Atë që duhej ta kishte bërë, të paktën një ditë
para se të nxirrte dekretin e famshëm me të cilin anuloi zgjedhjet, presidenti
Ilir Meta e bëri të mërkurën në mbrëmje, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 30
qershorit. Ai i dërgoi ftesë kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së për një
takim në presidencë. Një takim ky i munguar prej shumë kohësh. Një nismë që
kreu i shtetit duhej ta kishte marrë të paktën një muaj më herët, para se të
niste zyrtarisht fushata zgjedhore.
Por edhe ftesa drejtuar kryeministrit kishte brenda
nota ironie. Presidenti e ftonte Ramën që të shkonte në zyrë nga ora 5 e mëngjesit
të ditës së enjte deri në orën 13.00. Orar ky disi i pazakontë për takime
zyrtare. Kryeministri e refuzoi ftesën duke i thënë se 4 ditë para zgjedhjeve ai
ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore.
Megjithatë, presidenti sot ka çelur dyert e presidencës
që në orën 5:00 të mëngjesit. Madje gjithë stafin e tij e ka nxjerrë nga shtëpitë
që pa gdhirë. Por nuk dihet pse ka shkuar kaq herët përderisa Rama i tha se nuk
do të shkonte në takim. Ndoshta Meta shpreson se ai do të ndërrojë mendje? Apo ndoshta
po përgatitet për takimin me Bashën në orën 9.00. Ai e ka pranuar ftesën e
kreut të shtetit, megjithëse bashkë kanë pasur shumë takime informale.
Këto akte tregojnë se kreu i shtetit ndodhet në
një pozitë shumë të vështirë. Fakti se dekreti i tij u cilësua nul nga Kolegji
Zgjedhor, fakti se KQZ po ecën drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, në kushtet kur
maxhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij si president, por edhe i lënë
vetëm nga faktori ndërkombëtar, kanë bërë që Meta të nisë të mendojë se çfarë
do të ndodhë pas datës 30?
Kur zgjedhjet të njihen nga të gjithë, sa legjitim do të jetë ai si president që i anuloi ato? Ndoshta një takim mes tij dhe Ramës ishte përpjekja e fundit e tij për të arritur një kompromis, që mesa duket do të mungojë, të paktën para 30 qershorit. Pas kësaj date gjithçka është e mundur./realstory.al
Militantët e Partisë
Demokratike janë mbledhur për të protestuar kundër kryeministrit Rama, i cili
do të zhvillojë në takim elektoral në Elbasan. Protestat e opozitës në qytetet
ku Rama zhvillon tubimet elektorale është një urdhër i dhënë nga Lulzim Basha
pas protestës së 21 qershorit.
Protestuesit janë mbledhur pak metra më larg ku zhvillohet dhe mitingu elektoral i PS-së, ndërsa mes tyre ndodhen forcat e policisë për të siguruar mbarëvajtjen e situatës. I pranishëm është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, si dhe janë mobilizuar edhe forcat RENEA.
Në momentin e zhvillimit të takimit elektoral të PS-së, protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policsë, por janë penguar nga forcat e rendit. Pjesa tjetër e protestës ka vijuar e qetë, larg dhunës dhe incidenteve të tjera (ndryshe nga sa paralajmëroi Aurel Bylykbashi). Deklarata e Bashës të martën në mbrëmje për distancim nga dhuna ka dhënë efektin e saj mes protestuesve.
Kryeministri u është
përgjigjur para qytetarëve të Elbasanit deklaratave të ish-deputetit të PD-së
Aurel Bylykbashi, që deklaroi se “më 30 qershor do të ketë vëllavrasje”. Edi
Rama është shprehur se Bylykbashi është një turp për Elbasanin, dhe demokratët
e këtij qyteti, duhet të braktisin Partinë Demokratike, derisa kjo forcë
politike përfaqësohet me një njeri të tillë.
“Ai është një turp
për Elbasanin, është një shëmtirë për Elbasanin, që del e flet sikur do hajë “tavë
dheu” me Lulin. Të refuzojnë ofensivën shtazarake që përfaqëson ai lloj tipi,
një personazh shtazarak. Është një arsye e mjaftueshme që të gjithë ta
braktisin sa kohë ai e përfaqëson Partinë Demokratike. Është çerja tipike e
shpirti të keq që e ka pushtuar shpesh herë politikën e shqipërisë qëkur është
krijuar shteti shqiptar. Është vemja tipike që ka ngrënë trungun e kësaj politike
që nga Ismail Qemali krijoi shtetin”, tha Kryeministri Edi Rama.
