Në Shkodër duan ‘autonomi’: Nuk përkulemi, po bëhen arrestime politike

Pas përfundimit të konstituimit të këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, dega lokale e Partisë Demokratike në Shkodër ka reaguar me një status në rrjetet sociale. Në shkrimin e publikuar, PD e Shkodrës shprehet se qytetit veriperëndimor i vendit nuk “iu përkul komunizmit” dhe kurrsesi nuk do të “pranojë përkuljen ndaj Edvin Ramës”.

“Shkodra, nuk iu përkul komunizmit e kurrsesi nuk do ta pranojë as përkuljen ndaj Edvin Ramës! Protesta e sotshme ishte shprehja më e qartë e vullnetit të qytetarëve të Shkodrës,e konstituimi i këshillit ilegjitim bashkiak, asgjë tjetër veç një shfaqje e turpshme që kurrsesi nuk i ngjan një konstituimi të vërtetë, kur vendi i organizimit ndërrohet në sekondën e fundit e mbledhja organizohet me prezencën e forcave të FNSH-së”, shkruan PD e Shkodrës.

Më tej, në këtë shkrim, PD shprehet se arrestimi i kryetarit të forumit rinor të PD-së, Arvit Bushai është politikë, ndërsa shprehen se “ne jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo kusht Shkodrën nga pushtimi i Rilindasve”.

“Një shfaqje qesharake brenda një celule të uzurpuar me forcë nga klika e Ramës.Shfaqje që vazhdon me arrestimet politike njësoj si etërit e tyre,në mes të të arrestuarve edhe kryetari i forumit rinor të Partisë Demokratike,Shkodër Arvit Bushati.Ne jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo kusht Shkodrën nga pushtimi i Rilindasve të cilët përveç krimit e drogës nuk ndjellin kurrë asgjë të mirë. Të gjithë bashkë për të mos pranuar që e keqja të mbysë djepin e demokracisë”, përfundon reagimi i PD-së.

Si do ta ‘shkundë’ SPAK politikën, nga hetimet deri te sekuestrimet

Fundi i vitit 2019 dhe fillimi i vitit 2020 pritet të tregojnë efektin e vërtetë të reformës në drejtësi. Deri më tani i vetmi proces që po ecën me ritme të kënaqshme është ai i vetingut, ndërsa ligjet e tjera të reformës po hasin probleme. Por ajo që do i vendosë kapak gjithçkaje do jetë Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Në tetor Prokuroria Speciale do jetë gati dhe pas saj nis ngritja e Gjykatës Speciale dhe Byroja e Hetimit.

Më pas do përzgjidhet stafi ndihmës dhe në fund të vitit plani është që të nisë puna për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por me ngritjen e SPAK nuk do jetë aq e lehtë për të korruptuarit. Deri më tani kemi parë me dhjetëra raste kur janë hetuar pushtetarët dhe prokuroria në asnjë moment nuk ka bërë verifikim pasuror.

Me ngritjen e SPAK nuk do jetë më kështu. Në kuadër të reformës në drejtësi ka ndryshuar dhe ligji Antimafia. Sipas tij, në momentin që një person është në hetim për afera korrupsioni apo dënohet më pas, ndaj tij duhet të bëhet verifikimi pasuror. Nëse shihet se pasuria është vënë nga korrupsioni, ajo do duhet të sekuestrohet, shkruan “Sot”.

Sipas ligjit, hetimi financiar do shtrihet përveç te personi i akuzuar, deri te bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat dhe bashkëjetuesi. Nëse shihen deklarimet në ILDKP të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, kanë pasuri që shkon në qindra apo miliona euro. Nëse ndaj tyre nis një proces hetimor, me gjasë pasuritë do sekuestrohen.

Në ligj janë treguar dhe rrugët që do ndiqen në rast se ka dyshime se një pasuri është vënë përmes drogës, trafiqeve apo korrupsionit. Prokurori fillimisht nis hetimet për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, nivelin ekonomik dhe burimet e të ardhurave të tyre, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Verifikimet bëhen, në veçanti, nëse këta persona janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute, financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti, ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare, si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.

Kur prokurori zbulon se ka elementë që tregojnë se pasuria është vënë përmes krimit i drejtohet gjykatës për të dhënë urdhër që ajo të sekuestrohet. Kur lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare, zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe dispozitat përkatëse procedurale.

