Të pakta janë gratë
në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara, që kanë arritur suksesin e Rudina
Seserit. Ajo është themeluese dhe partnere menaxhuese e kompanisë “Glasswing”
që ka investuar mbi 100 milion dollarë në biznese të shumta, me një fokus tek Inteligjenca
Artificiale. Revista “Entrepreneur” e radhiti zonjën Seseri në fund të vitit të
kaluar, mes 100 grave me të fuqishme në biznes në Shtetet e Bashkuara. Në një
bisedë në zyrën e saj në Boston me kolegen Keida Kostreci, zonja Seseri foli
për sukseset dhe sfidat e saj, për periudhën kur u përfshi në politikë në
Shqipëri, por edhe për atë që e motivon, si edhe balancimin e karrierës me
jetën personale.
Siguria dhe fokusi,
që kanë kontribuar tek suksesi që e radhiti Rudina Seserin mes 100 grave më të
fuqishme të biznesit në Shtetet e Bashkuara nga revista e njohur
“Entrepreneur”, reflektohet në reagimin e saj ndaj këtij vlerësimi.
“Në këtë pikë të
karrierës, e vlerësoj, jam mirënjohëse, mos më keqkupto, por i vë më pak
rëndësi titujve, vlerësimeve. Jam shumë më e lumtur nëse një kompani e imja
arrin diçka nga portofoli i investimeve, ose nëqoftëse ata marrin një titull,
nëse ata shkrihen me një kompani tjetër për të arritur diçka më të madhe, ajo
për mua është më e prekshme sesa një titull në një revistë, një artikull.”
Vendim i guximshëm karriere
Zonja Seseri kishte
krijuar një karrierë të suksesshme në botën e financave, para se të themelonte
në vitin 2016, kompaninë e investimeve në sipërmarrje “Glasswing”, emri i së
cilës vjen nga një lloj fluture me krahë të tejdukshëm si xhami.
“Në biznesin që
jemi ne, japim kapitalin për dy ose tre themelues të kompanisë për secilën nga
ato kompani, ku kanë një ide, shohin një mundësi në treg, kapitali i mundëson
të arrijnë nga një ide për një biznes, në një biznes dhe nga një bizes në një
kompani fituese ose të madhe në treg, ashtu si një flutur kalon fazat nga larva
në flutur” thotë ajo.
Por emri u zgjodh
edhe për të përçuar idenë e transparencës dhe forcës. “Glasswing” investon në
biznese që zhvillojnë zgjidhje përmes Inteligjencës Artificiale.Zonja Seseri
thotë se ajo dhe një partner i saj në firmën e mëparshme, Rick Grinnell,
menduan që kjo fushë meritonte strategjinë e vet dhe e morën vendimin megjithë
skepticizmin jashtë dhe brenda industrisë. Por ajo shton se vendimi ishte i
peshuar mirë.
“Kjo nuk ishte
diçka që unë u zgjova një mëngjes dhe thashë ‘do bëjmë këtë’. Në vazhdimësi në
fushën time ne zhvillojmë ato që quhen teza, teza për në treg, teza në
teknologji dhe kush do të jenë forcat që do ta ndërpresin të tashmen dhe do të
na ndihmojnë të kalojmë në një fazë tjetër teknologjike”.
Nga Shqipëria në majat e suksesit në SHBA
Rudina Seseri,
erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshën 16 vjeçare. Ajo studioi në universitetin
Wellesley për ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Më pas punoi në Wall
Street. Pasi përfundoi një master në Harvard, punoi në kompaninë Microsoft, ku
iu zhvillua pasioni për teknologji dhe më pas hyri në fushën e kapitalit për
sipërmarrje.
“Nuk jam e sigurt
të them që isha një mëngjes e re dhe ky ishte vizioni im duke menduar që unë të
paktën deri në adoleshencë isha në Shqipëri dhe të mendoje në fillim të viteve
’90 që do të ishte fusha e kapitalit për sipërmarrje, jo. Ajo që solli ndryshim
në jetën time, kanë qenë momente të caktuara”, thotë ajo.
