1 Maji, dita e punëtorëve. Këto janë punët më të paguara në Shqipëri

Në mbarë botën sot kujtohet 1 Maji që njihet si Dita e punëtorëve e cila i ka fillesat në Çikago në 1886-n dhe më pas në 1904-n, kur sindikatat e punonjësve protestuan për vendosjen e ditës së punës 8 orarëshe.

Por si paraqitet situata e punëtorëve në Shqipëri, dhe cilat janë punët më të paguara që ofrojnë edhe paga më të larta.

Sipas një shkrimi të revistës ekonomike Monitor, referuar të dhënave të INSTAT, punët më të paguara në Shqipëri janë ato të organizatave ndërkombëtare. Paga mesatare në këto institucione është rreth 152 mijë lekë (rreth 1,200 euro), sa trefishi i pagës mesatare në vend. Organizmat ndërkombëtarë i kanë rritur më shumë pagat për punonjësit e tyre në vlerë absolute vitet e fundit, me gati 200 euro më shumë në raport me 2014-n.

Në vend të dytë renditen bankat e sigurimet, me pagën mesatare prej rreth 106 mijë lekë (850 euro) në muaj. Edhe bankat e sigurimet i kanë promovuar vit pas viti punonjësit e tyre, me pagat mesatare që janë 130 euro më të larta në raport me 2014-n. Por, ritmet e rritjes janë ngadalësuar dy vitet e fundit.

Në vend të tretë janë Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe teknike, me pagë mesatare 79 mijë lekë në muaj, me rritje 15% në raport me katër vjet më parë.

Aktiviteti i Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz e Avull paguan mesatarisht 79 mijë lekë në muaj, me rritje 14% në katër vitet e fundit. Ndonëse përgjithësisht janë kompani shtetërore, që operojnë në këtë sektor, ato funksionojnë si shoqëri anonime, dhe rezultojnë me fitime të larta, ndërsa paguajnë mesatarisht më shumë se shteti.

Informacioni dhe Komunikacioni ka paga mesatare prej rreth 75.8 mijë lekësh në muaj. E indeksuar me inflacionin, rritja e pagave ka qenë negative për këtë sektor, si rrjedhojë e uljes së konkurrencës, pas daljes nga tregu të operatorit të katërt.

Një tjetër aktivitet, që ka parë rënie të ndjeshme të pagave është industria nxjerrëse, që kishte një pagë mesatare prej 75.7 mijë lekësh në 2018-n, ose 30.5 mijë lekë (240 euro) më pak se në 2014-n. Ky sektor nuk ka kaluar kohë të mira vitet e fundit, si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare.

Në administrimin publik dhe mbrojtjen, paga mesatare ishte 63.7 mijë lekë, me një rënie reale prej 6.1% në raport me 2014-n.

Arsimi ka pagë mesatare prej gati 62 mijë lekësh, me një rritje reale prej 6% në raport me katër vite më parë.

Një aktivitet që ka njohur zhvillim vitet e fundit është ai i shërbimeve në shtëpi, që paguhen gati 40 mijë lekë në muaj, me rritje 23% në krahasim me katër vjet më parë.

Ndërsa ata që paguajnë më pak punonjësit e tyre në Shqipëri janë aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit të ushqimit, me vetëm 28 mijë lekë në muaj, ku më të papaguarit mbeten kamerierët, të cilët kompensohen nga bakshishet.

Skip to toolbar