Pengmarrja në Kamëz, vëllezërit e pengut, të dënuar për drogë

AKTUALITET


Pistat e policisë për pengmarrjen e 49-vjeçarit Jak Prenga në Kamëz janë fokusuar në problemet që ai mund të ketë pasur gjatë kohës që ka qenë emigrant në Greqi apo në lidhje me konfliktet e vëllezërve të tij, të cilët ndodhen në burg në Angli për trafikim të lëndëve narkotike.

Edhe pse kanë kaluar 3 ditë nga pengmarrja, policia nuk ka ende asnjë të dhënë, ndërsa një ditë më parë u gjet një makinë e djegur “Range Rover” ngjyrë e bardhë në rrethinat e Durrësit, që dyshohet se ka qenë e autorëve të grabitësve.


Policia ka dyshime se pengmarrja mund të jetë një lloj presioni që autorët e dyshuar duan t’iu bëjnë vëllezërve të Prengës, që ndodhen në burg në Angli. Kjo dhe për faktin se ai u mor peng pikërisht pranë banesave të vëllezërve në Kamëz, teksa shkonte të kujdesej për to.

Familjarët e 49-vjeçarit kanë deklaruar se Prenga nuk ka pasur asnjë konflikt dhe nuk kanë dhënë detaje apo dyshime nëse rrëmbimi mund të lidhet me vëllezërit e tij apo emigracionin në Greqi. 

Sipas dëshmitarëve dy persona me maska rrëmbyen 49-vjeçarin Jan Prenga duke e futur me dhunë në makinën e tyre. Kamerat e sigurisë në zonë zbuluan se autorët u larguan me një mjet tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:44 minuta në rrugën “London” në Kamëz, e ndërsa mjeti i dyshuar i përdorur nga autorët është fiksuar të largohet në drejtim të Fushë-Krujës.

Por vetëm pak orë më vonë, burime pranë grupit hetimor sqaruan se pikërisht ky mjet u gjet i djegur në rrethinat e Durrësit. Për policisë rrëmbimi i 49-vjeçarit me origjinë nga Puka e banues në Bathore mbetet ende një mister, pasi Jan Prenga nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penalë.




Skip to toolbar