 6 maj 2020, të mund të merret një vendim lidhur me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Franca tashmë ka paraqitur një propozim joformal për vendet anëtare të BE-së që parasheh reformimin e metodologjisë së negociatave të pranimit, një reformë që Macron po kërkon të miratohet përpara se të japë dritën e gjelbër për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në parim, ai mendon se metodologjia duhet të miratohet më së voni deri në muajin mars. Ai më ka thënë saktësisht se kurrë nuk ka qenë qëllimi i tij që të na rekomandojë ndonjë alternativë tjetër, në vend të anëtarësimit në BE. Ai thjesht dëshiron të përmirësojë procesin, që mos të prodhojë suksese burokratike dhe dështime thelbësore”, tha Pendarovski, pas takimit me presidentin Macronin në Samitin e Paqes në Paris.

Macron prej kohësh kërkon një reformim të vetë BE-së dhe rregullave se si ajo do të zgjerohet më të ardhmen. Franca ishte një ndër vendet që më 18 tetor bllokoi procesin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me arsyetimin se fillimisht Unioni duhet të vetëreformohet dhe të mos shkaktojë më dështime si BREX-it apo probleme të tjera të brendshme.

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Pendarovskit

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski “Çelësin e Qytetit”, si një dëshmi e një dere të hapur dhe e një miqësie të gjatë mes dy vendeve.

Gjatë takimit Veliaj theksoi se fqinjësia e mirë është ajo që lidh dy vendet dhe i bën bashkë në rrugën e tyre drejt BE. Veliaj tha se Tirana dhe Shkupi kanë pasur një bashkëpunim të mirë në ditë të vështira duke i qëndruar në krah e mbështetje njëra-tjetrës.

“Jam shumë i lumtur që mirëpres në qytetin e Tiranës, në Bashki, në shtëpinë tonë të përbashkët mikun tonë, vëllain tonë, fqinjin tonë, Stevo Pendarovski, Presidentin e ri të Maqedonisë. Jam shumë i lumtur që ai ndan bindjen tonë se fqinjët e mirë janë bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Tirana është sot shtëpia edhe e shumë qytetarëve të Maqedonisë, ndihen të barabartë, kanë një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar që jam edhe kryetar i tyre. Mbaj mend se kemi pasur ditë të vështira kur në Shkup ka pasur përmbytje, tërmet, por edhe në Tiranë kemi pasur përmbytje, tërmet, dhe edhe në nivelin lokal kemi pasur një bashkëpunim me njëri-tjetrin. Është edhe muzikë për veshët e mi të dëgjoj që edhe në nivelin qendror, edhe në politikën më të lartë, me drejtuesit më të lartë të shteteve tona, ndajmë ide të përbashkëta, që fqinjësia e mirë është ajo që na lidh dhe që na bashkon, është shansi ynë që të shkojmë së bashku drejt Bashkimit Europian. Por, edhe biem dakord që duhet ta ndërtojmë Europën në Shqipëri, Maqedoni, dhe besoj se sa më shumë modernizohen qytetet tona, aq më të mëdha janë shanset që të integrohemi”, tha Veliaj.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për nderimin me “Çelësin e Qytetit”, ndërsa theksoi se respekti ndaj diversiteteve janë parakusht themelor për një progres në shekullin XXI.

Rama: Progresi Maqedonisë falë ndihmës tonë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e kësaj të shtune në lidhje me deklaratat e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili kërkon që vendi i tij, të trajohet i ndarë nga Shqipëria në lidhje me vendimin për çeljen e negociatave me BE-në.

Edi Rama ka shkruar një koment në Twitter, ku përmend direkt presidentin e fqinjit tonë lindor, ku i shkruan:  “Presidenti Pendarovski favorizon “ndarjen nga Shqipëria” për negociatat? E çuditshme kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shkruan Rama në Twitter.

Kreu i shtetit fqinj, Stevo Pendarovski u shpreh më herët se: “Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar”, thotë ai.

Lexo këtu deklaratën e Steven Pedarovski

Skip to toolbar