“S`ka besueshmëri”. KP: Të shkarkohet kandidatja për Kushtetuesen

Komisioneri Publik, ka bërë ankim në Kolegjin e Posaçëm kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për gjyqtaren Regleta Panajoti, aktualisht gjyqtare pranë Gjykarës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kandidate për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese. “Nisur nga dispozitat e nenit 179/b/5 të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës dhe në zbatim të jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt me Komisionin pasi vlerëson se, për rastin konkret, në gjendjen që janë faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik. Më tej, ky institucion, kërkon ndryshimin e masës për gjyqtaren Regleta Panajoti, duke kërkuar shkarkimin e saj nga detyra.

“Duke ritheksuar se Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, me qëllim që të garantojë mbrojtjen e interesit publik në procesin e rivlerësimit, bazuar në kërkesat e neneve Ç, D, Dh, E dhe F, të aneksit të Kushtetutës, nenit 4 dhe nenit 61, pikat 3 dhe 5, të ligjit nr. 84/2016, kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë: – Ndryshimin e vendimit nr.169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.  

Po përse është bërë ankimi? Sipas vendimit të dhënë më 26 qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjyqtarja Regleta Panajoti kalonte me sukses të treja pikat e rivlerësimit, pastërtinë e figurës, aftësinë profesionale dhe pasurinë. Mirëpo, nuk është në këtë mendim Komisioneri Publik, që mendon se kandidatja për Kushtetuese “ngel” te pasuria.

“Nisur nga hetimi dhe vlerësimi që ka kryer Komisioni për të tria kriteret e rivlerësimit, ankimi i Komisionerit Publik, në rastin konkret, evidenton dhe parashtron si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, lidhur me (sipas radhës së trajtimit): (i) pasaktësi dhe pamjaftueshmëri në deklarimin e subjektit për dy pasuri të paluajtshme, të llojit apartament banimi; (ii) mungesë e dokumentacionit provues mbi burimin e ligjshëm të shumës prej 3.500.000 lekë, deklaruar si e ardhur nga puna në emigracion; (iii) mungesë e dokumentacionit provues për të ardhurat në shumën 200.000 lekë; (iv) deklarim i rremë për shitjen e pasurisë së paluajtshme e llojit truall, në Korçë (rrethanë kjo, e cila lidhet edhe me etikën dhe figurën e magjistratit/subjektit të rivlerësimit); (v) mundësinë financiare e huadhënësit ***.*** për ti dhënë hua subjektit shumën 10.000 EUR; (vi) mungesa e burimeve të ligjshme për depozitimin e shumës prej 12.000 euro në vitin 2007; si dhe (vii) deklarime të pasakta lidhur me posedimin e likuiditeteve cash ndër vite nga ana e subjektit të rivlerësimit”, thuhet në një nga argumentat e Komisionerit Publik që kërkon shkarkimin e Regleta Panajotit, aktualisht kandidate për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. /Realstory.al/

Lexo ankimin e plotë të Komisionierit Publik për kandidaten e Kushtetueses

Skip to toolbar