Më tej, Kreu i qeverisë u shpreh se të gjithë fajin për këtë situatë e kanë vetëm katër veta: Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. “Çdo njeri që i thotë vetes i tillë dhe që kërkon ta meritojë emrin shqiptar dhe emrin njeri, duhet ta ndajë qartë më 30 qershor. O me Shqipërinë që përpiqet, që ulet e ngrihet, o me Shqipërinë e këtyre Luçianove çingieve e mallkimtarit Neritan, se dhe atë e keni nga Elbasani. Fajin nuk e kanë këta, por fajin e kanë ata katër veta. Tek imagjinata e tyre e shfrenuar për ta bërë Shqipërinë plaçkë për të tregtuar karrierën e tyre. Tek imagjinata e tyre që le të digjet ky vend, por shikojeni se si po digjen vetë. Shikojeni se si zjarri që ju ka bërë shkrumb e hi mendjen dhe shpirtin po i djeg përditë. Por më besoni që çdo ditë shkrumb e hi do të bëhen në sytë e njerëzve”, tha ndër të tjera Rama.
GRAMSH/Rama: Sot kemi një Haxhi Qamil që bën shqiponjën dhe nxjerr dekrete
Kryeministrit Rama nuk i del e keqja me presidentin Meta dhe këtë nuk heziton aspak ta thotë sa herë i jepet mundësia. Gjatë takimit elektoral në Gramsh, Rama e krahasoi Metën me Haxhi Qamilin duke thënë se ai është shpirti i rrëmujës dhe i së keqes.
“Nuk ishte para asnjëherë
që opozita dhe presidenti i republikës të zhvilloni ssy aktivitete paralelel
dhune. E para me zjarre, i dyti me dekrete. Dhune ne rruge,m dhune nga
institucioni me i larte i shtetit. E
gjitha kjo për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton çeljen e negociatave. Nuk
jemi në kohën e Haxhi Qamilit. Edhe sepse është shfaqur pa mjekër pa kravatë.
Dhe bën shqiponjën. Është vetë Haxhi Qamili atje. Fallxhorja të bëjë magji për
të shpëtuar presidentin. Për ta çliruar nga shpirti që e ka kapluar komplet.
Kjo nuk është e mirë për vendin dhe procesin zgjedhorë, që ata krijuan një
siklet për shqiptarët. Të jeni të sigurt. Ka vetëm një rrugë për tu marrë me
këtë. Duke e kthyer 30 qershorin shkuljen e një keqeje të madhe që ka mbajt peng
popullin. Që politikanë i kanë dhënë vetës të drejtën për të qenë mbi ligjin.
Populli shqiptarë duhet ti japi fund kësaj të keqeje. T’i japi mësim të gjithë
politikanëve se kur populli zgjedh partitë. Kush ikën nga Parlamenti për të
djegur Shqipërinë digjet vetë. “ tha Rama
Gjithashtu Rama ka bërë thirrje edhe për demokratët që mendojnë se duhet të pengojnë zgjedhjet duke thënë se nuk janë vlen të bëhet burg për Monikën dhe Lulin. Kryeministri ka siguruar se ditën e zgjedhje nuk do të ndodh asgjë pasi për herë të parë në historinë e saj qeveria e SHBA tregon me gisht persona, duke bërë Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës për gjithçka çfarë ndodh.
“Ditën e diel
s’kanë për të bërë asgjë. Mund të gjejnë budallenj lartë e poshtë. Por do
thyejnë kokën e tyre. Nuk shkohet në burg për Monën e Lulin. Për Saliun jo e
jo. As për Metën. Nuk i hiqet viza vetes për të shkuar as në Janinë e as në
Bari për këta të katërt. Nuk ja vlen të bëni burg për këta person që kërkojnë të
shpëtojnë karrierat e tyre. Iu drejtohem demokrateve të vërtet mos pengoni
veten për të dal jashtë Shqipërisë duke ndjekur këto të katërt. Zgjedhje do ketë
më 30 qershor dhe nuk do ndodh asgjë. Kush guxon të ndalojë dike që do të votojë,
do të përballet me ligjin dhe nuk do te dal dot jashtë Shqipërisë. Hera e parë
që SHBA tregon me gisht persona, Basha dhe Kryemadhi përgjegjës për gjithçka çfarë
ndodh, nuk kish ndodh ndonjëherë kjo gjë.” – tha Rama
“Sajo Artist sajo, çdo ditë një sajesë, s’zhgënjen
asnjë ditë o Njish. Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori
vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi
pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh. Apo rrena tjetër gati?”
