Politikanët ekologjistë Cem Özdemir dhe
Claudia Roth janë kërcënuar me vdekje nga persona që dyshohet se janë
ekstremistë të djathtë. Policia ka shtuar masat e sigurisë.
Cem Özdemir është kërcënuar me vrasje nga një
rrjet i cili është renditur ndër ekstremistët e djathtë. Mediat gjermane
njoftojnë se në zyrën e politikanit ekologjist me origjinë turke ka ardhur në
fund të tetorit një e-mail, ku thuhet se “ai gjendet lartë në listën e
personave që do të vriten. E-mailin e ka dërguar një grup me emrin Divizioni i
Armëve Atomike (Atomwaffen Division –
AWD), nga SHBA. Ky rrjet ka kërcënuar me vdekje edhe politikanen ekologjiste
Claudia Roth. Lajmin e ka botuar grupi i gazetave nga Eseni – Funke
Mediengruppe. Özdemir tha se fjalët dhe kërcënimet janë shumë më të rrezikshme
se “ofendimet e zakonshme”. Ndaj autoritete kanë reaguar menjëherë
dhe kanë shtuar masat e sigurisë.
Reagimi
i autoriteteve
“Për momentin jemi duke shqyrëtuar
mundësitë e vrasjes, në ndonjë prej tubimeve të ardhshme publike? Apo do t’ju
kapim para vendbanimit tuaj?” Kështu citon Funke-Medien këtë e-mail.
Özdemir ka njoftuar menjëherë Zyrën Federale Kundër Kriminalitetit (BKA) dhe
policinë e Bundestagut. Ndryshe nga kërcënimet tjera nga e kaluara, Özdemir dhe
Roth i kanë kuptuar këto kërcënime shumë seriozisht. Autoritetet kanë shtuar
masat e sigurisë. Përbërja e kërcënimeve ndaj Özdemir dhe Roth ka qenë në
ngjashme – në të dyja ka pasur kërcënime konkrete me vrasje.
Niveli
i lartë i kërcënimeve
Pjesëtarët e AWD bëhen në SHBA përgjegjës për
shumë vrasje dhe sulme të planifikuara. Ata janë të organizuar në qeliza,
komunikojnë me gjuhë sekrete në internet dhe bëjnë thirrje raciste. BKA ka
paralajmëruar për rrezikun nga grupet e këtilla në vitin 2018. “Rreziku
nga sulmet e grupeve ekstremiste në Gjermani mbetet në një nivel të lartë
abstrakt, edhe pas paralajmërimeve për ekzistencën e AWD në Gjermani.”
Özdemir ka deklaruar për Funke-Zeitungen, se
“e ndjen veten të sigurt në duart e BKA”. “Por si qëndron puna
me politikanët e shumtë lokalë, të cilët angazhohen kundër ekstremizmit dhe nuk
kanë mbrojtje?” Kriminaliteti i përhapjes së urrejtjes duhet të luftohet
me vendosmëri dhe kundër personave të këtillë duhet të ngrihen aktakuza. Në
qershor është vrarë politikani Walther Lübcke. Ndërsa muajt e fundit janë
kërcënuar me vdekje nga ekstremistët e djathtë edhe politikanë të tjerë
federalë, në lande dhe komuna – ndër ta edhe kandidati i CDU për kryeministër
në zgjedhjet e fundit të Tyringisë Mike Mohring./DW/
Të mërkurën pasdite,
kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, publikoi një video, ku rendiste, sipas
tij, pesë arsyet pse Edi Rama ka frik nga Vettingu i politikanëve. Sipas kryedemokratit,
kreu i qeverisë ka frikë nga vettingu, pasi ‘është i lidhur me kriminelët’. Por,
ndonëse drafti për Vettingun në politikë u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar
në Kuvend, ishte i pari Komisioni i Venecias që hodhi poshtë draftin e opozitës
për këtë project-ligj. Realstory.al sjell në kujtesë të lexuesve, disa nga
argumentat, ku Komisioni i Venecias gjeti paqartësi ligjore për Vettingun në
politikë.