Prokurori, drejtpërdrejt ose nëpërmjet Policisë Gjyqësore, mund të kërkojë pranë çdo zyre të administratës shtetërore, enti a personi juridik publik, personave të tjerë fizikë dhe juridikë, të dhëna dhe kopje të dokumenteve, që vlerësohen si të domosdoshme për qëllime verifikimi ndaj pasurive./SOT

Sokol Balla: Duhen dy kryeministra për të zgjidhur krizën në vend

Gazetari Sokol Balla ishte i ftuar mbrëmë në studion e Mustafa Nanos në ABC news ku dha një zgjidhje krejt origjinale për krizën politike në vend. Balla tha se duhen dy kryeministra që të zgjidhet kriza, pra edhe Basha edhe Rama, që jo të dublojnë njëri-tjetrin, por të kontrollojnë njëri-tjetrin.

“Basha thotë se duhet të ikë Rama, kur se unë them të vijë Basha. Pra të ishin dy kryeministra, Rama dhe Basha. Jo të dublonin njëri-tjetrin, por të kontrollonin njëri-tjetrin. Të krijohej një koalicion i gjere që të përgatiste vendin për zgjedhjet e vitit 2021.  Kjo e dy kryeministrave është “një sajesë” shqiptare për të çuar vendin në zgjedhjet e vitit 2011.  Ti nuk mund ti thuash Edi Ramës të ikë, sepse në momentin kur i thua ti je shumicë. Ata nuk duhet të ndajnë pushtet, por përgjegjësi”, u shpreh gazetari Sokol Balla.

Ai tha se prej 30 vjetësh janë të njëjtat grupime politike që duan që vendi të digjet vetëm që dikush të ikë nga pushteti. E njëjta gjë sipas tij, ndodhi në vitin 1997 dhe e njëjta gjë po ndodh tani.

“Kemi 26 vjet që nga koha kur ishim bashkë në Partinë Demokratike. Mjekra ime dhe flokët e tua janë më të vlefshme se demokracia shqiptare sot.  Ne të dy kemi bërë përpjekje brenda Partisë Demokratike dhe jashtë saj. Qëllimin e mirë besoj se ty dhe mua nuk e vë kush në dyshim.

Janë të njëjtit njerëz, ata që donin të digjej Shqipëria në vitin 1997 vetëm që të ikte Sali Berisha nga pushteti.

Dakord që digjej Shqipëria, po ne ku do të jetojmë?”, u shpreh Balla

Gazetari u pyet nëse parashikon se do të ketë përplasje të mundshme civile gjatë zgjedhjeve. Por Balla tha se nuk e beson se do të ketë një gjë të tillë. “Unë nuk besoj se do të ketë njerëz që do të sulmojnë qendrat e votimit dhe njerëz që i mbrojnë ata”, tha ai.

Balla u ndal edhe tek reforma në drejtësi, duke i konsideruar klithma dëshpërimi ata që janë kundër.

“Këto janë klithma dëshpërimi të atyre që do të ndodhë pas disa muajsh me krijimin e Gjykatës Speciale, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë. SPAK-u nuk do të kursej asgjë.  Kjo është bukuria dhe brutaliteti. Ka edhe nga ata nga PS që kanë më shumë frikë se ish-ministrat e PD-së.  Aty nuk do të shihet nëse dikush është i PD-së apo i PS-së. Ata duhet të kenë shumë frikë”, tha drejtuesi i Real Story.

Moment kritik për vendin, gjeni zgjidhje! Mesazhi i Pashkëve për politikën

Në ditën e Pashkëve, në urimin për mbarë shqiptarët, Imzot George Frendo ka ndarë dhe një mesazh për politikën shqiptare. Ndërsa ka thënë që në krye të fjalës së tij se vendi ndodhet në një moment kritik, ai bëri thirrje që politikanët të gjejnë sa më parë një zgjidhje.

“Sivjet po kremtojmë pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në vendin tonë. Unë nuk jam politikan, nuk po flas si politikan por jam bari dhe si bari shpirtëror që e do Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund të hesht përballë kësaj situate. U bëj apel të gjithë politikanëve, kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rëndë dhe sa më shumë të zgjasë, më të mëdha do jenë pasojat për popullin. Ne nuk duam vetëvrasjen e kombit. Krishti i ngjallur në takimet e tij me njerëz pati gjithmonë të njëjtin urim ‘Paqja me ju’, atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti iu thotë falni ashtu sikurse unë iu kam falur. Atyre që protestojnë me dhunë, me vandalizëm Jezusi i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit kur i tha ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën nga shpata do të vdesin. Dhe atyre që kanë autoritet politik iu kujton se në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët apostujve iu tha ‘ju dhashë shembull; që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin. Ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe shpresa nuk na bën optimistë, por na jep kurajë për të përballuar problemet dhe na bën të aftë për t’u angazhuar për një shoqëri më të mirë. Ju uroj nga zemra paqen e gëzimin e Krishtit! Gëzuar!”, u shpreh imzot George Frendo në gjuhën shqipe.

Skip to toolbar