Basha dhe Rudina “shkrijnë akujt”. A do jetë ajo negociatorja mes PD dhe qeverisë?

AKTUALITET


Rudina Hajdari mori pjesë gjatë të enjtes në dy ceremoni homazhi të organizuara nga Partia Demokratike, duke u shfaqur në krah të kreut të PD-së, Basha, i cili e përjashtoi nga partia disa muaj më parë, vetëm se ajo nuk pranoi të linte mandatin e deputetes. Shtrëngimi i duarve mes Bashës dhe Hajdarit u pa sot si një sinjal për shkrirjen e akujve mes tyre. Përgjatë gjithë këtyre muajve ata kanë pasur qëndrime krejt të kundërta. Basha nxiti deputetët të lënë mandatet dhe të braktisin kuvendin. Më pas ndërmori një seri protestash të dhunshme dhe bojkotoi zgjedhjet vendore. Ai gjithashtu i doli në mbrojtje Metës i cili anuloi zgjedhjet përmes një dekreti antikushtetues. Nga ana e saj, Rudina Hajdari vendosi kundër partisë që të mos braktisë kuvendin dhe të mos dorëzojë mandatin e deputetes. Ajo doli kundër protestave të dhunshme të PD-së duke cituar ndërkombëtarët dhe apelin e tyre të vazhdueshëm. Handari u shpreh kundër vendimit të PD-së për të bojkotuar zgjedhjet dhe e cilësoi antikushtetues dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.

Pra që nga shkurti e deri tani, Basha dhe Hajdari kanë treguar se janë shumë larg njëri-tjetrit në qëndrime dhe akte politike.


Por gjithsesi prania e saj sot në homazhet e organizuar nga PD e Bashës, ashtu edhe në homazhet e organizuara nga Gramoz Ruçi i PS-së u pa si një sinjal i vendosjes së një ure komunikimi mes palëve, ose të paktën si gjetja e personit kyç për të lidhur dy kampet.

Vetëm pak ditë më herët, analisti Mero Baze shkruante në një koment se ndryshimet kushtetuese apo edhe reforma elektorale është në dorën e Rudina Hajdarit. Madje ai sugjeronte Bashën që më shumë se aleatët që mban pranë si Mediu, Duka e Ndoka, i duhet Rudina dhe deputetët që përjashtoi me bujë dhe që sot janë në Kuvend dhe kanë ende një rol për të luajtur, ndaj dhe është mirë t’i ftojë për kafe dhe t’u kërkojë ndjesë.

“Lulzim Basha mund të ulet në tryezë me Edi Ramën, mund të marrë çfarë do ai, apo çfarë do Edi Rama, por ndryshimet do bëhen në Parlament, dhe ato janë në dorë të Rudina Hajdarit dhe grupit të opozitës parlamentare. LSI dhe aleatet e tjerë të vegjël të PD, mund të kenë kërkesa për ndryshim sistemi, por para se të ulen e t’i bëjnë qejfin njëri- tjetrit, është mirë të ulen e të pinë kafe me deputetët që kanë në Parlament. Biles po ta kishin bërë më parë, mund të shpëtonin dhe shkarkimin e presidentit.

Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese e mbi të gjitha, dhe afrimin apo jo të zgjedhjeve parlamentare, se ato lokale janë më 2023, kjo është opozita parlamentare. Opozita parlamentare është e vetmja forcë reale që mund të kthehet në urë komunikimi mes opozitës së rrugës dhe qeverisë”, shkruan Baze.

Pas shtrëngimit të duarve këtë të enjte mes Bashës dhe Rudina Hajdarit, lindi pikërisht kjo pyetje, a do të jetë Rudina Hajdari “negociatorja” për zgjidhjen e krizës mes opozitës jashtëparlamentare dhe qeverisë për të arritur një marrëveshje mes palëve në të mirë të vendit? Të shohim…/realstory.al




Skip to toolbar