Ambasadori gjerman takim me Vitore Tushën: Të ngrihet sa më shpejt Gjykata Kushtetuese

Ambasadori gjerman i akredituar në Tiranë, Peter Zingraf zhvilloi sot një bisedë me Kryetaren aktuale të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.

Ambasadori gjerman, vuri theksin në ngritjen sa më parë të gjykatës Kushtetuese, si një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE.

 “Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm.

Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi.”- shkruan Zingraf përmes një postimi në facebook.

Përvoja nga Tanzania në Irlandë, ambasadori i ri gjerman vjen në kulmin e krizës në Tiranë

Këtë të martë, Peter Zingraf  ka dorëzuar  letrat kredenciale te Presidenti Ilir Meta, duke marrë zyrtarisht detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Zingraf vjen në këtë detyrë për të zëvendësuar Susanne Schütz, që la detyrën pasi i mbaroi mandati në muajin korrik. Po kush është Peter Zingraf?  Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, ka publikuar të martën në faqen zyrtare në internet, një përshkrim të shkurtër të Peter Zingraf. Ambasadori Zingraf, ka studiuar për romanistikë, histori letërsie frënge dhe italiane në Agjen, Poiteiers në Francë dhe në Firence në Itali.

Ai ka  punuar për disa kohë si bashkëpunëtor në universitetin e Aachen dhe Freiburg im Breisgau. Peter Zingraf është i martuar dhe ka dy vajza. Pjesë e politikës dhe diplomacisë, ai është bërë në vitin 1993 kur u bashkua me Shërbimin e Jashtëm, në Bonn, ku ndenji deri në vitin 1994. Në vitin 1995 ai ishte nëpunës i deleguar pranë Ministrisë së Jashtme në Itali, ndërs në vitin 1996 ai emërohet ambasador i Gjermanisë në Varshavë.

Në vitin 1999 ai rikthehet pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, duke u bërë pjesë Departamentit të Kulturës. Në vitin 2002 Peter Zingraf merr drejtimin e amabasdës gjermane në Daressalam në Tanzani. Në vitin 2005 ai rikthehet përsëri si i punësuar pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, ndërsa në vitin 2010, ai emërohet ambasador në Dublin të Irlandës. Në vitin 2013 rikthehet si këshilltar i Presidentit Federal, në departamentin e politikës së jashtme, ndërsa në 2016 rikthehet përsëri në Ministrinë e Jashme, detyrë që ka  mbajtur deri në momentin që është emëruar amabasdor i Gjermanisë në Tiranë.

Duke u nisur nga CV e pasur, Gjermania duket se ka zgjedhur një personalitet në fushën e diplomacisë, për të bërë politikat e saj në Shqipëri. Vendi ynë është prej më shumë se gjysmë viti në një krizë të paprecedent politike, me Gjermaninë dhe vendet e tjera të Quintit, që kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhjen e saj brenda kornizës ligjore.

Peter Zingraf vjen me një mision të vështirë, por të qartë në vendin tonë, mbështetjen për thellimin e reformave, dhe padyshim futjen e politikës në rrugën e zgjidhjes së krizës. Tashmë pritet që pas Gjermanisë, Senati në SHBA të miratojë kandidaturën e Yuri Kim, e përzgjedhur nga Donald Trump, (lexo këtu) si ambasadore e SHBA-së në Tiranë.

Ambasadori i ri gjerman kthen Metën nga pushimet: Do mbështesim reformat

Ambasadori i ri gjerman Peter Zingraf ka nisur ditën e martë zyrtarisht detyrën e tij në Shqipëri, duke zëvendësuar ambasadoren Susanne Schütz, të cilës i përfundoi mandati në vendin tonë. Ardhja e tij ka detyruar edhe presidentin Meta të braktis pushimet në Prevall dhe në ngjitjen e majave të larta si sfidë të re që i ka vendosur vetes.

Zingraf u takua me Presidenti Meta, të cili i dorëzoi Letrat Kredenciale dhe u shpreh mjaft i lumtur që fillon detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane, Zingraf shprehet se do të vijojë mbështetjen e reformave të rëndësishme në Shqipëri dhe integrimin e saj duke shprehur qëndrimin e përsëritur të kancerales Merkel, e cila vetëm një ditë më parë tha se “europa është e bashkuar kur Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e saj.” (lexo këtu)

Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë të ngushta dhe të larmishme. Pres me padurim të njoh njerëz nga fusha të shumta të jetës dhe së bashku të gjejmë mënyra për të thelluar shkëmbimin tonë si dhe mbështetur kursin e reformave në Shqipëri.”- citon Zingraf

Gjatë takimit, presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për përparimin e vendit tonë drejt standardeve demokratike evropiane.” – tha Meta

Ambasadori i ri gjerman Zingraf do të mbështesë Reformën në Drejtësi dhe vënien sa më shpejt në zbatim e saj në mënyrë që të ecet përpara me integrimin e vendit. Presidenti Meta ka qenë shpesh herë sulmues ndaj kësaj reforme, ku nuk ka kursyer as akuzat ndaj ndërkombëtarëve. Le të shpresojmë që ambasador i ri gjerman të mos bëhet pjesë e sulmeve të Metës, i cili duket se e ka kthyer në një hobi të tij kohët e fundit.

Skip to toolbar