Bie plani i Salvinit, Italia mund të shmang zgjedhjet

Italia mund të shmang zgjedhjet e parakohshme. Paralajmërimin e ka bërë Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella. Pas dorëheqjes së kryeministrit Conte, presidenti Mattarella ka zhvilluar takime me liderët kryesor të politikës italiane. Pasditen e të enjtes ai ka konfirmuar se diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës do të shtyhen deri javën e ardhshme, pasi Lëvizja 5 Yjet ka kërkuar mandat për të dialoguar me Partinë Demokratike, me qëllim krijimin e një koalicioni të ri mazhoritar dhe qeverisës.

“Ka pasur një ndarje mes dy partive që përbënin shumicën e vjetër. Kriza duhet të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. Konsultimet e reja do të vijojnë të martën e ardhshme. Unë jam informuar nga disa parti se kanë nisur bisedimet për një marrëveshje në parlament për krijimin e një qeverie të re. Dhe më është kërkuar që të kenë kohë për të zhvilluar diskutimin”, ka thënë Mattaraella, duke i lënë kohë deri të martën partive që nuk duan të shkojnë në zgjedhje.

Megjithatë ai ka paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk arrihet, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Unë kam një detyrë të pashmangshme që të mos e ndaloj shprehjen e vullnetit mazhoritar të Parlamentit siç ndodhi. Në të njëjtën kohë unë kam detyrën të marrë, në interes të vendit, vendime të shpejta”, tha Mattarella, duke paralajmëruar se koha për bisedime mes partive nuk do të jetë e gjatë.

Në fund ai ka sqaruar se nuk do të miratojë asnjë qeveri, që nuk do të ketë shumicën dhe besimin e Parlamentit. “Vetëm qeveritë që fitojnë besimin e Parlamentit me marrëveshje dhe me një program qeverisës, janë të mundshme, në mungesë të këtyre kushteve, rruga është ajo e zgjedhjeve”, ka thënë kreu i shtetit në Itali. Nëse partitët e tjera në Parlament do të arrijnë një marrëveshje, duke krijuar një mazhorancë të re qeverisëse, atëherë do të minohej plani dhe dëshira e Matteo Salvinit për zgjedhje në Itali.

Në fakt, zëvendës kryeministri italian, ka krijuar bindjen se ka mbështetje të madhe në elektorat, si në veri ashtu dhe në jug, nisur ky argument nga zgjedhjet për parlamentin evropian, ku Lega Nord e Salvinit, doli e para në Itali. Por tashmë do të pritet me interes deri të martën, për të parë nëse kundërshtarët e Salvinit do të arrijnë të krijojnë një mazhorancë të re, duke shmangur zgjedhjet, rezultati i të cilave mund të jetë i paparashikueshëm.

“Porca miseria”, idiotët në detyrë e bën Italinë një vatër tjetër krize për BE

Kurrkush nuk besonte, se periudha e qëndrimit në pushtet në Romë të këtij koalicioni të çuditshëm do e kalonte mesataren e jetëgjatësisë së qeverive italiane. Aleanca e pamundshme e Legës radikale të djathtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, që është populiste e majtë ka qenë e predispozuar të rrëzohet që në krijim. Italia po shkon tani drejt qeverisë së 66, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Me gjoksin hapur drejt pushtetit?

Matteo Salvini, është politikani më pa skrupull që ka nxjerrë Italia në dekadat e fundit. Ai ia kalon edhe Silvio Berluskonit, i cili nuk e njihte mirësjelljen dhe qëndrimin e rezervuar. Kohët e fundit për shembull, kur predikon urrejtje ndaj të huajve, Salvini ka filluar të mbajë në dorë rruzare. Ndërkohë që ai ndodhet në konflikt me Vatikanin, sepse mendon, se Papa është shumë i majtë. Megjithatë bosi i Legës mendon se pak pseudo-religjioni do e zbukuronte nacionalizmin e tij.