Kështu ka reaguar kryeministri Rama pas deklaratës
së Bashës i cili tha se “tërheqja e Këshillit të Europës është distancim nga 30
qershori i paligjshëm i Edi Ramës”.
Por mesa duket e vërteta është ndryshe. Këtë e
shpjegoi Taulant Balla në një intervistë televizive. Deklarata nuk është bërë
nga Këshilli i Evropës, por nga Kongresi i Autoriteteve Vendore të KE-së, e
cila është një nga strukturat që aktualisht është mjaft e zënë me buxhetin dhe
mesa duket nuk ka kohë të merret me zgjedhjet në Shqipëri.
Madje Balla tha se ky kongres nuk kishte dërguar
vëzhgues në Shqipëri edhe në zgjedhjet e vitit 2017 dhe atëherë pas marrëveshjes
së famshme të 17 majit Basha nuk bëri zë për mungesën e këtyre vëzhguesve, por
u mjaftua vetëm me vëzhguesit e OSBE, të cilët edhe në këto zgjedhje janë në
mision të plotë dhe janë duke mbajtur shënim çdo gjë.
Kryeministri Rama e cilëson të palogjikshëm dekretin e anulimit të zgjedhjeve (një gabim si nga pikëpamja ligjore ashtu edhe politike) që presidenti Meta bëri për të mbrojtur opozitën me arsyetimin se po mbronte pluralizmin politik dhe po shmangte dhunën. Në fakt rezultoi se ky dekret solli krejt të kundërtën duke u shoqëruar me dhunë në disa KZAZ të vendit.
Rama e cilësoi dekretin si molotov institucional dhe se për nga logjika dhe batuta, ai bëri një krahasim ironik të presidentit Meta me Nard Ndokën, kreun e PDK. Gjatë takimit elektoral në Tropojë, Rama tha se dhunës në rrugë të opozitës, vendit ju shtua edhe dhuna institucionale përmes molotovëve me dekrete që presidenti vendoi të hidhte jo vetëm ndaj parlamentit dhe Kushtetutws, por edhe ndërkombëtarëve.
“llir Meta ka zënë vendin e Nard Ndokës, me fjalinë, shantazhin ndaj gjykatësve, e pashë në fotografi. Nard Ndoka këtë nivel nuk e kishte kapur. Ilir Meta ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër të gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjesh, me molotov fjalësh nga zyra e parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës…Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë që të pyesim Amerikën, sa të kem Lulin dhe Monikën nuk pyes për Italinë dhe Amerikën. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë i thanë sikur po e tepron kujdes se po preken interesat e Francës, sa të kem Kavajën me vete nuk pyes për Francë dhe Angli unë. Ç’a ti bësh, është ky vend që e rrotullon dhe e rrotullon dhe prapë tak, e nxjerr ndonjë Haxhi Qamil“, tha Rama
Kryeministri Rama ditën e martë bëri atë që kishte premtuar. Ai njoftoi se kishte marrë një avokat për të paditur gazetarin gjerman Peter Tiede të BILD, i cili u bë i famshëm pasi publikoi disa audio-përgjime të dosjes 339 dhe 184. “Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. ” tha Rama në Twitter.
Po kush është avokati gjerman që Rama ka zgjedhur për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të shtetit shqiptar?