“Megjithë qëllimin e
ligjshëm në situatën aktuale në Shqipëri – distancimi nga ofenduesit dhe
ndikimi i tyre në qeverisjen e profilit të lartë dhe jetën politike – drafti i
propozuar kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve nuk arrin të
ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, madje edhe në
nivelin kushtetues, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të
ndjeshme, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen. Sa i
përket konceptimit të tij aktual, vetingu i propozuar nuk ka qartësi ligjore
dhe siguri ligjore, si për sa i përket qëllimit të tij, arsyet për moszgjidhje
dhe humbjen e mandatit, dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ai
gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit”, shkruhej në pikën e parë të
konkluzioneve të raportit të opinionit të Komisionit të Venecias.
Më tej, Venecia ngrite
dyshime dhe paqartësi mbi disa temra juridik të përdorur nga PD në draftin e
ligjit për Vettingun e politikanëve, ndërsa tregonte se disa dispozita ligjore
krijonin mundësin e mosbzatimit të procesit të rregullut e të duhur ligjor. “Projektligji nuk arrin të përcaktojë elemente
të caktuara kryesore, veçanërisht (i) se çfarë nënkuptohet pasja e kontaktit me
persona të caktuar (ii) çfarë nënkuptohet me përfshirje në krimin e organizuar
dhe (iii)çfarë nënkuptohet me përfshirje në rrethin e subjekteve që kanë
kontakte me personal. Është e paqartë se cilat dispozita duhet të udhëheqin
procedurën e verifikimit. Mungesa e deklaruar (përveç kërkesës për një shumicë
prej 3/5) në një propozim që gjithsesi në disa vende janë mjaft të detajuara,
së bashku me futjen e propozuar të dy dispozitave kryesore në Kushtetutë si
“masë e jashtëzakonshme” krijojnë mundësinë e moszbatimit të procesit të
rregullt, të duhur ligjor, pra që procedurat të mos zbatohen”, shprehej
Komisioni i Venecias.
Një tjetër dyshim i rëndësishëm
sipas Venecias, ishte dhe fakti se kush do të kryente verifikimin e zyrtarëve
publikë dhe kandidatëve zgjedhorë, duke shprehur opinionin se në këto ‘aspekte
siguria ligjore mungon’. “Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e
zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një
organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Gjithashtu, nuk është e qartë
nëse çdo skualifikim duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar në kohë. Në këto
aspekte siguria ligjore mungon. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse
për të shmangur rrezikun që do të përdoret në një politikisht i njëanshëm ose
arbitrar”.
Drafti i propozuar nga
opozita për Vettingun e politikanëve, binte poshtë edhe në disa pika të tjera,
sipas Venecias, ku ndër to ishte mungesa e parashikimit të një vendimi gjyqësor,
për të kufizuar të drejtën e personave për t`u përfshirë në proceset zgjedhore.
“Në kërkesën e tij për zyrtarët e zgjedhur, projektligji nuk është në përputhje
me Nenin 3 të Protokollit të Parë të KEDNJ-së dhe Kodi i Praktikës së mirë në
çështjet zgjedhore, si terreni i propozuar i ri – duke pasur kontakte me
persona të përfshirë në krimin e organizuar- ofron një mundësi shumë të gjerë
për të kufizuar të drejtën për të qëndruar në zgjedhje pavarësisht nga natyra e
“kontakteve”, nuk parashikon një vendim gjyqësor ose një vendim nga një tjetër
organi i pavarur për heqjen e lirisë dhe kufizimit nuk ka një natyrë të
përkohshme. Siç duket, propozimi në të vërtetë mund të çojë lehtësisht në më
shumë shembuj të abuzimit me pushtetin”.
