Basha heq dorë nga protestat: Në pushtet vetëm me program

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha harron përfundimisht rrugën e protestave. Gjatë takimit të tij me fermerët e Myzeqesë, Basha tha se do të vij në pushtet përmes programeve që demokratët do të paraqesin për qytetarët.

“Zgjidhja do të vijë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne po punojmë që ju të zgjidhni sa më shpejt qeverinë që ju ofron programin që ju mendoni se është më i miri për ju. Ti hap rrugë një qeverie që vjen me votën tuaj të lirë. Rruga për të dalë nga kjo janë zgjedhjet për programin që mendoni se është më i mirë për ju, ky është mekanizmi bazë i demokracisë” tha Basha, duke lënë të kuptohet se rruga e protestave është një çështje e harruar për të.

Gjatë diskutimit me fermerët, Basha u pyet edhe për faktin pse flitet gjithmonë se “ai fle gjumë” dhe nuk bën asgjë. Lideri demokrat tha se këto dalin nga ata persona që mendojnë se po nuk vodhe, je në gjumë. “Këta punë quajnë vjedhjen. Po nuk vodhe këta e quajnë gjumë.”

Basha foli edhe për programin e tij për subvencionimin dhe mbështetjen e fermerëve duke i premtuar se do të heq taksën e karburantit dhe të eliminojë futjen e mallrave të subvencionuara nga jashtë.  

“Mbështetja për fermerët do të bëhet në bazë të sasisë së prodhimit. Prodhimi do të ketë akses në tregun e brendshëm por edhe të jashtëm. Kjo do të bëhet duke eliminuar taksën Rama mbi karburantin dhe duke shtuar kontrollin në dogana për të eliminuar futjen e mallrave të subvencionuara nga jashtë. Kush sjell këto mallra do të paguajë taksë që të mos ju konkurrojë me çmime më të ulëta. Dogana do punojë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Nuk do të keni nevojë për NIPT sepse identifikimi i fermerit shqiptar do të bëhet vetëm me kartë identiteti. NIPT u shpik për t’ju futur ju në vathë. Fëmijët e fermerëve do të paguajnë zero tarifë për universitetin dhe do të kualifikohen në shkolla profesionale për atë sektorë që ju shërbejnë ju” tha Basha.

PD shmang protestat: “Zgjedhorja” dhe BE më të rëndësishme

Opozita paralajmëroi javë më parë, se pas datës 18 tetor, kur do të vendosej për hapjen ose jo të negociatave me BE, do të rikthehej te protestat. Por ndonëse kaloi një javë nga ajo datë, opozita nuk ka vendosur për protestat. Gazmend Bardhi lë të kuptohet se ato do të jenë të largëta, të paktën për momentin, pasi sipas tij, opozita do të fokusohet për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.  “Opozita, PD, ka thirru protesta, edhe në të ardhmen do thërrasë protesta, sa herë të jetë e nevojshme për të sensibilizuar shqiptarët e ndërkombëtarët mbi atë që ndodh në vend. Ende nuk ka një datë për protestat, për shkak se ne gjykojmë që duhet të përqendrojmë energjitë tona në përmbushjen e kushteve që Shqipëria të afrohet sa më parë me BE”, u shpreh numri dy i PD.

Pak ditë pasi u publikua drafti i ekspertëve të thirrur nga Komisioni i Reformës Zgjedhore në Kuvend, PD pritet të propozojë pika të tjera në lidhje me financimin e partive, fushatave zgjedhore dhe administrimin e procesit, në vazhdën e punës për reformën zgjedhore. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, u shpreh se PD ka gati platofrmën e saj. “Kemi gati platformën tonë mbi financimet e partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe administrimin zgjedhor, por është përcaktuar edhe kalendari për çështje e tjera. Ne kemi gati dy nga çështjet, por reforma ka më shumë  se nga këto dy çështje, Ajo që është e rëndësishëm është që palët duhet bëhen bashkë për ta bërë reformën”, tha Gazmend Bardhi.

Gazmend Bardhi u shpreh se kjo reformë duhet të jetë vullnet i të gjitha partive. “Reforma zgjedhore nuk mund të jetë i njërës palë, por produkt i të gjitha partive politike. Në këtë këndvështrim ne jemi të gatshëm, dhe ne presim palën tjetër të tregojë vullnet politik. Të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin për një produkt të caktuar”.