Sipas kërkimeve të realstory.al duket se
zgjedhja nuk është aspak rastësore. Avokati gjerman Matthias Prinz është një “përbindësh”
i vërtet për gjykatat dhe rastet e fituara prej tij janë të panumërta. Matthias
Prinz është një avokat që punon në fushën e mbrojtjes së reputacionit dhe
privatësisë, si dhe në ligjin e shpifjes dhe mediave. Një avokat mjaft i njohur
në botë për mbrojtjen e të drejtave dhe privatësisë së njerëzve. Klientët e tij
vijnë nga familjet mbretërore ku përfshihen Familjen Mbretërore Suedeze,
Princesha Caroline e Hanoverit, Sulltani i Bruneit, Princi Albert i Monakos,
për rastet e tyre të cenimit të privatësisë dhe shpifjes, deri tek personat e
njohur në botë si Helmut Newton, David Beckham, Don Johnson dhe Karl Lagerfeld.
Ai ka përfaqësuar edhe korporata të mëdha, duke përfshirë SAP, Audi, Volkswagen,
T-Mobile.
Por ka një arsye përse Matthias Prinz (Princ)
ka një klientelë kaq të rëndësishme. Ai i ka fituar TE GJITHA gjyqet dhe paditë.
Zgjedhja e Ramës ka qenë e mirëmenduar. Ndoshta
jo aq sa për të fituar një gjyq, por për të bërë bujë e zhurmë ende pa e
filluar atë. Vetë Peter Tiede reagoi duke i dërguar një pyetje retorike
kryeministrit shqiptar: “Do më padisësh për audio përgjimet e vërteta?”.
Përgjigjen do t’ia japë këtej e tutje Princi “përbindësh”
i gjykatave gjermane dhe jo vetëm. Dhe në procese gjyqësore, audio përgjimet nuk
janë gjithmonë prova. Për këtë Peter Tiede mund të pyesë edhe Ilir Metën.
“Presidenti bën mirë të respektojë Kushtetutën”,
kështu është shprehur të martën kryeministri Rama i cili vazhdon fushatën elektorale
për të shkuar i qetë drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, tashmë të certifikuara edhe
nga Kolegji Zgjedhor. Ram tha se dekreti i Metës “është një hata kushtetuese e
institucionale” ndërsa kërkoi informacion nga Vasilika Hysi se çfarë po ndodh
me shkarkimin e tij. Komisioni i Ligjeve pritet të miratojë së shpejti raportin
për shkarkimin e Presidentit dhe ngritjen e një komisioni hetimor. Kërkesa do të
kalojë për miratim në seancën e 4 korrikut, fiks si dhuratë për ditëlindjen e
Ramës.
Vendimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet
kryeministri e cilësoi vetëvrasje politike.
“Secili me mendjen e vet, kur nuk do të hysh
në zgjedhje nuk merr dot peng gjithë dynjanë, është vetëvrasje politike
spektakolare, por s’kemi ca të bëjmë. Kjo histori, unë nuk jam gati për
ndeshje, ti nuk do hysh në stadium, kjo nuk ka shans të ndodhë. Nuk është çështja
thjesht, është atmosfera e paligjshmërisë dhe klima e krijuar, bjeri murit me
kokë dhe kjo përhapet, ca mësimi i jep se në fund kemi harruar thelbin, ose një
nga misionet e politikës që të ketë edhe forcën e shembullit, çohen 5 vetë në
jë klasë e thonë nuk bëhet mësim se nuk duam ne e bjeri bangave, si është kjo. Çohen
5 veta në trupën e shërbimit në spital e thonë nuk shërbehet, o të ikë drejtori
o s’ka, është stimulimi i antiligjet e antishtetit në mënyrën më kriminale dhe
për më tepër politikanët që bëjnë ligjet vetë dhe sillen sikur janë mbi
ligjet”- tha Rama.
Ai ka thënë se kjo histori nuk mund të
vazhdojë kështu. “Hajde të bëjmë marrëveshje, ta zgjidhim po kështu e ka
kushtetuta, por ta zgjidhim tani, rruga e shkurtër që të nxjerrë gjatë, nuk
vazhdon kjo histori, prandaj këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, jo kush
do zgjidhet kryebashkiak, por si do jetë vendi të nesërmen”-tha ai teksa ka bërë
humor me filxhanin e Monës.
Në një intervistë dhënë “Evropa e Lirë” Rama shprehet se është gati të ulet në tryezën e dialogut dhe të negociojë gjithçka përveç afateve kushtetuese.
“Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë
të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është
demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të
marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e
negociueshme”, është shprehur Rama.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti
Meta, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, i cili thotë: “Shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk
janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë
të panegociueshme”.
