Pistat e policisë për pengmarrjen e
49-vjeçarit Jak Prenga në Kamëz janë fokusuar në problemet që ai mund të ketë
pasur gjatë kohës që ka qenë emigrant në Greqi apo në lidhje me konfliktet e
vëllezërve të tij, të cilët ndodhen në burg në Angli për trafikim të lëndëve
narkotike.
Edhe pse kanë kaluar 3 ditë nga pengmarrja,
policia nuk ka ende asnjë të dhënë, ndërsa një ditë më parë u gjet një makinë e
djegur “Range Rover” ngjyrë e bardhë në rrethinat e Durrësit, që dyshohet se ka
qenë e autorëve të grabitësve.
Policia ka dyshime se pengmarrja mund të jetë
një lloj presioni që autorët e dyshuar duan t’iu bëjnë vëllezërve të Prengës,
që ndodhen në burg në Angli. Kjo dhe për faktin se ai u mor peng pikërisht
pranë banesave të vëllezërve në Kamëz, teksa shkonte të kujdesej për to.
Familjarët e 49-vjeçarit kanë deklaruar se
Prenga nuk ka pasur asnjë konflikt dhe nuk kanë dhënë detaje apo dyshime nëse
rrëmbimi mund të lidhet me vëllezërit e tij apo emigracionin në Greqi.
Sipas dëshmitarëve dy persona me maska rrëmbyen 49-vjeçarin Jan Prenga duke e futur me dhunë në makinën e tyre. Kamerat e sigurisë në zonë zbuluan se autorët u larguan me një mjet tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:44 minuta në rrugën “London” në Kamëz, e ndërsa mjeti i dyshuar i përdorur nga autorët është fiksuar të largohet në drejtim të Fushë-Krujës.
Por vetëm pak orë më vonë, burime pranë grupit hetimor sqaruan se pikërisht ky mjet u gjet i djegur në rrethinat e Durrësit. Për policisë rrëmbimi i 49-vjeçarit me origjinë nga Puka e banues në Bathore mbetet ende një mister, pasi Jan Prenga nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penalë.
5 persona janë arrestuar pasi kanë marrë peng prej disa ditësh një 31-vjeçar. Policia e Tiranës pas marrjes së informacioneve se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një shtetas nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë ka kërkuar ndihmën e policisë greke. Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë greke kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Korinthi”, kanë bërë të mundur lirimin e pengut, shtetasit me iniciale J.T, 31 vjeç, banues në Tiranës dhe kanë vënë në pranga 5 persona, një i arrestuar në Tiranë dhe 4 në Greqi.
Po si ndodhi ngjarja?
Pas një hetimi
disaditor, Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për
vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka
dhënë Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen e
personit të marrë peng dhe pengmarrësve. Policia greke mbi bazën e
informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në
flagrancë të shtetasve Xh.N., 49 vjeç, H.M., 35 vjeçe, B.M., 41 vjeç, M.M., 19
vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu policia e Tiranës arrestoi shtetasin L. P., 24 vjeç, banues në Tiranë, si bashkëpunëtor i pengmarrësve. Ka qenë pikërisht L.P i cili është paraqitur tek vëllai i pengut dhe i ka kërkuar shumën prej 10 mijë eurove në mënyrë që të linin të lirë pengun J.T. në të kundërt ata kishin kërcënuar se do ta vrisnin. Shtetasi J. T. është marrë peng në stacionin e autobuzist në Lutraki, Korinthia nga shtetasi Xh. N. 49 vjeç. Pas dhunimit ato i kanë kërkuar prej 10 mijë euro për ta lënë të lirë ose do ta vrisnin.
Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.