Kryeprokurori, KLP pyet nesër tre kandidatët

#NËRADAR


Të mërkurën (13.11.2019), tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsjan Çela, do të dalin përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të dhënë intervistën. E para që do të dalë përpara trupës prej 11 anëtarësh të KLP-së, është Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, e cila tashmë synon të fitojë mandatin e plotë si Kryeprokurore.

Seanca e intervistës me Arta Markun do të zhvillohet në orën 09:30 të mëngjesit. Pas saj, në orën 11:00 është parashikuar që përpra anëtarëve të KLP të paraqitet kandidatja Fatjona Memçaj, ndërsa i fundit që do të pyetet, në orën 12:30, është kandidati Olsian Çela.


Ndërkohë, intervistat e të tre kandidatëve do të regjistrohen në zë dhe figurë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Një ditë para mbajtjes së këtij procesi, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi thirri mbledhjen e radhës të institucionit që drejton, ku një ndër pikat që u diskutua ishte deklarimi i anëtarëve të KLP për pasjen ose jo të konfliktit të interesit me tre kandidatët për kryeprokuror.

Në fund rezultoi se anëtarja Esmeralda Keshi dhe Tartar Bazaj kanë konflikt interesi me kandidaten Arta Marku. Keshi, referoi si konflikt interesi masën e iniciuar nga Marku, ndërsa Bazaj akuzat mediatike. Megjithatë, për anëtarët e tjerë të KLP-së këto raste nuk përbënin shkak për konflikt interesi, duke rrëzuar pretendimet e Keshit dhe Bazajt. Kshtu, të 11 anëtarët do të votojnë për zgjedhjen e kryeprokurorit.

Sipas kryetarit të KLP-së, një ditë pasi të zhvillohen intervistat me kandidatët për kryeprokuror, do të bëhet dhe pikëzimi i tyre. Sipas ligjit për Funksionimin e Prokurorisë, pasi KLP bën renditjen e kandidatëve në listë, brenda tri ditëve nga data e njoftimit, kandidatët duhet të ankimojnë vendimin nëse nuk janë dakord me renditjen e tyre në listë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, vendimi i KLP merr formë të prerë.

Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgon listën e kandidatëve Kuvendit, që duhet të shprehet brenda 30 ditëve. Sipas Nenit 148/a të Kushtetutës, nëse Kuvendi nuk zgjedh një nga kandidatët brenda 30 ditëve, nga dita e njoftimit për listën e kandidatëve, kandidati i renditur në krye të listës merr automatikisht mandatin e kryeprokurorit. Ndërkohë, ndryshe nga rasti i Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshme e fillon detyrën pasi bën betimin në Kuvend, përcaktuar në Nenin 36 të  ligjit për Funksionimin e Prokurorisë. /Realstory.al/




Skip to toolbar