Angazhimi në
politikën shqiptare
Në gjithë këtë
ngritje të saj, pati vetëm një shkëputje prej dy vjetësh në vitin 2009, kur u
bë deputete për Partinë Socialiste në Shqipëri, e nxitur nga ndjesia që kishte
lënë diçka pas, por edhe për të qenë më pranë të ëmës, e cila në atë kohë
kishte disa probleme shëndetësore.
“Ishte mundësia ime
për të dhënë diçka mbrapsht, ishte mundësia ime në ato momente për t’i vënë një
kapak, për të thënë çfarë është realiteti, për të kontribuar”.
Por plani i saj
ndryshoi pasi siç thotë idealizimi i Shqipërisë nga dikush që e mban mend si e
vogël dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.
“Frika ime më e
madhe ka qenë dhe vazhdon të jetë që unë sa më shumë kohë kaloj këtu, kam frikë
se humbas kontekstin lokal, jo për të kuptuar problemet, jo madje edhe për të
kuptuar se si mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes, por aftësinë për të
manovruar. Më bëjnë përshtypje gjëra që do t’i bënin një të huaji, që është
paksa e padrejtë, por gjithashtu realiste.”
Para 10 vjetëve,
zonja Seseri u kthye në Shqipëri me insistimin e kryetarit të PS-së Edi Rama.
Sot ajo e sheh kryeministrin në kontekstin e Shqipërisë, duke thënë se asnjë
nuk është i përkryer por edhe Shqipëria nuk është vendi më i lehtë për t’u
naviguar.
“Pikëpamja ime mbi
rolin e Ramës është që Shqipëria për aftësitë që ka, për botëkuptimin krejt
ndryshe, me të mirat dhe të këqiat që vijnë me të, jemi të gjithë paketë
përfshirë dhe Ramën, si individ. Gjithmonë e kam thënë që kur erdhi në fuqi që
Shqipëria është vetëm një ndalesë. Rama ka një kombinim të pazakontë
kreativiteti, aftësie për të ekzekutuar dhe vizioni dhe ato e bëjnë njeri si të
vështirë për të dhënë e për të marrë, por gjithashtu dikush që mund të ketë
impakt përtej të natyrshmes ose çfarë mund të presësh nga një udhëheqës
rutinë.”
Ajo thotë se
tërmeti që ndodhi në Shqipëri, është një fatkeqësi e madhe e kombinuar me një
mosmenaxhim gjigand, por që krijon hapësirën për ta ridrejtuar vendin.
“Trashëgimia që do
të lërë Rama mbrapa nuk janë arritjet dhe mosarritjet e asaj që ka ndodhur deri
tani, është çfarë ndodh në pikëpamjen time nga ky moment dhe tutje, sepse ka
mundësinë ta transformojë vendin, në një formë shumë më të madhe, shumë më
afatgjatë dhe me impakt më të gjerë”.
“Nuk e toleroj dështimin”
Për një njeri që ka
arritur shkallën e suksesit që ka arritur zonja Seseri, lind natyrshëm pyetja
se çfarë e motivon atë. Ajo thotë se ka shumë pak tolerancë për dështim.
“Nuk ka kapital më
të rrezikshëm sesa lloji i atij që menaxhoj unë sepse janë dy veta dhe një ide
dhe ja ku janë paratë, miliona dollarë, kështuqë është pak si çudi që për dikë
që merr hapa kaq të rrezikshme për investime, frika nga dështimi më motivon,
kam tmerr nga ideja që mund të dështoj në diçka, çka do të thotë që nëqoftëse
duhet të jap “x” për qind, jam “x” për qind plus më tepër”.
