“Do hetojnë kriminelët”, SHBA mbështet trajnimin e 8 oficerëve shqiptarë

Ambasada e Shtetve të Bashkuara të Amerikës njoftoi pasditen e të shtunës se mbështeti trajnimin e 8 oficerëve të Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Këta oficerë, të mbështetur nga Byroja Ndërkombëtare e Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u trajnuan në Hungari lidhur me trafikun e armëve. Sipas ambasadës së SHBA në Tiranë, trajnimi do të ndihmojë policinë në zbulimin e trafikantëve të armëve të zjarrit dhe hetimin e kriminelëve, që përdorin armë zjarri në krime të dhunshme.

“Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës mbështeti pjesëmarrjen e tetë oficerëve të Policisë së Shtetit në trajnimin mbi Trafikimin e Armëve të Vogla, të organizuar nga Akademia e Zbatimit të Ligjit Ndërkombëtar (ILEA) në Budapest, Hungari. Përgjatë katër ditëve, oficerët u përqëndruan në kurrikulat e lidhura me trafikimin e armëve të zjarrit, teknikat hetimore, planifikimin e operacioneve dhe pikasjen e mashtrimeve”.

“Ky trajnim do të ndihmojë policinë në zbulimin dhe kapjen e trafikantëve të armëve të zjarrit dhe në hetimin e kriminelëve, të cilat përdorin armë zjarri në krime të dhunshme. Ne përgëzojmë oficerët për përfundimin e trajnimit dhe jemi krenarë që kemi bashkëpunuar me organet ligjzbatuese shqiptare në këtë përpjekje”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Skip to toolbar