Në këtë reagim duket qartë se meraku i
presidentit është “pluralizmi”, pra futja në zgjedhje e PD-së dhe e LSI-së dhe
duket se kjo është e thembra e Akilit, në negociatat mes palëve.
A do të bien palët dakord për një tjetër datë zgjedhjesh, në mënyrë që t’i jepet mundësia edhe opozitës që të marrë pjesë? Deri tani palët janë të vendosura fort tek qëndrimet e tyre të palëvizura, por asnjëherë nuk i dihet. Zbutja e toneve nga ana e opozitës por edhe e Presidentit, gjatë dy ditëve të fundit mund të jetë një shenjë.
Rama duket këmbëngulës te 30 qershori, por a
do të ishte i gatshëm ai dhe ndërkombëtarët të “toleronin” një shtyrje të
pranueshme (maksimumi deri në 14 korrik), në mënyrë që presidenti të dilte mirë
dhe opozita të futej në zgjedhje? Presioni i madh që bën Rama për datën 30,
mund të kompensohet vetëm në këtë mënyrë. Kështu PD, e cila është e karikuar
politikisht prej 5 muaj proteste, futej në zgjedhje shumë më mirë sesa ndonjëherë
më parë; presidenti nxjerr një dekret të pranueshëm nga të gjithë dhe Rama
futet në zgjedhje si kryeministër, së bashku me opozitën.
Ndoshta ky është një skenar optimist. Shenjat janë inkurajuese (Meta që bie dakord me Ramën në pak minuta nuk ndodhte së paku prej një gjysmë dekade) dhe Basha që sot do të bëjë një shëtitje familjare para kryeministrisë. Fundja s’kemi ç’humbasim. Shpresa vdes e fundit. Vetëm nëse vdes, nuk ka dekret që ja shtyn datën./realstory.al
Intervista e plotë e Ramës dhënë “Europa e Lirë”
Zoti kryeministër, ku e shihni zgjidhjen dhe si do ta ruani stabilitetin politik në vend?
Zgjidhja është e qartë, është zgjidhja që e mbështet
gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Kjo do
të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por janë të popullit. Populli ka
të drejtë të zgjedhë ditën e përcaktuar nga Kushtetua dhe nga ligji dhe
politikanët kanë të drejtën të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para
popullit, është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se nuk fiton asgjë por
përkundrazi paguan një kosto të madhe politike.
Në 30 qershor ju thoni se do të shkoni në zgjedhje, ndërkohë që 27 nga 61 bashki të Shqipërisë thonë se nuk do ta mbështesin këtë proces, përkundrazi ata insistojnë që do të përpiqen ta pengojnë atë. A mendoni se mund të mbahen zgjedhje në gjysmën e Shqipërisë?
Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë.
Ata që përpiqen ta pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin sepse djegin veten në
raport me ligjin dhe ligjet janë të qarta. Zgjedhjet kanë një administratë
zgjedhore, kanë një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kah hershëm
të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet
adresohet në gjykatën zgjedhore dhe askund tjetër. Kështu që janë përpjekje të
dëshpëruara të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të
bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi që unë insistoj që të shkoj në
zgjedhje, unë insistoj që të respektohet kushtetuta, dhe e drejta e popullit për
të zgjedhur.
Megjithatë presidenti i çdekretoi dekretin për datën e zgjedhjeve. gjykatë kushtetuese nuk ka për momentin. Ku do të vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi por edhe vlefshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve?
Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet
disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e presidentit janë akte individuale
të cilat kur lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën e zgjedhjeve që është
Kolegji Zgjedhor dhe askund tjetër, kështu që jemi të qartë në këtë pikë. Përsa
i përket aktit të presidentit për çdekretimin e zgjedhjeve është një akt,
absolutisht i pavlefshëm, përbën një shkelje të rëndë të kushtetues për të cilin
presidenti është në procedurë shkarkimi në parlamentin e Shqipërisë.
Gazeta gjermane Bild, nxori një numër përgjimesh ku dyshohet që ka përfshirje të socialistëve në manipulimin e procesit zgjedhor. Ju si kryetar i PS a jeni i gatshëm të përballeni me këto akuza dhe si do ti adresoni ato?
