Reforma Zgjedhore, Basha takohet me grupin e punës të opozitës

Kreu i Partisë Demokratike mblodhi të hënën grupin e punës për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas një lajmi publikuar nga Balkanweb, opozita pritet të publikojë së shpejti propozimet për reformën zgjedhore, që do ti hapin rrugën një konsultimi publik.

“Reforma zgjedhore nuk ka asnjë përparim, pavarësisht se është 1 nga 9 kushtet e Bundestagut për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.  Bundestagu ka kërkuar që reforma zgjedhore të kryhet me përfshirjen dhe konsensusin e të gjitha palëve politike, por PD dhe opozita bëjnë përgjegjëse kryeministrin Rama si pengues të saj”.

Po sipas këtij lajmi, PD e konsideron “shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme me 3 muaj, si mekanizëm për të penguar reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj, siç e kërkon Bundestagu”. Ndërkohë, në ditët në vijim Basha pritet të takohet me aleatët e tjerë të opozitës.

Hajdari: Miratojmë reformën, pastaj zgjedhje të parakohshme

Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve të Djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari, që mban dhe postin e bashkë-kryetares së Komisionit për Reformën Zgjedhore, kërkon zhbërjen e marrëveshjes se 2008.

Në një status në Twitter, Rudina Hajdari shkruan se “brenda dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008”, duke miratuar “rekomandimet e OSBE/ODIHR”, dhe më pas, sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale.

“Zgjidhja është vetëm 1: brenda dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008, të miratohen rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe vetëm më pas të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare e lokale dhe ta ndreqim këtë vend. Boll me kryetarë perandorakë që e kanë shkatërruar demokracinë në këtë vend”, shkruan Rudina Hajdari.

Disa ditë më parë, Rudina Hajdari u shpreh se opozita parlamentare nuk pranon që Reforma Zgjedhore të miratohet në dy faza, siç tha Kryeministri Edi Rama në 18 tetor. Opozita parlamentare kërkon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe ndryshimi i sistemit të bëhet në të njëjtën kohë.

Skip to toolbar