Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka dorëzuar të mërkurën një CD në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pretendon se ka materiale inkriminuese për prokurorin Gent Osmani.
Salianji pas dorëzimit të CD në KPA, tha në një deklaratë për mediat se prokurori Gent Osmani shfaqet duke bën biseda inkriminuese me Alfred Alizotin, i njohur në çështjen “Babalja”. Sipas Salianjit në përgjime tregohen lidhjet e tij me krimin për të ndikuar në çështje të caktuara për ‘i shërbyer politikës. Të tillë prokurorë deklaroi Salianji duhet të dalin nga sistemi nëse duam një drejtësi të pavarur.
“Sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediat, me shtetasin Alfred Alizoti. E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe padiskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar vetingun.
Është një rast flagrant se si një prokuror, në mënyrë joprofesionale vendoset në shërbim të politikës, duke montuar një çështje të caktuar. Ne nuk po sulmojmë drejtësinë, por jemi për drejtësi të pavarur. Të tillë prokurorë duhet të dalin nga sistemi. E kam dorëzuar materialin sipas procedurave. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre për Gent Osmanin” – tha Salianji
Gent Osmani, prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokuroisë, pritet të marrë të enjten vendimin final nga KPA për procesin e vettingut. Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë.
Ajo që vihet re në një video të shkurtër e përgjimit, të shpërndarë nga vetë PD-ja, është se në bisedën mes Alfred Alizotit dhe prokurorit Gent Osmani nuk ka asgjë miqësore, siç pretendon ish deputeti demokrat Salianji. Madje në një moment prokurori i drejtohet Alizotit, i cili e thërret në emër, duke i thënë “jo Genti, por prokuror Genti, nuk jam shoku jot” Kjo frazë e thjeshtë dhe e shkurtër hedh poshtë të gjithë pretendimin e Salianjit se mes tyre ka pasur një bisedë miqësore.