Në një takim që zhvilloi sot me kryetarin e Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që t’i kthejë pronat bashkësive fetare dhe të garantojë kompensimin e tyre sa më parë.
Në këtë takim Presidenti Meta përgëzoi kryetarin Spahiu për zgjedhjen e tij në krye të kësaj bashkësie fetare, vlerësoi rolin e shquar të Komunitetit Mysliman, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend, si dhe në forcimin e shtetit tonë.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes institucioneve fetare në vend me ato shtetërore në të gjitha fushat, që nga arsimi, shëndetësia, solidariteti shoqëror me më të pamundurit dhe njerëzit në nevojë.
Gjithashtu u theksua roli i jashtëzakonshëm i bashkësive fetare, në veçanti të KMSH, për mbajtjen e rinisë larg veseve, drogës dhe kriminalitetit, që dëmtojnë kohezionin social dhe shkatërrojnë familje e jetë njerëzish.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e funksionimit të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri, si një instrument që forcon bashkëjetesën, harmoninë dhe solidaritetin në vendin tonë.