Megjithatë, duke iu përgjigjur Taulant Ballës, që deklaroi se reforma do të kalojë në Komisionin e Kuvendit, Bardhi u shpreh se “kjo është një tentativë e qartë për t’i bërë partnerët ndërkombëtarë dhe shqiptarët për budallenj. Para se të flasim për një proces teknik, ne duhet të flasim në nivel politike. Duhet gjetur vullneti për ta realizuar reformën zgjedhore që duan të gjithë shqiptarët. Opozita politike në vend, nuk janë anëtarë në Komisionet Parlamentare, sepse ne nuk jemi në parlament dhe ne kemi thënë se Kuvendi është ilegjitim, për të gjitha arsyet që në kemi propozuar”, tha Bardhi.

Sipas Gazmend Bardhit, nëse zgjedhjet do të zhvillohen në kushte të barabarta, opozita i fiton ato. Ai shprehet se për PD nuk është problem Edi Rama. “Zgjedhjet e viteve të fundit kanë treguar se Rama nuk ka vullnet për të përmbushur atë që duhet të përmbushë çdo kryeministër në një proces zgjedhor. Nëse palët marrin pjesë në barazi në një proces zgjedhor, PD dhe koalicioni opozitar mund PS dhe padyshim edhe Edi Ramën. Pra, nuk është problem për ne Rama”, u shpreh Bardhi.

Opozita duket sikur lëshon pe, sa i përket kushtit për zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht se shprehet se sa më parë të mbahen aq më mirë do të ishte. Por, sipas Gazmend Bardhit, për Partinë Demokratike nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por standardet. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë sa më shpejt të jetë e mundur janë mundësia e vetme që jo vetëm vendi të dalë nga kriza, por t’u jepet mundësi edhe qytetarëve për një qeveri që punon për interesin e tyre. Detyra e opozitës është të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është problem koha kur mbahen zgjedhjet, por e rëndësishme është të jenë të ndershme e të lira”, u shpreh ai.

Bllokuan rrugën, lirohen 3 protestuesit e ‘Astirit’

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë, 3 nga protestuesit e arrestuar gjatë protestave në zonën e ‘Astirit’, më 11 tetor pasi bllokuan të dyja anët e rrugës. Protestuesit Eduard Ferhati, Tomor Gjata  dhe Ruzhdi Daci janë liruar nga burgu duke marrë masën “detyrim paraqitje”.

Prokuroi Bledar Maksuti kërkoi në pretencën e tij burg për 3 protestuesit, pasi ishin me precedentë të mëparshëm penal por për të njëjtën çështje, por gjyqtarja Rexhina Memlika vendosi lirimin e tyre.

Me ndryshimet e bëra në Kodin Penal, tashmë bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe dënohet me burg deri në tre vjet burg. Mbrëmjen e të dielës, ish deputeti demokrat Klevis Balliu dhe 9 protestues të tjerë u arrestua pasi bllokuan të dyja anët e rrugës në zonën e Unazës së Re. Balliu së bashku me protestuesit pritet të dalin para gjykatës ditën e mërkurë.

Protestat e dhunshme, policia përdor armët për herë të parë në Hong Kong

Hong Kongu nuk gjen paqe. Protestat e dhunshme vazhdojnë, ndërsa për herë të parë që prej nisjes së tyre tre muaj më parë, policia ka përdorur dhe armët e zjarrit. Ky është raportim i mediave ndërkombëtare, që shkruajnë se një oficer policie qëlloi me armë zjarri gjatë protestave të së dielës. Kjo është hera e parë që përdoren armët, që prej nisjes së demonstratave në qershor.

Fotografitë tregojnë se disa oficerë kanë nxjerrë armët ndaj protestuesve, që gjuanin me shkopinj. Ndërkohë, gjatë protestave të së dielës, nuk ka munguar përdorimi i ujit apo gazit lotsjellës. Protesta nisi në zonën e Tsuen Uan, dhe më pas u zhvendos në Tsim Sha Tsui. Demonstratat filluan në qershor të nxitura nga një projektligj ekstradimi.