Faleminderit për pyetjen dhe pyetja që pason këtë
është se përse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë një hetim shterues. Pse
qysh prej 216 këto përgjime janë mbajtur mbyllur dhe nuk është bërë asnjë hetim
dhe pse këto përgjime të mbyllura janë dërguar tek partia e opozitës dhe pse
partia e opozitës këto përgjime i dërgon në Gjermani për t’i paraqitur si
zbulime gjermane. Këto nuk janë zbulime gjermane. Këto janë përgjime të
prokurorisë shqiptare të cilat në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke
thyer rëndë sekretin hetimor dhe përgjigja është e dhimbshme por e thjeshtë: përgjimet
janë kthyer nga një bazë për të hetuar në ushqim për të helmuar njerëzit dhe për
të helmuar opinion ndërkombëtar në prag të çeljes së negociatave. Sepse e gjithë
çka po ndodh në Shqipëri është një përpjekje e dëshpëruar për të frenuar çeljene
negociatave. Pse? Sepse me çeljen e negociatave fillon bashkëbisedimi për
kapitujt e drejtësisë dhe nuk është më çështje se çfarë ligjesh ka Shqipëria
dhe si po e pastron sistemin e drejtësisë përmes vettingut, por Shqipëria duhet
të provojë se ka një sistem drejtësie që i vendos të gjithë të barabartë përpara
ligjit dhe ndëshkon këdo, që nga më të gjatit gjer tek më të shkurtrit. Që nga
më të fortët gjer tek më të dobëtit, kur ata shkelin ligjin,. Dhe këtë e dinë
shumë mirë organizatorët e gjithë këtij plani dhe nxitësit e gjithë kësaj dhune.
A mendoni se BE megjithëse vendosi për hapjen e negociatave, dha sinjale pozitive. A mendoni se hezitoi për shkak të zhvillimeve politike dhe krizës në Shqipëri?
Rreziku që ky plan qartësisht antikombëtar të
mund të funksionojë është real, sepse në fund të fundit e gjithë kjo që ndodh
nuk ndihmon ata që duan të na ndihmojnë dhe ushqen ata që s’duan të na ndihmojnë.
Kështu që rreziku është real por përpjekjen
do ta bëjmë deri në fund.
Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që kjo krizë të zgjidhet me dialog të brendshëm politik. A keni një ofertë për opozitën dhe ku është kompromisi?
Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme.
Kryeministri Rama është shfaqur sërish të premten
në fushatë elektorale në Tiranë në krah të Veliajt, ndërsa ka analizuar
sjelljen e presidentit Meta me zgjedhjet, duke thënë se ai është një personazh kompleks,
madje lunatik.
Sipas Ramës, Meta si politikan ka bërë gjëra të
mira por dekreti për anulimin e zgjedhjeve është një gabim fatal i tij, që nxiti
dhunën dhe për më tepër si president ai nuk ka bërë asnjë thirrje për të dënuar
sulmet mbi KZAZ-të.
“Meta është personazh kompleks, ka bërë gjëra
të mira, ka bërë të gabuara, nuk kemi se çfarë i bëjmë. E bëri për të nxitur
dhunën dhe gjithë këto ditë nuk ka thënë një fjalë kundër dhunës dhe ishte
fatale për të. Ai është si Hëna, rrotullohet dhe herë është e plotë dhe herë e
qorruar komplet”, tha Rama.
Ai komentoi edhe qëndrimin e Voltanës së
Shkodrës që organizoi antimiting duke thënë se kjo gjë s’ka ndodhur që nga koha
enveristëve të ’91. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që PD-ja dhe PS-ja të përplasen,
gjithmonë mitingu i fundit negociohej dhe asnjëherë nuk kishte përplasje. Kjo
histori që i bën thirrje popullit që kryeministri të mos futet në qytet, kjo
është si enversitët në 1990. Ajo (Voltana Ademi) është mbretëresha e pisllëkut.
Manipulojnë punonjësit, hajde këtu se do të heqim nga puna, edhe flasin këta
për ….”, tha Rama.
Një ditë më parë, pavarësisht vendimit të
kryebashkiakes së Shkodrës për të mos lejuar mitingun e PS, Rama zhvilloi
takimin elektoral ku edhe prezantoi kandidatin e PS-së për këtë bashki.