Dhe në fund, për shkak të këtyre paqartësive, Komisioni i Venecias shprehej se gjithçka i mbetet në dorë Parlamentit dhe politikës shqiptare për të gjykuar dhe vepruar, duke ndjekur rrugën e dialogut konstruktiv. “Për më tepër, merren parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligji për Dekriminalizimin), si dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, ligjet e shtuara vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje. I përket Parlamentit shqiptar të vendosë për hapat e ardhshëm në lidhje me propozimin ndryshimet kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, thuhej në disa prej pikave të konkluzioneve që arrinte Komisioni i Venecias për ligjin e Vettingut në politikë, që propozoi PD një vit më parë. /Realstory.al/
Kryetari i Partisë Demokratike ka publikuar
pasditen e të mërkurës një video, ku tregon sipas Lulzim Bashës, pesë arsyet “pse
Edi Rama ka frikë vetingun e politikanëve”. Paraprakisht, vetingu në politikë është
një propozim i hershëm i Partisë Demokratike, i ngjashëm me modelin e vetingut
në sistemin gjyqësor, ndërsa një vit më parë rreth propozimeve të PD ka dhënë
opinion dhe Komisioni i Venecias. Megjithatë, Realstory.al bën një ‘fact
checking’ për videon me pesë arsyet, që sipas Bashës, vettingu i politikanëve
tremb Ramën.
“Vetingu i politikanëve kërkon një shumicë
prej 93 votash në Parlament. Edi Rama ka mbushur parlamentin me kriminelë që
nuk votojnë fundin e tyre”, shkruan Basha në video mesazhin e shpërndarë në
rrjetet sociale.
Gabohet! Parlamenti ka mbi 120 deputetë aktualisht, kuorum i nevojshëm për të miratuar draft-ligjin, që sipas Bashës, mazhorancës i mungojnë votat. Madje, në kushtet aktuale, nëse ky draft do të shkonte në Kuvend për votim, ekziston mundësia që drafti të votohet me më shumë se 93 vota, pasi deputetët e opozitës në Parlament, kanë shprehur vullnet të mbështesin çdo ligj që i shërben pastrimit të sistemit politik. Fakti është, se vetëm një muaj më parë, ishin votat e deputetëve të opozitës së re në Kuvend, që miratuan dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, që mbaheshin peng prej (lexo këtu) gati tre vjetësh nga PD dhe LSI. Pra votat në Kuvend janë. Sa i përket fjalisë se “Edi Rama ka mbushur Parlamentin me kriminelë që nuk votojnë fundin e tyre”, përsëri Basha gabohet, pasi për këtë mjafton të kujtojë vetëm miratimin e ligjit të dekriminalizmit, që u votua nga shumë deputetë, që më pas ishin subjekt i tij dhe humbën mandatin.
“Vetingu i politikanëve heton të gjithë
zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat dhe kandidatët e pushtetit vendor. Edi
rama vodhi zgjedhjet për të mbushur bashkitë me të dënuar për trafik droge dhe qeniesh
njerëzore”.
Gabohet! Në fakt, lidhur me këtë pikë, merr vlerë opinioni i Komisionit të Venecias i 30 nëntorit të vitit 2018, ku shprehej ndër të tjera: “Siç është aktualisht, propozimi i verifikimit nuk ka qartësi ligjore dhe siguri juridike, si për sa i përket qëllimit të synuar, arsyet për moszgjidhje dhe humbje të mandatit dhe mekanizmin e zbatimit të tij. Në shumë aspekte, ajo gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit. Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve zgjedhorë dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun që mund të përdoret në një mënyrë të politizuar ose në mënyrë arbitrare”, thuhej ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias.
Megjithatë, lidhur me këtë pikë që Basha e cilëson
si “arsye frike për Ramën nga Vettingu i politikanëve”, kryedemokrati duhet të ketë
parsysh se gjithë çfarë thotë, do të jetë objekt i punës së Prokurorisë
Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larata. Pra Vettingu s`mund
të kryejë detyrën që do të ketë SPAK, që nis në shtator.
