Kryeprokurori, KLP pyet nesër tre kandidatët

Të mërkurën (13.11.2019), tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsjan Çela, do të dalin përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të dhënë intervistën. E para që do të dalë përpara trupës prej 11 anëtarësh të KLP-së, është Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, e cila tashmë synon të fitojë mandatin e plotë si Kryeprokurore.

Seanca e intervistës me Arta Markun do të zhvillohet në orën 09:30 të mëngjesit. Pas saj, në orën 11:00 është parashikuar që përpra anëtarëve të KLP të paraqitet kandidatja Fatjona Memçaj, ndërsa i fundit që do të pyetet, në orën 12:30, është kandidati Olsian Çela.

Ndërkohë, intervistat e të tre kandidatëve do të regjistrohen në zë dhe figurë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Një ditë para mbajtjes së këtij procesi, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi thirri mbledhjen e radhës të institucionit që drejton, ku një ndër pikat që u diskutua ishte deklarimi i anëtarëve të KLP për pasjen ose jo të konfliktit të interesit me tre kandidatët për kryeprokuror.

Në fund rezultoi se anëtarja Esmeralda Keshi dhe Tartar Bazaj kanë konflikt interesi me kandidaten Arta Marku. Keshi, referoi si konflikt interesi masën e iniciuar nga Marku, ndërsa Bazaj akuzat mediatike. Megjithatë, për anëtarët e tjerë të KLP-së këto raste nuk përbënin shkak për konflikt interesi, duke rrëzuar pretendimet e Keshit dhe Bazajt. Kshtu, të 11 anëtarët do të votojnë për zgjedhjen e kryeprokurorit.

Sipas kryetarit të KLP-së, një ditë pasi të zhvillohen intervistat me kandidatët për kryeprokuror, do të bëhet dhe pikëzimi i tyre. Sipas ligjit për Funksionimin e Prokurorisë, pasi KLP bën renditjen e kandidatëve në listë, brenda tri ditëve nga data e njoftimit, kandidatët duhet të ankimojnë vendimin nëse nuk janë dakord me renditjen e tyre në listë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, vendimi i KLP merr formë të prerë.

Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgon listën e kandidatëve Kuvendit, që duhet të shprehet brenda 30 ditëve. Sipas Nenit 148/a të Kushtetutës, nëse Kuvendi nuk zgjedh një nga kandidatët brenda 30 ditëve, nga dita e njoftimit për listën e kandidatëve, kandidati i renditur në krye të listës merr automatikisht mandatin e kryeprokurorit. Ndërkohë, ndryshe nga rasti i Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshme e fillon detyrën pasi bën betimin në Kuvend, përcaktuar në Nenin 36 të  ligjit për Funksionimin e Prokurorisë. /Realstory.al/

Mbyllet gara, 4 kandidatë për Prokurorin e Përgjithshëm

Ka përfunduar afati i aplikimeve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.  Janë 4 kandidatë zyrtarë që do të garojnë për këtë post. Konkretisht Fatjona Memçaj, Lulzim Allushaj, Olsian Cela dhe  Arta Marku janë kandidatët zyrtarë, aplikimet e të cilëve kanë mbërritur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Do të jetë pikërisht ky institucion që do të bëjë vlerësimin e emrave dhe më pas 3 nga më të vlerësuarit do t’i kalojnë Parlamentit për shqyrtim dhe miratim.

Rregullorja parashikon 4 kritere kryesore për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorit të Përgjithshëm: Kriteri profesional, kriteri moral dhe të integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë) dhe përgjegjësia për të zgjedhur Prokurorin e ri i i takon parlamentit. Sigurisht që prokurori i ri i Përgjithshëm duhet të ketë kaluar me sukses edhe procesin e vettingut.

Ashtu siç pritej, Marku në garë për kryeprokurore

Arta Marku, që mban aktualisht postin e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme prej më shumë se një viti, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën dhe dokumentacionin e saj pranë KLP-së për të marrë pjesë në garë për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme.

Aktualisht në garë janë edhe 3 kandidatë të tjerë, Olsion Çela prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Fatjona Memçaj aktualisht prokurore në prokurorinë e Apelit, dhe avokati Lulzim Alushaj.

Fatjona Memçaj dhe Arta Marku kanë kaluar me sukses vettingun ndërsa dy kandidaturat e tjera pritet t’i nënshtrohen këtij procesi.

Gara për Prokuror të Përgjithshëm, shtohen kandidaturat

Një tjetër emër i është shtuar kandidaturave për garën për Prokuror të Përgjithshëm. Fatjona Memçaj është kandidatja e re që ka dorëzuar kërkesën e saj pranë KLP.

Memçaj ka kaluar me sukses procesin e vettingut, ndërsa më herët mbante postin e prokurores së Apelit në Tiranë. Ndërsa pak pas saj ka dorëzuar kërkesën edhe avokati Lulzim Alushaj.

Aktualisht numri i kandidatëve në garën për Prokuror të Përgjithshëm ka shkuar në 3, ku disa ditë më parë e ka dorëzuar edhe prokurori Olsian Çela.

Pakurorët që duan të garojnë kanë 30 ditë afat kohor për të dorëzuar dokumentacionin përkatës, pas ditës së nisjes së garës së shpallur nga KLP. Më pas do të bëhet përzgjedhja e 3 kandidatëve të duhur që do i çohen parlamentit për miratim.

Kush është kandidati i parë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm

Olsian Çela është i pari që ka dorëzuar dokumentet e regjistrimit për të kandiduar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Lajmi është konfirmuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Gjatë mandatit të ish-kryeprokurores Ina Rama, prokurori Olsian Çela ka qenë drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda. Tashmë është prokuror në prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Këshilli i lartë i Prokurorisë ka hapur që në datën 1 prill garën për drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke lënë 30 ditë kohë afat për të gjithë prokurorët që të aplikojnë duke dorëzuar dokumentet.

Kandidatët duket të plotësojnë kriterin profesional, atë moral dhe të integritetit, atë organizativ, të jenë drejtues dhe të kenë elementë shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë).

Emri tjetër i sigurt deri tani që kandidon është edhe Arta Marku, kryeprokurorja e Përgjithshme, e Përkohshme.

Skip to toolbar