Ajo reflekton se
mund të bëhet fjalë edhe për mentalitetin e imigrantit, edhe pse ka kujdes të
nënvizojë që do të ishte e padrejtë ta krahasonte përvojën e saj me atë të
refugjatëve apo atyre që kanë imigruar në moshë më të madhe.
“Por të qenurit
imigrant gjithashtu të jep një … nuk ke atë rrjetin ku të mbështetesh.
Nëqoftëse nuk shkon mirë në shkollë, nuk shkon dot tek mami dhe tek babi, nuk
shkon dot të mbështetesh tek rrjeti i gjerë, çfarë rrjeti krijon e krijon vetë
dhe ajo të jep edhe një sens për të pasur zero tolerancë për veten tënde për të
bërë gabime”.
Pjesë e një “klubi” me pak anëtare
Mund të thuhet se
zonja Seseri është pjesë e një klubi elitë. Vetëm 7 për qind e partnerëve në
firmat që japin kapital për sipërmarrje janë gra dhe vetëm më pak se 1 për qind
në krye të këtyre firmave. Ajo thotë se kur punon, nuk mendon për gjininë, por
se ekipet e larmishme nga gjinia, prejardhja, raca, japin rezultate me të
larta.
“Të menduarit homogjen,
jep rezultate homogjene, kështuqë po deshe rezultat, përqafo diversivitetin,
kështuqë në çdo bord ku unë jam kam të paktën një drejtor tjetër të pavarur
bordi që sjell, që është ose minoritet, ose grua”.
Në kompanitë ku
firma e saj investon, rreth 37 për qind e drejtuesve janë gra ose nga grupe të
nënpërfaqësuara, sepse siç thotë ajo, gjysma e betejës është të pasurit e
njerëzve të duhur në drejtim dhe në bord.
Po si është Rudina Seseri si drejtuese?
“Vë një standard të
lartë për veten, për shkak të prejardhjes, për shkak të qenurit kaq e fokusuar
në të pasurin rezultate dhe si rrjedhojë pres shumë nga të tjerët kështuqë
mendoj që do të thonë që jam bose me pritshmëri të larta dhe kjo ka të mira, ka
edhe të këqia. Në të njëjtën kohë shpresoj që balancohet me një sens të fortë
besnikërie për ata që punojnë fort, për mundësi të krijuara që të gjithë të
avancojnë”.
Ëndrra e një nëne në karrierë për vajzën e saj
Nga të gjitha
parametrat e mundshme, zonja Seseri ka arritur majat e suksesit, duke dhënë më
shumë se 100 për qind në çdo sipërmarrje. Por përkushtimi i saj është edhe më i
madh, aty ku është zemra e saj: tek familja: bashkëshorti Adrian dhe vajza
Livi.
“Është shumë
interesante se jam në një pikë kur nëqoftëse kam mundësi të kem një darkë me
dikë të famshëm, ose me shumë influencë, ose për të shkuar në shtëpi për një
natë më shumë ku jam unë që e vë vajzën në krevat, pa sekondën e pikëpyetjes do
zgjedh të dytën.”
Ajo nuk e mohon që
si çdo nënë në karrierë, një ndjesi faji ka ekzistuar herë pas here, por shton
se fëmijët sidomos vajzat e nënave që punojnë, sidomos kur kanë një rol me
ndikim, rrisin vajza dhe fëmijë, që gjithashtu kanë ndikim.
“Sikur asgjë tjetër të mos t’i jap Livit, por ideja që qielli është limiti. Nëqoftëse unë do ta përkufizoja veten një ditë, do të shihja mbrapsht, nëse vajza ime do të ishte e suksesshme – e suksesshme si e përkufuzon ajo, jo unë, zgjedh artin, zgjedh muzikën, zgjedh matematikën, të zgjedhë çfarë të dojë por të japë maksimumin e saj, pavarësisht sesi përkthehet maksimumi në sukses real, nëqoftëse ime bijë është e plotësuar, unë jam e arrirë. Gjithë të tjerat nuk kanë rëndësi.”/VOA/