Gjatë gjithë verës ai e nxori veten të zhveshur nëpër plazhet e Italisë duke e fotografuar barkun e madh me kamerën e celularit. Kritikëve të tij u tha se barku i tij është barku i një proletari, duke bërë sikur ky politikan profesionist dhe mjeshtër i rrjeteve sociale të ketë pasur ndonjëherë të bëjë me klasën punëtore. Ai ka po ashtu si ata dashuri për verën dhe makaronat. Dhe duket se e njeh mirë shijen e njerëzve të vet: Burrat e shohin si maço, kurse gratë si rrëmbyes zemrash. Një furçë vullgariteti nuk e ka dëmtuar kurrë Italinë.

Aktrimi është përllogaritur mirë dhe sondazhet i japin të drejtë ministrit të Brendshëm dhe kryetarit të partisë: Nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja, atëherë ai me siguri që do të arrinte të merrte pushtetin në Romë me ndihmën e ekstremistëve të djathtë të “Vëllezërve të Italisë”. Atëherë miku i Putinit do e çojë politikën italiane aq djathtas, sa që në Bruksel, do të duhet të merren pas Hungarisë dhe Polonisë edhe me shtetin e së drejtës në Itali, një nga vendet që ka themeluar Europën.

Pesë yjet janë idiotët në detyrë

Cilësimin si idiotët më të mëdhenj politik e merion Lëvizja Pesë Yjet. Në më pak se një vit lëvizja i ka humbur gjysmat e zgjedhësve që i kanë shkuar Salvinit. Ishte e qartë që në fillim që kjo kështu do të ndodhte. Në vend që t’i tregonte kartën e kuqe që në fillim nxitësit të urrejtjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Lëvizja përkrahu një politikë që duhet t’i ketë trembur zgjedhësit me orientim të majtë. Vetëm që të merrte pjesë në qeveri, Lëvizja shiti integritetin politik dhe frymën, që kishte Lëvizja disparate.

Pesë Yjet u kthyen në këtë koalicion në trampolinë për marshimin e Salvinit drejt pushtetit. Ata nuk kishin asgjë për t’iu kundërvënë cinizmit dhe dinakërisë së shefit të Legës, asnjë ide, asnjë forcë luftarake, asnjë personel. Edhe për vetë standartin e ulët të politikës në Itali, prezantimi i Lëvizjes Pesë Yjet ishte për të mëshiruar. Ata e meritojnë perëndimin, nëse pasojë e dobësisë së tyre nuk do të ishte fakti që në pushtet mund të vijë një njeri që ka afinitet me fashizmin.

A mund të pengohet Salvini?

Pesë Yjet dhe socialdemokratët së bashku mund të shpëtojnë fytyrën e tyre, dhe bashkë me të edhe vendin, nëse tani në vend që të mbaheshin zgjedhje të reja, të krijohej një koalicion alternativë. Ata kanë shumicën e mjaftueshme për këtë. Vetëm se Pesë Yjet i urrejnë socialdemokratët me sa duket më shumë, se sa radikalët e djathtë, gjë që nga pikëpamja ideologjike nuk mund të shpjegohet dhe nga pikëpamja politike është budallallëk. Socialistët nga ana tjetër kanë nevojë për dikë që do të bënte bashkë vendin e përçarë dhe do të bënte politikë pavarësisht nga kampi ku bën pjesë.

Teorikisht një gjë e tillë do të ishte ende e mundshme, praktikisht është e pabëshme. Kryeministri Conte që sapo dha dorëheqjen e quajti Salvinin në fjalimin e tij të lamtumirës, oportunist politik dhe e akuzoi për mungesë kulture politike. Por ai dhe shokët e tij e dinin që më parë që ai ashtu ishte! Kush do të ulet me djallin në tavolinë, ka nevojë për një lugë më të gjatë se sa e Contes dhe e shokëve të tij.

Fatkeqësi për Italinë dhe për Europën

Salvini luan me emocionet e italianëve dhe përpiqet që tu mbushë mendjen atyre se mungesa e aftësisë për të bërë reforma dhe mali me borxhe që ka vendi nuk janë faji i tij. Dhe ata janë të gatshëm për të besuar teori të tilla konspirative për forcat e errëta që ndodhen jashtë Italisë. Për gjithshka që shkon keq, ministri i Brendshëm bën përgjegjës të huajt, si për shembull migrantët.

