Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare, Edi Rama propozoi disa ndryshime në rang qarqesh, duke i besuar drejtimin politik të Shkodrës Valdrin Pjetrit. Në këtë mënyrë, Rama lë pa post Ditmir Bushatin, deputetin dhe ish-ministrin, që më herët ishte dhe drejtues politik i qarkut verior të vendit. Rama nuk dha arsye se pse e bënte këtë ndryshim, duke mos e përmendur fare Ditmir Bushatin, por ish-ministri shkodran, ka folur vetë pas mbledhjes së asamblesë, duke u shprehur se “mungesa e ofiqit, i jep mundësinë të punojë më shumë për të vijuar projektet për të cilat jam angazhuar”.
“Faleminderit për durimin dhe pritjen, të jeni të qetë se do kemi komunikime të tjera, nuk ka rëndësi posti, rëndësi ka për çfarë çështjesh luftoj e punoj, mungesa e ofiqit më ndihmon të çoj përpara projektet për të cilat jam angazhuar”,-tha ai për mediat.
Bushati nuk bëri të ditur se për çfarë projektesh është angazhuar brenda Partisë Socialiste, tashmë që nuk ka asnjë post politik në të, qëkur iku edhe si Ministër i Punëve të Jashtme. Megjithatë, deputeti socialist ka qenë një nga zërat disi kritikë të Qeverisë kohët e fundit, i cili gjatë seancës parlamentare ku miratua rezoluta për shkarkimin e Ilir Metës, u shpreh se “qeveria kishte humbur lidhjen me qytetarët”.
Në fakt, atë që Bushati e tha në seancën e rreth një muaji më parë në Parlament, Rama e konfirmoi të martën para anëtarëve dhe drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste në Asamble, duke u shprehur se: “nga sot të gjithë socialistët duhet të zbresin në tokë, në një proces dialogu dhe debati kombëtar, për të korrigjuar problemet në qeverisje”.