Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Pendarovskit

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski “Çelësin e Qytetit”, si një dëshmi e një dere të hapur dhe e një miqësie të gjatë mes dy vendeve.

Gjatë takimit Veliaj theksoi se fqinjësia e mirë është ajo që lidh dy vendet dhe i bën bashkë në rrugën e tyre drejt BE. Veliaj tha se Tirana dhe Shkupi kanë pasur një bashkëpunim të mirë në ditë të vështira duke i qëndruar në krah e mbështetje njëra-tjetrës.


“Jam shumë i lumtur që mirëpres në qytetin e Tiranës, në Bashki, në shtëpinë tonë të përbashkët mikun tonë, vëllain tonë, fqinjin tonë, Stevo Pendarovski, Presidentin e ri të Maqedonisë. Jam shumë i lumtur që ai ndan bindjen tonë se fqinjët e mirë janë bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Tirana është sot shtëpia edhe e shumë qytetarëve të Maqedonisë, ndihen të barabartë, kanë një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar që jam edhe kryetar i tyre. Mbaj mend se kemi pasur ditë të vështira kur në Shkup ka pasur përmbytje, tërmet, por edhe në Tiranë kemi pasur përmbytje, tërmet, dhe edhe në nivelin lokal kemi pasur një bashkëpunim me njëri-tjetrin. Është edhe muzikë për veshët e mi të dëgjoj që edhe në nivelin qendror, edhe në politikën më të lartë, me drejtuesit më të lartë të shteteve tona, ndajmë ide të përbashkëta, që fqinjësia e mirë është ajo që na lidh dhe që na bashkon, është shansi ynë që të shkojmë së bashku drejt Bashkimit Europian. Por, edhe biem dakord që duhet ta ndërtojmë Europën në Shqipëri, Maqedoni, dhe besoj se sa më shumë modernizohen qytetet tona, aq më të mëdha janë shanset që të integrohemi”, tha Veliaj.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për nderimin me “Çelësin e Qytetit”, ndërsa theksoi se respekti ndaj diversiteteve janë parakusht themelor për një progres në shekullin XXI.




Skip to toolbar