Qytetarët e Hong Kongut dolën kundër këtij ligji dhe qeverisë, dhe prej qershorit në rrugët e metropolit të madh kinez, kanë nisur protesta të ashpra, ndërsa mediat raportojnë se demonstrata e të dielës ka qenë nga më të dhunshmet dhe me një nivel të lartë të rrezikut për trazira.

Policia është shprehur për mediat lokale se gjuajtja me armë ishte një paralajmërim për protestuesit, ndërsa gjatë përleshjeve, disa oficerë policie ishin dërguar në spital për shkak të plagëve.

Rusia: Hetimi ndaj Bashës është shpikje amerikane

“Kam përshtypjen se gjuha e ashpër, mungesa e vullnetit të palëve për të negociuar me njëra-tjetrën dhe për të gjetur një kompromis është një tipar i kulturës së politikës së brendshme shqiptare. Por unë do të doja të theksoja me përgjegjësi të plotë se pala ruse nuk ka asnjë lidhje me protestat dhe aq më tepër me veprime të dhunshme gjatë këtyre protestave. Për fat të keq, akuza të tilla shfaqen herë pas here në mediat shqiptare ose në fjalimet e funksionarëve partiakë”, është kjo deklarata që bën Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Alexandër Karpushin, në një intervistë për Report Tv.

Ai shprehet ka mohuar akuzat e ngritura se PD-ja është nën ndikim rusë, dhe se protestat e opozitës kanë qenë të nxitura dhe financuara nga Rusia. Ambasadori rus ka folur edhe për financimin e PD-së nga para ruse, çështje për të cilën tashmë është ngritur dhe një hetim penal. Karpushin është shprehur se historia e financimit të PD-së nga paratë ruse, është “shpikje amerikane”.

“Sa i përket akuzave për financimin rus të Partisë Demokratike, motivi dhe arsyeja e një hapi të tillë janë krejtësisht të pakuptueshme. Pse duhet t’i japim para Partisë Demokratike për lobim në SHBA? A është ajo më pro-ruse se Partia Socialiste? Aspak. Më shumë gjasa, agjentët partiakë PR, duke kopjuar amerikanët në çdo gjë dhe të frymëzuar nga hetimi amerikan ndaj Prokurorit të Posaçëm Muller, shpikën këtë histori”, shprehet Karpushin.

Ambasadori rusë ka komentuar edhe krizën politike në vendin tonë, duke u shprehur se ajo duhet të zgjidhet nga institucionet brenda Shqipërisë. “Diplomacia ruse i përmbahet vijueshmërisht parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Këtu përfshihet edhe Shqipëria. Unë jam absolutisht i bindur se populli juaj është në gjendje të zgjidhë vetë problemet e tij. Dallimet tuaja politike na interesojnë vetëm nga pikëpamja e sigurisë së qytetarëve tanë, si të atyre që jetojnë këtu, por edhe të atyre që ndodhen në Shqipëri me pushime”, ka thënë Karpushin.

LEXO KËTU INTERVISTËN E PLOTË

Stoltenberg për opozitën: Dhuna e papranueshme për NATO-n! Mos minoni zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO,  i ka bërë thirrje opozitës  vetëm pak orë para protestës së radhës që mos të minojë procesin e zgjedhjeve, pasi sipas tij dhuna është e papranueshme për aleancën euro-atlantike dhe duhet dialog mes palëve. Jens Stoltenberg e dha këtë mesazh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

“Debati politik, mosmarrëveshjet janë pjesë e demokracisë dhe kjo është shenjë force, por dhuna nuk është e pranueshme dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Zgjedhjet janë një pjesë themelore e demokracisë dhe prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të marrin pjesë dhe kontribuojnë në dialog dhe jo të minojnë institucionet demokratike. Ne duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut” deklaroi Stoltenberg. Më tej, ai deklaroi se trazirat politike dhe tensionet në Shqipëri nuk do të ndikojnë në vendimet e NATO-s, teksa iu referua investimin në bazën ajrore në Kuçovë.

Po ashtu, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Stoltenberg falënderoi Shqipërinë për kontributin në NATO dhe shprehu ngushëllimet për dy ushtarakët shqiptarë që humbën jetën gjatë misionit me forcat paqeruajtëse në Letoni.

Skip to toolbar