Për herë të parë në histori, Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar një raport mbi punën e tij që e ka bërë publik dhe të aksesueshëm për të gjithë në faqen e tij zyrtare në internet. Në raport përmblidhet puna e bërë nga SHISH ndër vite, drejtuesit e SHISH dhe mënyra e funksionimit të institucionit por jepen edhe disa të dhëna interesante. Kështu gjatë vitit 2018 në raport bëhet e ditur se kryeministri Rama e presidenti Meta kanë marrë gjithsej 521 informacione sekrete, një shifër kjo dyfish më e lartë se ajo e një viti më parë.
“Për 2018-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3601 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: – 521 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit. – 302 informacione për ministritë e linjës. 1099 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit”, shkruhet në raport.
Ndërsa gjatë vitit 2017 Rama e Meta morën gjithsej 267 informacione sekrete nga SHISH. Përveç numrit në raport nuk bëhet e ditur se për çfarë informacionesh bëhet fjalë, por sigurisht që përmbajtja e informacionit është sekret shtetëror dhe kjo nuk mund të bëhet publike.
Në raportin e SHISH bëhet e ditur se gjatë vitit 2018, 5015 persona kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me Certifikatë të Sigurimit. Pajisja me këtë certifikatë lejon njohjen e personave në fjalë me informacion të klasifikuar sekret shtetëror në nivele të ndryshme. SHISH njofton se këto kërkesa kan ardhur nga një varg institucionesh. Mbështetur në informacionet e mbledhura, SHISH-i ka hartuar 3588 praktika dhe, në disa raste, ka kthyer përgjigje negative për vitin 2018.
Teknikat e Përgjimit
Sapo përmendet SHISH, të gjithëve u shkon mendja te përgjimet. Por në raportin vjetor të publikuar së fundmi, Shërbimi u ka dhënë një përgjigje të gjithëve, duke deklaruar se në asnjë rast nuk ka përgjime jashtë kuadrit ligjor.
Sipas raportit, përgjimi i komunikimeve elektronike mbështetet në ligjin nr. 9157, datë 4. 12. 2003. “Ligji përcakton procedurat që ndiqen për përgjimin e komunikimeve elektronike nga institucione shtetërore informative të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim.
Parimet bazë për përgjimin e komunikimeve elektronike janë respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nevojshmëria dhe proporcionaliteti, sekreti dhe objektiviteti në kryerjen e tij. Asnjë institucion publik, të cilit i lejon ligji përgjimin e komunikimeve, nuk mund të paraqesë kërkesa të tilla për çështje apo veprimtari të papërcaktuara nga ligji si fusha të detyrave apo veprimtarisë së tyre gjurmuese.
“Miratimi/refuzimi i kërkesës për përgjimin e komunikimeve elektronike kryhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ose prokurori i autorizuar prej tij”, thuhet në dokument. Sipas raportit, të drejtën për të dhënë autorizime për përgjime do e ketë Gjykata e Posaçme e Apelit.
“Me krijimin e Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesa për përgjim depozitohet pranë Kryetarit të Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhënia e së drejtës për përgjim, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim, miratohet ose refuzohet nga Kryetari i Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose nga zëvendëskryetari i saj”, thuhet në raport.
Sipas SHISH, asnjë qytetar në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë objekt përgjimi i komunikimeve elektronike, pa miratim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Realstory