Basha pret SPAK-un për zgjidhjen e krizës (të arrestohen politikanët)

AKTUALITET


Lulzim Basha u ka thënë banorëve të Cërrikut, sipas një materiali dërguar nga zyra për shtyp e PD, se “kriza politike do të zgjidhet vetëm kur të arrestohen politikanët e korruptuar”. Kryedemokratik ka zhvilluar një takim me simpatizantët e tij në Cërrik, ku mësohet t`u ketë thënë se kriza nuk do të mbyllet, pa çuar para drejtësisë, sipas Bashës, politikanët që janë kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar.”- tha Lulzim Basha.


Në këtë kontekst, Lulzim Basha duket se nuk do të ulet në tryezën e dialogut, pa plotësuar kushtin e tij të ri, që është “Pranga politikanëve”. Në fakt, ngritja e SPAK, parashihet si mundësia e vetme që politikanë të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të vihen para drejtësisë. Kjo strukturë pritet të jetë funksionale në fund të muajit shtator, ndërsa në fillim të tetorit priten të hapen dhe dosjet e para që do të hetohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.




Skip to toolbar