Salvini kërkon ta ndajë vendin nga komuniteti i demokracive europiane, kërkon ta izolojë ndërkombëtarisht dhe njëkohësisht t’i fshikullojë zgjedhësit me pseudo luftën kundër Brukselit dhe disiplinës së buxhetit. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme, sepse borxhet italiane jo vetëm që mund ta trondisin euron, por mund të çojnë në falimentin monedhën e përbashkët.

Çështja është nëse kostot në rritje të financimit mund ta bëjnë Salvinin që të bëhet i arsyeshëm, apo në llogaritë e tij ai e ka përfshirë edhe rrëzimin e euros. Sidoqoftë me rënien e qeverisë së Romës, dhimbja e kokës në Bashkimin Europian është bërë edhe më e madhe duke shtuar edhe një vatër tjetër krize. “Porca miseria” thuhet në italisht. / DW

Bie qeveria italiane? Salvini: Vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini  ka lajmëruar se Italia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mosmarrëveshje mes koalicion it qeverisës duket se nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Salvini tha për mediat se “mazhoranca nuk ekziston më dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme.”

“Italianëve u duhet një siguri dhe një qeveri që të marrë vendime të guximshme. Është e kotë që të vazhdojë të ecë së bashku me aleatët e koalicionit mes grindjeve, tashmë fjalën e kanë votuesit.” u shpreh Salvini.

Grindjet dhe mosmarrëveshjet në koalicionin qeverisë vijojnë prej kohësh në Itali, por mesa duket sipas njoftimit të Salvinit shumë shpejt vendi do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Salvini si Basha, akuza për përfitime nga paratë ruse

Ministri italian i Brendshëm Mateo Salvini po përballet së fundi me akuzat se ai ka përfituar financime nga kompani ruse për fushatën zgjedhore. Akuza këto të ngjashme me ato që janë ngritur edhe në Shqipëri nga prokuroria ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

BuzfeedNews ka publikuar një video në të cilën është filmuar Gianluca Savoini, ish ndihmës i Salvinit teksa qëndronte në një hotel në Moskë tetorin e kaluar duke diskutuar kushtet e një marrëveshje për naftën me pesë persona të tjerë, tre rusë dhe dy italiane, e ndërsa Partia e Salvinit do të përfitonte 65 milionë dollarë për një vit. BuzzfeedNews ka publikuar edhe transkriptin e gjithë materialit. Sipas kësaj medieje, kjo video tregon se partia e Salvinit Lega ka përfituar financime të jashtëligjshme për fushatë zgjedhore.

Menjëherë kanë reaguar dy ish kryeministra italianë të cilët kërkojnë sqarime nga ministri i brendshëm Matteo Salvini.  Ata kërkojnë një hetim të thelluar se si ndihmësi i ngushtë i Matteo Salvini bëri marrëveshje të fshehtë me rusët ku përfshihet financimi i fushatës.

Ish kryeministri Matteo Renzi ka thënë se është çmenduri të përdorësh naftën ruse dhe financimet e tyre për partinë.“Salvini duhet ta sqarojë menjëherë”.

Edhe pasardhësi i tij Paolo Gentiloni tha se materialet e BuzfeedNews nuk janë thjesht thashetheme dhe se Salvini nuk mund të shtiret sikur nuk ka ndodhur gjë.

Vetë ministri italian i ka mohuar këto akuza: “Kurrë nuk kam marrë asnjë rubël, apo euro apo dollarë, madje as edhe një letër vodka nga rusët”, tha Salvini në një deklaratë ndërsa shtoi se do të padiste këdo që e akuzonte atë për një krim të tillë.

Ndërsa kreu i opozitës shqiptare akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

As Salvini nuk shpëton dot pa bërë shqiponjën

Ai njihet si ekstremist dhe mbështetës i politikave anti emigracionit, por duket se këtë radhë zëvendës kryeministri, njëherësh dhe ministri i brendshëm i Italisë, ka treguar anën e tij të butë. Në një foto që po qarkullon në rrjet Matteo Salvini shfaqet mes shqiptarëve teksa bën shenjën e shqiponjës.

Janë të shumtë personalitet ndërkombëtare që kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar dhe duket se edhe Salvini s’kishte si të shpëtonte.

Në foto ai mësohet të jetë me dy shqiptarë, njëri prej tyre sipërmarrës. Salvini shfaqet në mes i buzëqeshur, teksa bën shqiponjën.

Skip to toolbar