Ndërsa foli për negociatat me BE-në, gjatë
fjalës së mbajtur në seancën e së enjtes, kryeministri Rama dha një mesazh të
qartë për presidentin Meta, por jo vetëm, (edhe për Berishën, Bashën, Monën
etj.), një mesazh që u sfumua disi nga Shkodra dhe lajmet për anti-miting,
përplasje, madje dhe gjasat për një tjetër 2 prill. Por fatmirësisht asgjë nga
këto nuk ndodhën, PD u tërhoq pas çjerrjes së Voltanës dhe lotëve të Nokës.
Kthehemi te Rama. Ai dje në Kuvend tha se
Shqipëria duhet të japë prova konkrete (ashtu siç kanë bërë edhe shtete të
tjera) që të fitojë integrimin, duke vënë para drejtësisë, presidentë e
kryeministra, me pak fjalë zyrtarë të lartë.
“Siç mëson eksperienca e integrimit në vende
që na kanë pararendur, kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i
gatshëm të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar
presidentë, ish-presidentë, kryeministra, ish-kryeministra, ministra,
ish-ministra e kështu me radhë. Kjo është edhe arsyeja themelore e gjithë kësaj
orvatje, ku bashkohen ankthi nga drejtësia me natyrisht, frikën nga zgjedhjet.
Si më mirë e ku më me shpresë për të realizuar këtë hedhje në erë të sistemit
të ri demokratik, mund të realizohet kjo, sesa duke marrë peng procesin
zgjedhor”, tha kryeministri duke futur edhe veten në listë.
Deklaratë kjo që u la në hije gjatë ditës së
djeshme për shkak të zhvillimeve të nxehta politike.
Por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se
ne duhet t’i provojmë BE-së se jemi të aftë të garantojmë drejtësi të barabartë
për të gjithë, që ashtu siç hapet burgu për atë që vjedh dritat, ashtu edhe të
hapet për atë që vjedh paratë e shqiptarëve në koncesione miliona euro, apo që
bën pastrim parash në kompani fantazmë, apo që shkel Kushtetutën, apo që
bashkëpunon me kriminelët.
Askush të mos ketë imunitet, as Meta, as
Berisha, as Basha, e Rama vetë, ministrat e ish-ministrat po e po.
Kjo nuk do të thotë që të bëhet kurban, por të
vërtetohet se shteti ligjor ekziston jo vetëm në letra por edhe në realitet dhe
pikërisht me pastrimin e drejtësisë nga vetting-u dhe me ngritjen e
institucione që do të monitorohen nga ndërkombëtarët çdo gjë është e mundur.
Dhe me siguri që këtë e dinë shumë mirë si Meta, si Basha ashtu dhe Berisha,
ndaj dhe u gjuajnë me gurë zgjedhjeve, krijojnë kaos e rrëmujë, shtyjnë
negociatat. Qëllimi është i qartë: të shtyjnë sa më gjatë funksionimin e
drejtësisë së re.
Por, pa drejtësi nuk ka integrim. Kjo na
kujton rastin e Kroacisë, që siç përmend Rama në fjalimin e tij dha shembuj
konkretë, pa u pranua në gjirin e BE-së. Çfarë ndodhi në Kroaci? Nëse ju
kujtohet Kroacia është ndër vendet e fundit që i është bashkuar BE-së në vitin
2013. Por më herët dha prova të qarta (atë që ende nuk po e bën Shqipëria) se e
meritonte anëtarësimin dhe një nga këta ishte arrestimi ish-kryeministrit Ivo
Sanader. Ai u arrestua pas vitesh të tëra akuzash dhe u vë nën hetim për
korrupsion dhe përfitim ryshfetesh dhe duhet përmendur fakti se gjithçka nisi
nga indiciet e medias për orët e shtrenjta që mbante në dorë.
Pas një hetimi të thelluar u vërtetua se
ish-kryeministri kishte shpërdorur pushtetin për fitime personale dhe u
arrestua në Austri përmes një urdhri ndërkombëtar në vitin 2010.
Tre vite më pas Kroacia pranohet në BE. Përmes këtij mesazhi Rama e bëri të qartë rrugën tonë për në BE: ka ardhur koha që edhe ne të veprojmë si Kroacia, dhe nuk ka asnjë arsye që 3-4 njerëz të mbajnë larg këtë vend nga ëndrra evropiane./Realstory.al