Pas situatës së emergjencës së shkaktuar nga tërmeti, vendi futet në një tjetër fazë, atë të rindërtimit. Paralelisht me ndërtimin e banesave për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti, një tjetër sfidë e vendit është dhe plani për rimëkëmbjen e biznesit në zonat e prekura. Opozita ka propozuar një 5 pika për lehtësimin e biznesit nga taksat dhe tarifat e ndryshme për një afat të caktuar kohor. Por, inxhinieri Arben Meçe, anëtar i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, doli kundër mendimit për të zeruar taksat dhe tarifat ndaj biznesit. Meçe tha se mund të bëhet një përjashtim vetëm për TVSH-në, por jo në heqjen e taksave. Madje, sipas tij, në vende të ndryshme të botës kur ndodhin fatkeqësi natyrore, taksat për biznesin rriten me qëllim përballimin e situatës.
“Ky tërmet i shte testues për ndërtimet. Ne e kaluam atë fazën e traumës. Rrisku jonë është dëmtimi i asaj që na mban në këmbë, turizmit. E vërteta e zhduk frikën, që do të thotë se grupet teknike të çertifikojnë ndërtesat. Dhe kur ata të bëjnë këtë të kenë dhe besueshmërinë politike. kur ata të firmosin mbajnë përgjegjësi. Në këtë përpjekje duhet të bashkohemi për të shpëtuar turizmin. Dëmi më i madh janë ato 1.2 miliardë që s`na vijnë më. Në çdo vend të botës krizat nuk kapërcehen me zhdukjen e taksave. Më jepni një model në botë që ul taksat në momente krizat, përkundrazi janë ngritur taksat. Duhet të shpërndahet përgjegjësia. Tezat populiste janë shkatërrim i logjikës. Ne në momentin kur jemi në kulmin e krizës, futet kërkesa politike dhe teza populiste. Unë jam dakord vetëm për pezullimin e TVSH-s, por jam kundër tezave të tjera të propozuara”, tha ndër të tjera Meçe.
Por, eksperti i ekonomisë, Adrian Civici ishte pro idesë për lehtësimin nga taksat dhe tarifat për biznesin në zonat e prekura nga tërmeti. Sipas tij, duhet të ketë një paketë lehtësuese për rimëkëmbjen e biznesit në këto zona. “Ne duhet të nxjerrim në plan të parë të gjithë argumentat inxhinierike për të bindur njerëzit se ato ndërtesa janë të sigurta. Të tilla fatkeqësi kanë ndodhur edhe në vende të tjera dhe janë rindërtuar. Nëse do pranojmë logjikën që do ndërhyjmë për të rindërtuar dëmet, duhet të pranojmë logjikën që do ndërhyjmë për të rindërtuar biznesin. Në një vend me vështirësi ekonomike, është paketa tjetër për ringritjen e biznesit. Një nga mundësitë është kjo e lehtësimit duke hequr taksat, ose do përgatisësh paketa për ta stimuluar”, tha Civici.
Ndërkohë, gazetari Sokol Balla shtroi një pyetje, nëse një qytetar që kishte planifikuar të investonte duke blerë një apartament në Durrës, a duhet të ketë frikë për të investuar në këtë qytet pas tërmetit. Sipas ekspertëve, askush nuk duhet të tërhiqet nga investimi. “Duhet ta blesh. Situata do kalojë. Tregu imobiliar është tronditur shumë”, tha Adrian Civici. Ndërkohë, Arben Çoçoli shkoi më tej, duke u shprehur se aktualisht investimi në Durrës do të sjellë përfitime të mëvonshme për qytetarët. Sipas tij, për shkak të frikës, aktualisht ka një rënie të çmimeve të pronave në Durrës. Por, në të ardhmen, çmimet do të rriten.
“Unë do u këshilloja ta blini atë pronë. Unë besoj se Durrësi brenda pak muajve do të jetë kantier i Shqipërisë. Mundësia për të konsumuar në Durrës do të jetë me kosto pak më të ulët, për shkak të kësaj situate. Qeraja në Durrës do të rritet shumë shpejtë. Një euro që do investoni në Durrës do të kthehet shumë shpejt”, tha Çoçoli. Ndërkohë, lidhur me donacionet nga institucionet ndërkombëtare, ekspertët u shprehën se Bashkimi Europian, por dhe institucione financiare presin që Shqipëria të bëjë bilancin përfundimtar të dëmeve.
“Bashkimi Europian pret që të dali kostoja reale dhe pastaj të japi para për rindërtimin. Ata kanë mekanizma për rindërtimin. Banka Botërore, FMN, BERZH presin që të dalin letrat dhe pastaj flasin. Ato vijnë me një program afatgjatë. Donatori kërkon një plan afatgjatë të qëndrueshëm”, tha Çoçoli. Ndërsa Adrian Civici u shpreh se institucionet ndërkombëtare nuk kanë raporte të mira me besueshmërinë te institucionet shqiptare. “Shkalla e besimit për institucionet dhe qeverisjen shqiptare është shumë e dobët në raport me donatorët ndërkombëtar. Tani që u përballuan dëmet e para, ata presin planin e rindërtimit, vizionin dhe koston”, tha Civici./Realstory.al/