“Vetingu i politikanëve largon përgjithmonë
nga jeta publike kriminelët në politikë dhe zbulon rrjetet e tyre mafioze. Edi
Rama e mban pushtetin me kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin”, shkruan
Basha.
Gabim! Në fakt, për këtë pikë, Lulzim Bashës
nuk i nevojitet një Vetting politikanësh, pasi vetë PD e tij propozoi dhe gjeti
mbështetjen e mazhorancës për ligjin e dekriminalizmit. Mjafton të kujtosh
rezultatin e fundit me Valdrin Pjetrit, një denoncim bërë nga PD, për të
kuptuar se në këtë rast nuk nevojitet një Vetting për politikanët, për t`i
mbajtur ata larg funksioneve publike, por mjafton një funksionim normal i
strukturave që ngarkon ligji i dekriminalizmit, për të verifikuar pastërtinë e figurës
për personat që synojnë të bëhen pjesë e politikës apo funksioneve publike në
vend.
“Vetingu i politikanëve heton dhe largon të
gjithë politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Edi Rama grabit
shqiptarët dhe pasurohet bashkë me bandën e tij në politikë”.
Gabohet! Edhe në këtë pikë ka institucione përgjegjëse
të cilat kanë detyrë për të hetuar pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve publikë.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, është institucioni përgjegjës që
heton pasuritë e politikanëve, dhe në rast dyshimesh apo përfitimesh të
paligjshme, ky institucion ia adreson çështjen organeve hetimore në vend. Me
ngritjen e SPAK, gjërat do të jenë dhe më funksionale.
“Vetingu i politikanëve e përfshin kryeministrin
e Shqipërisë. Edi Rama ka frikë vetingun. Ai është në krye të kupolësë së
krimit, që po mban peng Shqipërinë”.
Gabohet! Në fakt, detyrën për të hetuar zyrarët
më të lartë të kupolës politike në vend dhe jo vetëm, do ta ketë SPAK.
Prokuroria Speciale e Anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojë
punë në shtator. Ashtu si pak ditë më parë lajmëronte ambasada e SHBA me një
video në rrjetet sociale, SPAK do të hetojë, jo vetëm kryeministra e ministra,
por edhe presidentin. Pra është SPAK institucioni që do të hetojë gjithë shkelësit
e ligjit dhe politikanët e korruptuar pa pasur nevojë për organe të tjera shtesë,
që veç të tjerash do të ishin barrë për buxhetin e shtetit, dhe njëkohësisht do
të ishte një institucion paralel me institucionet e drejtësisë./Realstory.al/
Lulzim Basha u ka thënë banorëve të Cërrikut,
sipas një materiali dërguar nga zyra për shtyp e PD, se “kriza politike do të
zgjidhet vetëm kur të arrestohen politikanët e korruptuar”. Kryedemokratik ka zhvilluar
një takim me simpatizantët e tij në Cërrik, ku mësohet t`u ketë thënë se kriza
nuk do të mbyllet, pa çuar para drejtësisë, sipas Bashës, politikanët që janë kapur
në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve.
“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo
përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet
me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para
drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të
pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë
fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm
me politikanë me pranga në duar.”- tha Lulzim Basha.
Në këtë kontekst, Lulzim Basha duket se nuk
do të ulet në tryezën e dialogut, pa plotësuar kushtin e tij të ri, që është “Pranga
politikanëve”. Në fakt, ngritja e SPAK, parashihet si mundësia e vetme që
politikanë të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të vihen para drejtësisë. Kjo strukturë
pritet të jetë funksionale në fund të muajit shtator, ndërsa në fillim të
tetorit priten të hapen dhe dosjet e para që do të hetohen nga prokurorët e
Prokurorisë së Posaçme.